Rama – Meidanit për Metën: Pres më pak matematikë e më shumë etikë
Në komentin e tij të përjavshëm, kryetari i PS-së, Edi Rama shkruan se mirëpret kritikat e ish-presidentit Rexhep Meidani, por kërkon të presë gjithashtu prej tij edhe më shumë kontribut kundër varfërisë në vend
TIRANË Pas një kohe të gjatë replike jo të drejtpërdrejtë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka një pyetje konkrete dhe publike për ish-Presidentin e Republikës, Rexhep Meidani. Në komentin e tij të përjavshëm, Rama kujdesshëm citon se ushqen një respekt për figurën e Meidanit si ish-president, e mbështet atë edhe në domosdoshmërinë e hartimit të një ligji për trajtimin me status të veçantë të ish-presidentëve, por kur bëhet fjalë për aleancën me Ilir Metën si e vetmja mundësi për fitoren e PS-së në zgjedhjet e ardhshme, Rama ndahet në mënyrë kategorike. “Ushqej respekt për presidentin Meidani. E quaj kështu sepse kështu është mirë të quhet, si kudo në botë, cilido që e ka mbuluar detyrën e lartë të kreut të shtetit. Madje edhe të trajtohet si i tillë deri në fund të jetës, me një status të veçantë të dekretuar me ligj, sepse vetëm në Shqipëri ndodh që pas përfundimit të detyrës një president të quhet "ish" dhe të mos ketë as zyrë, as makinë, as një mbulim të posaçëm shpenzimesh, gjëra të cilat në fakt shprehin seriozitetin e dinjitetin e shtetit. Presidenti Meidani ka qenë publikisht kritik ndaj PS-së e ndaj meje, posaçërisht ndaj meje, nëpër gazeta sidomos, por edhe ekrane. Në këndvështrimin tim, kritikat e tij kanë vërshuar rëndom krejt padrejtësisht në adresën tonë e timen, po sidoqoftë asnjë problem deri këtu. Gjithkush ruan të drejtën e këndvështrimit të tij dhe është e drejta e pakontestueshme e presidentit Meidani të jetë i pakënaqur me PS-në, me drejtimin e saj, me mua personalisht padyshim”, shkruan Rama në komentin e tij. Por ajo çka e shtyn kryetarin e opozitës të flasë publikisht dhe për herë të parë në kundërshti të hapur me të, është qëndrimi i Meidanit për një bashkim të domosdoshëm të së majtës: “... siç e quan ai, duke thënë troç: "Pa LSI-në, PS-ja nuk vjen dot në pushtet" dhe duke shtuar se "Edi Rama s'e bën dot këtë bashkim". Ai nuk është i vetmi që çelësin magjik të fitores sonë e gjen në xhepin e Ilir Metës, por në këtë rast, me gjithë përpjekjet vetmevete, unë s'e gjej dot çfarë justifikimi moral do të kishte ky bashkimpazar i ri përveç gjakimit për pushtet dhe çfarë do të sillte apo bënte ndryshe paskëtaj një pushtet i tillë për shtetndërtimin e Shqipërisë Europiane e për shqiptarët e mbetur sot peng të një bashkimpazari të vjetër(?). Është një pyetje që me plot të drejtë mundon shumëkënd”, shkruan Rama, një pyetje kjo që ai ia drejton edhe Meidanit. “Kjo pyetje, më shumë se sa kujtdo tjetër që mund të nxitet së brendshmi edhe prej dëshirës për pushtet dhe i bie këmbanës së këtij bashkimi fort të dyshimtë, vlen t'i bëhet Presidentit Meidani. Prej të cilit jo si person, po si një autoritet moral që buron prej detyrës së dikurshme në krye të shtetit të shqiptarëve, unë vetë si qytetar do të prisja natyrshëm më pak aritmetikë e më shumë etikë në udhërrëfimin moral të këtij populli”, shkruan Rama, duke i sugjeruar edhe ndonjë këshillë njeriut që ai e ka propozuar për të qenë pjesë e grupit të të urtëve. “Ndërsa si kryetar i kësaj opozite të vjedhur e të vrarë, do të vazhdoj të mirëpres kritikat e Presidentit të vetëm socialist të këtyre njëzet vjetëve, por do të prisja sigurisht më shumë kontribut kundër varfërisë së aspiratave, në kushtet kur vendi po rrëshqet përditë në një tirani tribale, dhe shembujt inkurajues për njerëzit e trembur nga varfëria materiale nuk është se janë të shumtë”.
N.P