“Përjashtimi”, Meta: Islami i ka dyert e hapura në LSI
TIRANË Nëse Kastriot Islami do të çregjistrohet nga grupi parlamentar i PS-së, atëherë ai do t’i ketë dyert e hapura në një tjetër parti të majtë, LSI. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i pyetur për këtë çështje, u përgjigj se një vendim i tillë i përket vetë Islamit, duke shtuar se LSI-ja ka qenë gjithnjë e hapur për cilindo që kërkon të futet në këtë forcë politike. Megjithatë, në prononcimin e tij dhënë për mediat dje paradite, Meta nuk mund ta besonte ende se Islami mund të përjashtohet nga PS-ja. “Nuk dua ta besoj se ka qenë një lajm i vërtet ai që ka qarkulluar mbrëmë se kryesia e Partisë Socialiste ka vendosur të përjashtojë profesor Kastriot Islamin, për arsye se ka 21 vite që nuk ka përjashtime në përgjithësi në politikën shqiptare. Ka 21 vite që në Partinë Socialiste nuk ka ndodhur ndonjë përjashtim i tillë dhe nuk besoj se mund të ndodhë aktualisht, aq më tepër kur bëhet fjala për një figurë shumë të njohur publike që ka kontribuar për themelimin e Partisë Socialiste, për reformimin dhe modernizimin e saj, ku bëhet fjalë për një personalitet të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, dhe të shumë organizmave të tjera ndërkombëtare dhe për një intelektual të një niveli shumë të lartë. Për sa i takon Islamit, mund të them se ai do t’u bënte nder edhe partive më me traditë socialiste apo socialdemokrate në Europë”, - tha Meta. I pyetur se një gjë e tillë ka ndodhur edhe në vitin 2007, ku pesë deputetë të PS-së votuan për Topin si president, Meta hoqi një tjetër paralele. “Unë nuk e di që zoti Islami të ketë bërë ndonjë gabim apo ndonjë faj të tij, përveçse ka shprehur mendimet e tij, të cilat në fakt pikërisht sot i ka përqafuar vetë lidershipi i Partisë Socialiste. Pra, alternativën e zotit Islami përgjatë këtyre dy viteve, tani e ka përqafuar, e ka përvetësuar lidershipi i Partisë Socialiste, atëherë si mund të përjashtohet një njeri, i cili për dy vjet mbajti një linjë politike shumë pro europiane, një linjë e cila po të ishte përqafuar që atëherë nga lidershipi socialist, Shqipëria do të kishte fituar statusin e vendit kandidat që para dy vitesh”, - shtoi Meta.