E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra e Jozef Doul dhe Martin Shultz që i dha fund grevës



Një ditë më parë, krerët e dy grupeve më të mëdha parlamentare në Parlamentin Europian nisën një letër të përbashkët drejtuar kryeministrit Berisha dhe kryetarit të PS-së, Rama, duke u bërë të ditur atyre se do të ndërpritet procesi i integrimit europian nëse nuk zgjidhet kriza politike në vend. Në një letër të përbashkët drejtuar kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, krerët e grupeve të së majtës dhe së djathtës në Parlamentin Europian, përkatësisht Martin Shultz dhe Jozef Doul, kërkojnë arritjen e konsensusit mes palëve. “Dy grupet tona kanë frikë se nuk mund të nxirret një konkluzion mbi çështjen e funksionimit të demokracisë pa zgjidhje kompromisi të krizës politike aktuale. Do të preferonim të kërkonim një ndërprerje të procesit të anëtarësimit deri në kohën kur një zgjidhje e ndershme e krizës të arrihet në vend të rrezikut për një rekomandim negativ”, - thuhet në letrën në lidhje me opinionin e pritshëm të Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat të Shqipërisë. Në kuadër të tryezës së Strasburgut, Martin Shultz dhe Jozef Doul kanë kërkuar ndërprerjen totale të protestave, grevës së urisë dhe çdo forme tjetër të përshkallëzimit të situatës. Burime të kabinetit të komisionerit Shtefan Fyle kanë konfirmuar se komisioneri ka biseduar gjatë një ditë më parë me kreun e maxhorancës Sali Berisha dhe me liderin e opozitës, Edi Rama.

Moratinos takon Metën, i telefonon Berishës dhe Ramës

Ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës, Moratinos, ka pritur dje zëvendëskryeministrin, njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ilir Meta. Lajmi është bërë i ditur dje nga faqja e Ministrisë së Jashtme spanjolle, e cila thekson se takimi mes dy diplomatëve është fokusuar në marrëdhëniet bilaterale dhe në situatën në Ballkanin Perëndimor në kuadër të përgatitjeve për mbledhjen e Nivelit të Lartë në Sarajevë, si dhe, në veçanti, në krizën politike që po kalon aktualisht Shqipëria. Gjatë takimit, ministri Moratinos ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, të cilin e ka inkurajuar për të gjetur një zgjidhje për krizën sa më parë që të jetë e mundur.
Për këtë qëllim, ministri Moratinos pati gjithashtu një ditë më parë një bisedë telefonike me liderin e opozitës, z. Rama, të cilit i kërkoi që të përfundonte grevën e urisë që po zhvillohej prej disa ditësh. “Qeveria e Spanjës shpreson që të dyja palët të arrijnë një zgjidhje, sonte në takimin në Strasburg, me ftesë të presidentëve të Grupeve Parlamentare Socialiste dhe Popullore të Parlamentit Europian, si dhe me pjesëmarrjen e komisionerit për Zgjerim dhe Politika Europiane për Fqinjësi, zotit Fyle”, - shkruhet në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme spanjolle.

21 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›