Avokati i Popullit: Skema e e pensioneve të ndryshojë
Armand Bajrami
Ora e ndërrimit të viteve 1993-1994 ka diferencuar në dy shuma të ndryshme masën e pensioneve për arsimtarët e dalë në pension në këtë periudhë, ndonëse kanë pasur të njëjtën vjetërsi pune. Rastësia është përligjur me Vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa diferenca e të parëve me të dytët ka qenë në masën 5.6 për qind. Lajmi bëhet i ditur nga institucioni i Avokatit të Popullit, i cili i ka kërkuar zyrtarisht "llogari" për këtë pak ditë më parë ministrit të financave Ridvan Bode dhe drejtoreshës së Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Evelina Koldashi. Në një rekomandim drejtuar këtyre institucioneve Avokati i Popullit i kërkon "marrjen e masave për ngritjen e një grupi pune, për realizimin e një studimi, për të ndryshuar kushtet e daljes në pension të grupit të pensionistëve që kanë dalë në pension për periudhën 01 janar 1994 - 31 dhjetor 1995. Ndërkohë mësohet se Ministria e Financave ia ka dërguar rekomandimin në fjalë për kompetencë ISSH-së.Rekomandimi i AP-së mori nismë pas ankimit të një grupi arsimtarësh në pension nga qyteti i Lushnjës. Sipas ankesës së tyre në dyert e Avokatit të Popullit, "dy persona me të njëjtat kushte, por që kanë data të daljes në pension, njëri para 31 dhjetorit 1993 dhe tjetri pas datës 01 janar 1994, në llogaritje rezultojnë me masa pensionesh të ndryshme, me një diference prej 5.6 për qind". Në ndihmë të ankuesve AP-ja i është drejtuar ISSH-së për informacion. Sipas ISSH-së, grupi i personave që kishin dalë në pension deri më datën 31 dhjetor 1993, në bazë të një vendimi të Këshillit të Ministrave kishin përfituar një rritje dhe një grant. Ndërkohë që, grupi që kishin dalë në pension pas datës 01 janar 1994 nuk përfitonte as rritjen e as grantin. "
"Sipas VKM date 31.12.1993 'Për rritjen e pensioneve dhe te ardhurave nga papunësia', pensionet gjendje deri me 31.12.1993 u rriten me 15 për qind dhe përveç rritjes në masën e pensionit u shtua në formë granti një shumë prej 494 lekësh, që përfaqësonte kompensimet nga rritja e çmimit të disa artikujve ushqimore dhe të bukës. Këtë rritje dhe shtesë sipas VKM-së së sipërcituar, nuk e përfituan ata pensioniste që si date fillimi të pensionit kishin datën 01.01.1994 e në vazhdim", sqaronte ISSH. Për këtë arsye AP rekomandoi marrjen e masave nga institucionet kompetente.