E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Popullit: “Në Vlorë të arrestuarit pyeten në dhomë ku ka sqepar dhe kabllo”

Kërkohet ndërhyrja e kreut të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj

Laureta Rryçi
Që komisariatet kanë probleme, kjo nuk përbën më çudi për askënd. Por, që në ambientet ku merren në pyetje të shoqëruarit, ka sqepar dhe kabllo; kjo duket se ka tronditur jo vetëm komisionerët e Avokatit të Popullit, por edhe drejtuesit e Policisë së Shtetit. Në rekomandimin më të fundit që mban firmën e Avokatit të Popullit shkruhet gjerë e gjatë për disa probleme që janë konstatuar në Komisariatin e Policisë së Vlorës. Duket se më shqetësuese janë disa objekte që janë vënë re në ambientet e dhomave ku mbahen të shoqëruarit apo të arrestuarit. “Në zyrat e oficerëve të Policisë Gjyqësore kishte sende të ndryshme si sqepar, kabllo, të cilat krijojnë ndjesi negative (frikë) te personat që merren në pyetje në këto ambiente. Punonjësit e policisë pretendonin se këto sende ishin prova materiale dhe se nuk kishin ku t’i mbanin, sepse ambienti i caktuar për to ishte i mbushur plot, pasi ishte i vogël”, - thuhej në rekomandim.
Avokati i Popullit, në rekomandimin që i drejton drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, i kërkon zgjidhjen e menjëhershme të këtyre problemeve, si dhe një përgjigje brenda 30 ditësh për kushtet aktuale.
Inspektimi
Zyra e Avokatit të Popullit, më datë 29.04.2010 kreu inspektim në komisariatet e policisë Vlorë, në varësi të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Vlorë. Qëllimi i këtij inspektimi ishte verifikimi në vend i standardeve të ambienteve të shoqërimit dhe atyre të sigurimit. Paralelisht me këtë u verifikua edhe respektimi i kritereve ligjore për shoqërimin e shtetasve në polici, i të drejtave dhe lirive kushtetuese e ligjore të personave të shoqëruar, të ndaluar dhe të arrestuar nga policia. Gjatë inspektimit është vënë re që në Komisariatin e Policisë Vlorë kishte një ambient shoqërimi me dy dhoma të vogla, me dimensione të njëjta 2.20x1.80 m, me dritare tepër të vogla, me dimensione 20x20 cm, me një korridor me dimensione 3.5x1 m, me derë hekuri, me dry dhe shul. Po kështu, kishte dy dhoma të sigurisë (izolimi), me dimensione të njëjta 4x3 m, me dritare me dimensione 50x30 cm me skarë hekuri dhe rrjet teli, me dyer metalike me dry dhe shul. Ndërmjet dhomës së shoqërimit dhe dhomave të sigurisë kishte dhe një korridor me dimensione 4x2.5 m në hyrje të të cilit ndodheshin dy dyer prej skare hekuri. Kishte dhe një tualet, i cili ishte i pastër, kishte ujë, por nuk kishte dush për t’u larë të ndaluarit apo të arrestuarit. “Dhoma për të shoqëruarit në këtë komisariat, edhe pse ishte në funksionim, si nga përmasat, ashtu edhe nga mënyra e konceptimit për mbajtjen e personave të shoqëruar, ishte dhomë izolimi, pasi nuk plotësonte kubaturën e nevojshme sipas standardeve të përcaktuara në ligj.
Në këtë komisariat policie nuk bëhej fjalë për dhoma të veçanta për të mitur dhe femra sipas konceptimit të bërë nga Ligji i ri Nr. 9749, dt. 04.06.2007 “Për Policinë e Shtetit”. Veprimet për të miturit kryheshin në zyrat e punonjësve të policisë, ndërsa femrat mbaheshin në korridor ose në zyrat e oficerëve të Policisë Gjyqësore”. Kështu shkruhet në rekomandimin e Avokatit të Popullit.
Problemet
Sipas inspektimit, probleme u konstatuan dhe në mënyrën se si mbaheshin të dhënat kur një person shoqërohej në komisariat. Një nga këto probleme ishte te libri i shoqërimit të shtetasve pasi nuk ishte hapur rubrika për njoftim të familjarëve dhe të avokatit mbrojtës. Sipas Avokatit të Popullit, njoftimi i familjarëve të të shoqëruarit për shoqërimin e tij në polici dhe arsyet ligjore përbën detyrim ligjor për punonjësit e policisë.
Po kështu, në shumicën e rasteve të arrestuarit e të ndaluarit trajtohen fillimisht si të shoqëruar dhe pas kohës së shoqërimit kryhen veprimet procedurale të arrestimit apo ndalimit të tyre.
Në rekomandim shpjegohej se mbajtjen në këtë gjendje punonjësit e policisë e justifikojnë me mendësinë se në qoftë se do t’i arrestojnë ata që në momentin e parë, atëherë nuk mund të kryejnë asnjë veprim procedural për të provuar veprën e kryer. “Në procesverbalet e arrestimit dhe të ndalimit të këtyre personave është shënuar ora e përpilimit të procesverbaleve të arrestimit dhe jo ora faktike, çasti kur atyre u është privuar liria në fakt. Duke i trajtuar në këtë mënyrë, atyre nuk u llogaritet në kohën e paraburgimit dhe më pas edhe në atë të vuajtjes së dënimit, koha gjatë së cilës janë bërë verifikimet apo veprimet e ndryshme procedurale”, - thuhet në rekomandim. Këto momente janë të rëndësishme për shkak se në bazë të neneve 144, 250 të Kodit të Procedurës Penale, shënimi në procesverbal i çastit (orës) së arrestimit në flagrancë ose të ndalimit është një element i rëndësishëm mbi bazën e të cilit fillojnë të llogariten efektet e paraburgimit. Ndërsa në bazë të nenit 258 të Kodit të Procedurës Penale, nga çasti (ora) e arrestimit ose ndalimit fillon afati i 48 orëve, brenda të cilit prokurori kërkon vleftësimin e masës së sigurimit në gjykatën e vendit ku është kryer arrestimi ose ndalimi.

Rekomandimi

- Të merren masa të menjëhershme për ndërtimin e dhomave të shoqërimit të shtetasve në Komisariatet e Policisë Vlorë, sipas kërkesave të Ligjit Nr. 9749, datë 04.06.2007 “Për Policinë e Shtetit”, duke krijuar ambiente të përshtatshme, dinjitoze, të pajisura me orenditë e nevojshme për qëndrim, të ndara më vete për femrat, meshkujt dhe të miturit, si dhe pa dyer apo skara hekuri dhe pa shula e dryna.

- Nga strukturat drejtuese të policisë të punohet me të gjithë efektivin për njohjen e ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe zbatimin me rigorozitet të kritereve ligjore lidhur me rastet e shoqërimit të shtetasve në organet e policisë, si dhe për trajtimin dinjitoz të tyre.

- Të krijohet menjëherë një ambient më i madh për mbajtjen e provave materiale me qëllim mos mbajtjen e tyre në zyrat e oficerëve të Policisë Gjyqësore.

- Libri i personave të shoqëruar të riformatohet dhe të unifikohet me qëllim që të pasqyrohen në mënyrë të plotë kërkesat e ligjit, duke shtuar disa kolona të tjera që kanë të bëjnë me:
njoftimin e familjarëve, nënshkrimin e të shoqëruarit në libër pasi ai lihet i lirë, kolona në të cilën regjistrohet arsyeja e shoqërimit, të ketë më shumë hapësirë me qellim që të pasqyrohet më shumë informacion për arsyen e shoqërimit, sepse deri më tani ajo ka ngelur e përgjithshme si “verifikim” apo “konflikt”.

21 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›