I riu akuzohet për mashtrime me miliona euro, ekstradohet nga Greqia supermashtruesi Indrit Aliu
TIRANË - Ekstradohet supermashtruesi Indrit Aliu. Policia e Shtetit tha se, rreth orës 17:05 të ditës së djeshme, nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana është bërë ekstradimi nga Athina, Greqi drejt Shqipërisë i Indrit Aliut, 26 vjeç, nga Vlora. Aliu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me Vendimin Nr. 302, datë 1 prill 2009, ndaj tij ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për kryerjen e veprës penale të “mashtrimit me pasoja të rënda”. Indrit Aliu është arrestuar në Greqi në orën 22:30 të datës 19 nëntor të vitit të kaluar, nën emrin Sokol Shehu. Ky person vazhdimisht kishte mashtruar qytetarë të ndryshëm, duke i marrë shuma të konsiderueshme parash. Këto veprime ai i kryente përmes nënshkrimit të kontratave fiktive, lëshimit të mandateve të pagesave fiktive etj. Indrit Aliu, supermashtruesi i biznesmenëve, përveç faktit që u ka rrëmbyer viktimave të tij shuma të konsiderueshme të hollash, u ka dhënë atyre fatura daljeje nga arka e fondacionit dhe jo dokumente hyrjeje siç duhet të ishin realisht. Ish-drejtori Ekzekutiv i kompanisë “Dejs & Partners Consulting”, pronë e Aliut, ka deklaruar se, në një rast 25-vjeçari kishte përfituar rreth 210 mijë euro nga një biznesmen grek dhe kishte parë që Aliu e kishte pajisur me mandat pagimi dhe jo mandat arkëtimi. "Supermashtrues me licencë", i ekstraduar dje në shënjestrën e gllabërimit të miliona eurove, kishte firmat e ndërtimit, kompanitë e kompjuterëve, kompanitë për shitjen e mjeteve dhe fondacione të ndryshme. Vetëm pasi pronarët e shoqërive të ndryshme kanë parë se po u boshatiseshin xhepat dhe nuk po përfitonin asnjë qindarkë nga kontratat e nënshkruara, personat e prekur iu drejtuan prokurorisë. Por menjëherë Indrit Aliu e ndjeu rrezikun. Sapo është bërë kallëzimi i parë, ai është larguar nga vendi, duke u shpallur person në kërkim. Indrit Aliu, më datë 24 shtator 2008, ka regjistruar në QKR shoqërinë "Dejs & Partners Consulting" sh.p.k., me ortak atë vetë, me objekt konsulentë juridikë dhe fiskalë për individët dhe shoqëritë tregtare, si dhe të gjitha aktivitetet që lidhen me fushën e ndërtimit. Gjatë aktivitetit të tij, Indrit Aliu ka nënshkruar kontrata, duke futur në veprim kompanitë që harxhonin paratë e tyre, me premtimin se do të likuidoheshin nga Indrit Aliu. Por, pas kryerjes së punimeve, i dyshuari zhdukej duke shkaktuar humbje të mëdha financiare për biznesmenët që i kishin besuar. Disa nga të dëmtuarit e Indrit Aliut pohojnë se ai zhvillonte takime të ndryshme në organet e pushtetit lokal dhe në ministri, duke premtuar tenderë dhe aktivitete të tjera për biznesmenët në këmbim të përfitimeve të paligjshme ndaj tyre. Pas rritjes së numrit të personave të dëmtuar, prokuroria tha se u ka kërkuar të dhëna hipotekave, bankave të nivelit të dytë dhe zyrave të Tatim-Taksave, me qëllim identifikimin e pronave dhe pasurive të Indrit Aliut. Megjithatë, asnjë pronë nuk rezulton në emër të tij.
21 Maj 2010