E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria krijon paralelen e KLSH-së, kontroll për OJF-të dhe institucionet

Projektligji që do të rregullojë funksionimin e bordit do të jetë në varësi të Financave

Ervin KOÇI

Me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave ka vendosur ngritjen e një institucioni të kontrollit financiar që do të jetë një kopje e KLSH-së. Por, në ndryshim nga ky i fundit, institucioni i ri do të ketë kompetenca më të gjera dhe nuk do të kontrollojë vetëm institucionet shtetërore dhe fondet që përdorin ato, por edhe kompanitë private që kanë lidhje me shtetin, pushtetin vendor dhe OJF-të. Ka qenë pikërisht kërkesa dhe propozimi i Ministrisë së Financave për hartimin dhe përgatitjen e projektligjit “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, i cili pritet që tani të kalojë për shqyrtim dhe miratim në Kuvend. Nëse do të miratohet në Kuvend ligji pritet që të hyjë në fuqi dhe të nisë veprimtarinë nga 1 janari i vitit 2011. Ky ligj përcakton rregullat, procedurat, strukturat administrative dhe metodat për funksionimin e menaxhimit financiar e të kontrollit në njësitë e sektorit publik të Republikës së Shqipërisë, si dhe përgjegjësitë menaxheriale për planifikimin, zbatimin, kontrollin e buxhetit, kontabilitetin dhe raportimin. Ligji ka për qëllim përdorimin sa më efektiv dhe ekonomik të burimeve financiare publike, duke respektuar parimin e transparencës e të ligjshmërisë, si dhe shmangien e shpërdorimit, keqpërdorimit dhe vjedhjes së pasurisë.

Fusha e kontrollit
Ky ligj zbatohet për njësitë e sektorit publik, ku përfshihen: 1) njësitë e qeverisjes së përgjithshme; 2) shoqëritë tregtare publike, organizatat jofitimprurëse, autoritetet e përbashkëta që zotërohen, kontrollohen, financohen ose garantohen financiarisht nga një njësi e qeverisjes së përgjithshme; 3) njësi të tjera që shpenzojnë fonde publike sipas një marrëveshjeje ndërkombëtare. Kontrolli i brendshëm financiar publik përfshin të gjitha veprimtaritë, me qëllim kontrollin e të ardhurave, të shpenzimeve, të aktiveve dhe detyrimet e njësive publike. Ai, gjithashtu, përfshin bashkërendimin e menaxhimit financiar e të kontrollit, si dhe të auditimit të brendshëm. Ministri i Financave është autoriteti përgjegjës për miratimin e udhëzimeve e të manualeve për menaxhimin financiar dhe kontrollin në njësitë e sektorit publik.

Kundërvajtjet administrative
Çdo shkelje e detyrimeve të përcaktuara me këtë ligj, me përjashtim të shkeljeve që përbëjnë vepër penale, përbën kundërvajtje administrative, si më poshtë vijon: 1) Shkelja apo mospërmbushja e detyrimeve të parashikuara nga dispozitat e pikës 1, të nenit 18, të këtij ligji, nga titullari i njësisë publike, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, nga 20- 40 mijë lekë. 2) Vendimi i kundërvajtjes administrative sipas pikës 1, të këtij neni, nxirret nga nëpunësi i parë autorizues.

Menaxhimi i riskut
Menaxhimi i riskut përmban identifikimin, vlerësimin dhe kontrollin mbi ato ngjarje apo situata të mundshme, që kanë efekt të dëmshëm për përmbushjen e objektivave të njësisë publike, dhe kryhet për të dhënë siguri të arsyeshme se këto objektiva do të realizohen. Risku matet sipas efektit të tij dhe shkallës së probabilitetit të ngjarjes. Për t’i zbatuar veprimtaritë e parashtruara në pikën 1, të këtij neni, titullari i njësisë publike miraton një strategji, e cila përditësohet çdo tre vjet ose sa herë që ka ndryshime thelbësore të mjedisit të riskut. Nëpunësi autorizues analizon dhe përditëson kontrollet që synojnë minimizimin e riskut, të paktën një herë në vit. Për të minimizuar riskun e mashtrimit dhe të parregullsive, nëpunësit autorizues të njësive publike regjistrojnë dhe raportojnë masat e marra për parandalimin e mashtrimit dhe të parregullsive.

Si do të funksionojë bordi i menaxhimit në Ministrinë e Financave

Në Ministrinë e Financave ngrihet bordi i menaxhimit, me detyrën e mbikëqyrjes së çështjeve që kanë lidhje me Kontrollin e Brendshëm Financiar Publik (KBFP) në të gjithë sektorin publik. Bordi i menaxhimit i MF-së përbëhet nga ministri i Financave, zëvendësministrat e Financave, nëpunësi i parë autorizues, kreu i Njësisë Qendrore të Harmonizimit për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin, Kreu i Njësisë Qendrore të Harmonizimit për Auditimin e Brendshëm, drejtori i Përgjithshëm i Buxhetit, drejtori i Përgjithshëm i Thesarit, si dhe nga tre anëtarë të emëruar nga ministri i Financave, me kualifikim dhe përvojë të përshtatshme në fushën e menaxhimit financiar dhe kontrollit. Shpërblimi i anëtarëve dhe i sekretarit të bordit përcaktohet me VKM-ë, me propozimin e ministrit të Financave. Bordi kryesohet nga ministri i Financave dhe mblidhet një herë në tre muaj.

21 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›