“Martesa ime e lumtur me nipin e Armanit
Këngëtarja tregon mbi gruan që fshihet pas suksesit, Alessia Aquilanin. Mëmësia, raporti me vajzën e saj 3-vjeçare dhe bashkëjetesa e lumtur me nipin e Giorgio Armanit
Teksa afrohet dhe të tok dorën fuqishëm, gjithnjë e më tepër e ke të vështirë ta besosh se biondina e shkurtër dhe imcake, është ajo që anekënd njihet me epitetin Alexia - “Mbretëresha e dance-it”. Për këtë nuk ka asnjë faj, pasi efekti i kamerave na sjell një imazh kryekëput ndryshe. Kur ke arritur të vendosësh një komunikim me të, nuk mund të mos vëresh modestinë dhe lirshmërinë me të cilën nis rrëfimin, as kur i kërkohet të lërë mënjanë karrierën për të rrëfyer mbi jetën e saj paralele dhe assesi më pak të suksesshme, familjen e saj të lumtur.
E vetmja “pengesë” është përshtypja e parë nga kontaktet me gazetarët. Alexia e ka të pamundur të fshehë habinë tek dëgjon që të gjithë flasin në gjuhën e saj amtare, edhe pse ndjehet rehat kur i duhet të nisë rrëfimin mbi atë femrën e thjeshtë, Alessia Aquilanin, e cila fshihet pas këngëtares së suksesshme. Por edhe në jetën e saj paralele, pranon se është një grua e fortë dhe vendosur, edhe pse thellë-thellë ndihet e brishtë dhe me një ndjeshmëri, të cilën e shpreh më së miri në tekstet e këngëve të saj. Në këtë kamp planet i shkojnë për së mbari, pasi Alexia sapo ka prezantuar albumin e saj të radhës dhe është gati t’ia nisë turneve. Fati i ka buzëqeshur edhe kur flet për familjen e saj, të cilën e quan arritjen më të madhe. Në intervistën e mëposhtme këngëtarja flet për marrëdhënien pasionante me bashkëshortin, përjetimet e para të mëmësisë, ekuilibrin mes familjes dhe karrierës, si dhe një ndalesë në brendësinë e saj. Aty ku gjen shumëçka mbi ëndrrat, momentet e lumtura, ngjarjet e trishtuara e deri tek emocionet nga eksperiencat e të tjerëve, të përvetësuara në tekstet e këngëve të saj, sikur t’i kish jetuar vetë.
Miliona kopje albumesh të shitura nëpër botë, madje ju kanë quajtur “mbretëresha e dance-it”. Cila është gruaja që fshihet në jetën e përditshme pas këtij suksesi?
Jam një grua e fortë dhe e vendosur, që falë këtij karakteri arrin të mbajë ekuilibrat në këtë jetë të ngarkuar. Edhe pse shoqëria është emancipuar, ne gratë jemi të dyzuara mes punës, martesës, familjes dhe sidomos mëmësisë, çka përtej kënaqësisë, kërkon përkushtim dhe kohë për t’u përshtatur me statusin e ri.
Meqë jemi këtu, cilat ishin përjetimet tuaja kur u bëtë nënë? Sa i vështirë ishte roli si mama?
Mëmësia është një lumturi dhe një përkushtim, por do kohë që ta marrësh veten dhe të mësohesh me risinë në jetën tënde, pasi ta ndryshon kryekëput. Më pas janë ekuilibra që të imponohen nga familja, nga detyrimet që ndjen karshi tyre. Duhet të jesh afër fëmijëve, bashkëshortit, apo të merresh me shtëpinë(duke qenë se gruaja është dhe zonjë shtëpie), pavarësisht profesionit që ka zgjedhur. Personalisht si femër kam avantazhe të mëdha, pasi mund të lëviz, apo t’i programoj koncertet e mia. Duke iu përshtatur hapësirave që më krijon familja, vendos kur duhet të nisem e kur duhet të kthehem, por gjithmonë kërkohen një ekuilibër.
A keni pasur momente të dobëta, kur jeni ndier e lodhur, në këtë dyzim?
Nuk them se ka qenë e lehtë, përkundrazi, por duke qenë shenja e demit, jam e vendosur për t’i marrë përsipër angazhimet edhe në momentet më të vështira. Kështu që momente të tilla ka pasur herë pas here, por aftësia ime është që nuk ia kam përcjellë familjes gjendjen time të mbingarkuar.
Në vitin 2007 ju u bëtë nënë për herë të parë, duke sjellë në jetë Maria Vittorian. Si e kujtoni “takimin” e parë me vajzën tuaj, cilat ishin përjetimet e para teksa e mbanit në krahë?
Që nga fillimi i shtatzënisë kisha imagjinuar vajzën time në shumë fytyra të ndryshme. Por në fakt kur Maria Vittoria lindi, vetëm ashtu që nuk e kisha imagjinuar, ajo ishte akoma më e bukur dhe ndryshe nga sa e kisha menduar. Ajo ç’ka kujtoj dhe vërtet kishte rëndësi në ato momente, ishte një frymëmarrje lehtësuese që lindja shkoi mirë, vajza ishte e shëndetshme, kështu që parafytyrimi im kaloi në plan të dytë. Nga ana tjetër ai çast ka qenë pa dyshim dita më e bukur e jetës sime, pasi ditën kur kam lindur se mbaj mend.
ç’raport keni me të?
Përgjatë këtyre tre viteve unë kam ndërruar qëndrim, pasi raporti im me të rritet dhe ndryshon në një rrjedhë natyrore. Kur isha në javët e para të mëmësisë, kisha një sjellje shumë të dashur kundrejt saj. Gjatë tërë kohës i këndoja ninulla, i flisja, e përkëdhelja. Ndërsa tashmë që ka mbushur tre vjeç, i flas me një ton më të vendosur dhe pak më të rreptë, pasi tani ka filluar të kuptojë. Dhe kam bindjen se sa më shumë që ajo do të rritet, aq më i prerë do të bëhet toni im, pasi kuptohet, kur ajo të mbushë 12 vjeçe, duhet të jem akoma dhe më e vendosur në rolin tim si nënë.
Si reagon Maria Vittoria kur sheh klipet tuaja apo performancat e ndryshme?
Dëgjon shumë nga këngët e mia dhe e tërheqin gjatë gjithë kohës, por nuk e di nëse është e ndërgjegjshme për profesionin tim, pasi është ende e vogël për të kuptuar se mamaja e saj ka këtë profesion. Por një gjë është e qartë, që e percepton dhe e shpreh dhimbjen kur unë largohem nga shtëpia, çka nuk mund ta lë prapa edhe kur ngjitem në skenë. Për këtë arsye përpiqem të jem sa më pak larg saj, ose të paktën të kthehem sa më shpejt.
Të flasim pak për bashkëshortin tuaj Andrean. Ndihet inferior përballë sukseseve tuaja? çfarë ka ndryshuar përgjatë këtyre viteve që jeni martuar?
Martesa ka një sekret. Nëse e çon përpara me pasion, dashuri dhe dedikim kthehet në një nga kënaqësitë më të mëdha që mund të të japë jeta. Të arrish ta mbash gjatë një bashkëjetesë të shëndetshme, për mua është një sukses më vete, po aq i rëndësishëm sa karriera, mos më tepër. Në marrëdhënien tonë efekti kohë nuk na ka shqetësuar aspak, përkundrazi na ka bërë ta vlerësojmë dhe forcojmë edhe më shumë raportin tonë. është bukur të kesh pranë një njeri, me të cilin ke shumë të përbashkëta, e mbi të gjitha të kesh pranë një bashkëshort që të kupton. Sigurisht që edhe ne kemi gjetur ekuilibrin me njëri-tjetrin, duke pasur parasysh karrierën time si këngëtare dhe angazhimet e tij. Ndërsa për sa i takon faktit që Andrea ndihet i lënë në hije, apo unë superiore nuk besoj se ekzistojnë barriera të tilla, pasi gjithsecili nga ne ka arritjet e tij në profesionet që ka zgjedhur. Për më tepër nuk ka pasur momente, apo episode të tilla, që të ma ketë shprehur. Madje argëtues është fakti se kur më nevojitet një nder në fushën që ai mbulon, them që jam gruaja e ...., të njëjtën gjë bën edhe ai kur i hyn në punë emri im. Duke shkëmbyer rolet e të rëndësishmit, apo VIP-it në familje, nuk krijojmë mundësi për t’u ndjerë superiorë apo inferiorë. I kemi rolet e ndara. Unë jam më popullore, ndërsa ai ka një post më të rëndësishëm, kështu që jemi baras.
Në shtypin rozë italian, thuhet se Andrea, bashkëshorti juaj, duke qenë nipi i Giorgio Armanit, kujdeset për garderobën tuaj, madje është këshilluesi juaj i stilit, apo “stilisti” brenda familjes...
Ai për vete, me raste vishet shumë keq, kështu ajo çka keni lexuar nuk është aspak e vërtetë. Për sa i takon lukut tim, Armani ngelet stilisti i preferuar. Pata fatin që u njoha me një njeri që qëndronte dhe punonte afër stilistit, që më dha mundësinë të njihja njerëzit që e rrethonin, ishin shumë të talentuar. Ishte viti 2003, kur unë do të merrja pjesë në Sanremo dhe bashkëpunimi me ta ishte perfekt. Që nga ajo kohë nuk u shkëputa më nga një profesionist i tillë. Saktësisht unë preferoj “Emporio Armani”. Sa herë kam një perfomancë të rëndësishme, di ku të drejtohem për të mbuluar edhe ca kilogramë më tepër, apo një defekt.
Një nga albumet tuaja titullohet “E çmendur pas muzikës”. Në të përditshmen tuaj çfarë ju “çmend”?
Muzika është në vend të parë, pasi gjëja e parë që bëj në mëngjes, kuptohet pasi kam përmbushur detyrat familjare, azhornohem me prurjet e reja muzikore. Më pas “çmendem” pas kafesë si dhe picës plot me karbohidrate. Duke qenë me origjinë romane nuk mund t’i shpëtoj nepsit për kuzhinën tradicionale edhe kur kilogramët e kanë kaluar masën.
Në 2008 ju riktheheni pas një mungese të gjatë në jetën publike. E kishit të vështirë këtë shkëputje?
Shkëputja ime ka qenë e qëllimshme, pasi angazhimi kryesor i asaj kohe ishte vajza ime. Nga ana tjetër unë u shkëputa nga jeta publike dhe aktivitetet që ajo ofronte, por jo nga skena. Përgjatë kësaj kohe kam qenë në turne përgjatë gjithë 2006-ës dhe vajza ime ishte tërë kohës në bark dhe shijonte koncertet e mia. Kështu që nga ky këndvështrim nuk e kam ndjerë aspak. Nga ana tjetër, shkëputja më bëri të kuptoja se kush do të ishte rrugëtimi im i ri dhe t’i kushtoja gjithë kohën që i duhej vajzës sime gjatë vitit të parë të jetës.
Një shumë e suksesshme juaja është “Guardatti dentro”. çfarë shihni brenda vetes në periudha të ndryshme të jetës?
Gjej shumë emocione që kanë kaluar përmes qenies sime, shumë ëndrra që një moment të jetës janë zbehur nga ngjarje të trishtueshme, siç ishte humbja para kohe e babait tim, një histori e rëndësishme dashurie e përfunduar dhe sërish entuziazmi për t’ia nisur nga e para me shumë energji. Por më duhet ta pranoj se gjatë jetës sime më shumë më kujtohen momentet e vështira, sesa ato të lumtura. Momentet e lumtura vijnë përjetohen dhe aty-këtu të rikthehen, ndërsa çastet e vështira të maturojnë. Por edhe emocionet negative më kanë mësuar ta mbaj kokën lart.
Në të vërtetë dhe në këngët tuaja ndihen notat e trishta...
Sigurisht që ato dominojnë, pasi është e paevitueshme edhe kur i duhet t’i drejtohesh personave, që nuk kanë lidhje gjaku me ty, por sigurisht jam frymëzuar edhe nga historitë e njerëzve që njoh, por që gjithnjë i mendoj sikur i kam jetuar unë dhe askush tjetër. I kam kushtuar tekste grave të tradhtuara, të lënduara dhe ofenduara. Edhe pse sot ne femrat jemi më të forta dhe me një pozicion për t’u pasur zili, kjo është vetëm dukja, pasi thellë-thellë jemi po ato të një kohe. Me një ndjeshmëri akoma edhe më të theksuar, kështu që është e paevitueshme joshja për të shkruar mbi këto tema.
Familja në këngë
Ajo flet gjer e gjatë për këngën që i ka dedikuar motrës, lidhjet me bashkëpunëtorët e grupit që e shoqërojnë ngado apo edhe për një moment tjetër delikat, siç ishte humbja e babait të saj, çka natyrisht nuk mund të mos shndërrohej në një tjetër këngë gjithë ndjenjë. “Humbja e tij ishte e rëndë për mua. E përjetova shumë. Një tjetër këngë vjen sërish për një njeri që nuk është artist, por që mbetet mjaft i dashur për mua; luanim kur ishim fëmijë dhe u rritëm së bashku, duke kaluar momente të paharrueshme. E kam fjalën për motrën time...
Karriera
Vetë këngëtarja ka sjellë në kujtesë dy momente kulmore të karrierës sa saj, siç ishte viti 2002, kur Alexia zuri vendin e dytë në festivalin e Sanremos dhe suksesi më i fundit me “Borëbardhën”, këngë që gjendet edhe në albumin “Ale & C”. Alexia beson se tashmë ndihet më e pjekur se kurrë ndonjëherë dhe gjithçka në punën e saj lind nga konceptet që këngëtarja ka krijuar, qoftë kjo edhe kur i duhet të marrë vendime të rëndësishme e të vështira..
Vizita e vonuar?
Krijimtaria artistike dhe menaxhimi i saj kërkojnë vëmendje të madhe dhe një impenjim serioz për të qenë e suksesshme. Kështu që disa gjëra, në njëfarë mënyre, mbeten për t’u kryer në një kohë të dytë, më të vonë. “Sot teksa flasim, vendosa ta pranoj ftesën për të ardhur në Shqipëri, sepse publiku shqiptar i adhuron këngët italiane dhe më bëhet qejfi për këtë, ndaj jam këtu, për të krijuar një lidhje më të drejtpërdrejtë me shqiptarët dhe për t’i njohur më mirë. Prezantimi im i parë me publikun shqiptar do të bëhet, në spektaklin “Dancing with the stars”.
Debati Sanremo
“Diskutimet më tepër bëhen në shtëpitë e italianëve, nëse duhet të jemi më tradicionalë apo jo. Të gjitha meloditë, tradicionale apo moderne qofshin duhet të jenë së bashku në këtë festival të ndërthurura me elasticitet. Vendosa të mos marr pjesë në Sanremon e këtij viti, pasi ruaj të freskët një kujtim të shkëlqyer nga edicioni i kaluar dhe kjo më duket një arsye e mirë. Nuk është se më mungonte materiali, pasi po punoj ndërkaq me shumë pjesë, por kujtimi që kam është aq i bukur për mua, saqë nuk doja në asnjë mënyrë ta prishja”.