E Shtunë, 31 Tetor 2026

Donika Mustafaj - “Muaji ynë i mjaltit në konviktin e mjekësisë”



ani jaupaj

Dikur, dasmat nuk kishin kurrëfarë ngjashmërie, qoftë edhe të vogël, me këto të sotmet. Të gjitha peripecitë që dilnin në momentet e fundit të organizimeve, nuk mund t’i riparoje. Nëse aparati fotografik nuk shkrepte, nuk mund të gjeje një tjetër fare kollaj. Historia mbaronte pa nisur: asnjë imazh i stampuar nuk do mbetej kujtim nga dita më “e bukur” e jetës. Besnik Mustafaj, e pat siguruar fotografin, i kishte marë masat që më parë, por gjërat nuk shkuan sipas parashikimeve. Bashkë me të kishte siguruar edhe makinën me të cilën do shkonte të merte bashkëshorten e ardhshme, Donikën, në Peshkopi, por planet u përmbysën. Makina e shtetit që mori hua duhej dorëzuar doemos në orën 6:00 kështu që orari i nisjes do zhvendosej tre orë më parë. E si mund të arrinte fotografi? Fundja fare, me çfarë të njoftohej?! Nuk pati alternativa të tjera përveç se ta ruanin në kujtesë ditën e kurorëzimit të dashurisë që kishte nisur prej më shumë se një viti. Besniku ishte në vitin e tretë të studimeve për frëngjisht, ndërsa Donika sapo kishte nisur të dytin për filozofi. Djaloshi kishte kohë që vardisej godinave të qytetit studenti për të kapur ngado shikimin e vajzës që prej do kohësh i kishte shpërqëndruar mendimet. Kur shkoi e takoi për herë të parë, dinte thuajse gjithçka rreth saj. Ajo, jo. Të dy kishin kohë për t’iu rrëfyer njëri- tjetrit për më shumë se një vit. Besniku pak më pak, duke qenë që kishte nisur të hidhte në letër poezitë e para. Që një shkrimtar ka nevojë për kohën e tij, këtë Donika e kuptoi qysh atëherë, kështu që edhe më vonë kur krijimtaria të shtohej nuk do i vinte asfare keq, madje ajo vetë do t’i shtypte në makinë shkrimi, vargjet që djaloshi recitonte. Kur vendosën të kalonin jetën sëbashku, i kishin thyer ca tabu që më parë. Ndryshe nga ç’mund të ndodhte a pranohej, Donika e vizitoi për herë të parë shtëpinë e Besnikut në Bajram Curr, ende pa u fejuar. Gjyshi i tij, fort i dashur ishte në ditët e fundit të jetës, e nipi donte medoemos t’i prezantonte vajzën që kishte zgjedhur për të ndarë jetën. Ishte kjo koha kur u vendos dita e dasmës…
Si ishte dasma juaj?
Ka qenë një dasmë e zakonshme për kohën. Kur vendosëm të martoheshim, Besnikut iu largua nga jeta gjyshi, të cilin e kishte shumë për zemër, përveç kësaj ai nuk është natyrë ceremonish, kështu që vendosën të mos bënin dasmë. Ndërsa babai im këmbëngulte të më nxirte nuse nga shtëpia ashtu siç kishte bërë edhe me fëmijët e tjerë. Ishte një ceremoni e zakonshme në qytetin tim, Peshkopi. Im atë bashkë me motrat u kujdesën për gjithë pjesën organizative të shkonte sa më mirë. Ndërsa në kthim, më duhej të hiqja në makinë fustanin e nusërisë sepse këtu më priste një darkë e zakonshme familjare në hotel “Arbëria”.
Kur ndodhi?
Ishte viti 1980. Pas një viti a më shumë që rrinim bashkë, e morën vendimin për ta kurorëzuar lidhjen tonë.
Asokohe s’kishte si të ishte ndryshe...megjithatë, na kujtoni disa detaje tradicionale nga dasma juaj?
Gjithçka ishte brenda traditës dhe jo vetëm sepse s’ishte koha e nuk mund të pretendoje të dilje jashtë saj, por edhe pse qyteti të kufizonte edhe më. Nëse në Tiranë mund të mendoje ndonjë detaj ndryshe, andej as që pretendohej. Për shembull, nuk lejohej fotografimi në momente të tjera, përveç se në kohën që nusja dilte nga shtëpia.
Po të veçantë, jashtë traditës apo ndryshe nga dasmat në të cilat ju kishit qenë e pranishme apo kishit dëgjuar më parë, ç’kishte?
E kishim shkelur boll traditën ende pa u martuar, duke qenë që shkova në shtëpinë e tim shoqi përpara takimit të familjeve tona.
Nuset, në pritje të dasmës së tyre, flasin shumë për fustanet. I zgjedhin, i ndërrojnë, nuk vendosin, shfletojnë revista, kanë më shumë se një...
Atëherë, revistat e modës gjendeshin rrallë, edhe kur gjendeshin nuk i binin kollaj njeriu në dorë. Kujtoj që përpjektjet e mija për të pasur një fustan të bukur kanë qenë të forta, ndihmuar edhe nga motrat e mija. Zgjodhëm fustanin më të shtrenjtë për kohën, po për ta gjetur na u desh të shkonim në Dibër të Madhe.
Përfytyroj që nuk keni mundur t’i shpëtoni një “rregulli”. Me siguri duhet te jeni kujdesur për t’i zgjatur flokët disa muaj para dasmës. Bëhej gjithnjë kështu për t’i dhënë mundësi parukieres për të realizuar krehjen e preferuar...
Flokët ishin mjaftueshëm të gjatë, problemi ishte tjetër. Duhet të rrija gjithë natën me bikutina në kokë në mënyrë që të jepej forma e dëshiruar. Pas gjithë torturës së asaj nate në mëngjes flokët nuk më pëlqyen. Përfundimisht i prisha dhe i rregullova vetë.
Nuset qajnë. Ose më mirë qanin aso kohe, kur dilnin nga dera e babait. Keni qarë?
Mendova se do rezistoja deri në fund por jo… Kur po zbrisja shkallët e shtëpisë kthej kokën e shoh time më, bashkë me motrat të përlotura. U preka edhe unë pa dyshim aq sa Besniku më tha “do të të kthej prap?”
Paja ishte pjesë e dasmave...ç’kujtoni të kishit në tuajën?
është një libër kuzhine që ma dhuroi babai. E kushtuar gjithnjë pas librave, nuk bëja thuajse asnjë punë shtëpie. Libri ishte për të më ndihmuar e për të më vënë në punë. Përveç këtij, kisha gjithë qëndismat për të cilat harxhonim atëherë orë të tëra.
Ju vjen keq?
Po, madje njëherë shpërtheva në lot kur i pash. Më erdhi keq për veten.
Ruani ende ndonjë gjë prej saj?
Librin e kam edhe sot sigruisht. Kanë mbetur edhe qëndismat, të cilat i ka ruajtur djali për të bërë historinë e familjes.
Pas dasmës ku shkuat, duke qenë se një shtëpi tuajën nuk e kishit ende?
Kemi jetuar për një vit në konviktin e Mjekësisë. Unë isha në katin e dytë, Besniku në të katërtin.
Atëherë nuk ka vend për të pyetur në u nisët diku për muaj mjalti! Po planet për të bërë fëmijë, në ç’kat i thurrnit?
Shkonim aty ku të ishte dhoma e lirë. Shoqet e mija të dhomës tregoheshin të mira, thuajse çdo fundjavë na e linin dhomën të lirë. Kur ishin ato lirohej dhoma e Besnikut. Në këtë kohë ngjizëm edhe djalin tonë të parë.

Pas jetës së konviktit..

Ecejaket nëpër korridoret e konviktit nuk do vazhdonin shumë gjatë. Pas një viti patën edhe ata shtëpinë e tyre edhe pse Donikës ende do t’i duhej të kishte në dorë barrën e banesës së re, pra nuk është që telashet u pakësuan. Atëherë nuk mungonin as vajtje – ardhjet e të gjithë të afërmve të mundshëm që për shkak të mungesës së hoteleve duhet edhe të strehoeshin diku. Ndërkaq Mustafaj e kishte nisur punën si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, kështu që shërbimet e para dhe mungesat e tij në familje për shkak të tyre, po shfaqeshin. Qëllonte ndonjë nga këto netë që Donikës t’i sëmurej i biri e të mos dinte ç’të bënte. Qante bashkë me të, deri sa zbardhte dita që dukej sikur zbuste edhe ankthet. Sot, që as hapësira e shtëpisë e as prania e Besnikut në shtëpi nuk mungojnë, ato ditë janë kthyer në imazhe të turbullta gri prej të cilave, për fat, nuk janë ruajtur as shumë fotografi.
Vitet ’90 thuajse do t’i shuanin gjurmët e kohës që kishte lënë pas shpine. Për shkak të politikës, prania e Mustafajt në shtëpi nuk do ishte e dendur, sidoqoftë jetesa ishte përmirësaur ndjeshëm. Kishte ikur koha kur ato honoraret e gazetarisë do t’i kursenin për të ngrënë një drekë vetëm a me miq. Udhëtimi i gjatë për në Francë mbërriti menjëherë, në vitin ‘92. Në 5 vitet kur Besnik Mustafaj ishte Ambasador i Shqipërisë në Francë, asgjë nuk do të kishte më lidhje me jetësën e mëparshme. Ishte faqja e re, pas së cilës do shfletoheshin shumë të tjera. Largimet apo shërbimet e të shoqit në këtë kohë e më pas nuk ndiheshin më si më parë. Në fakt, asnjëri prej të dyve nuk ka qenë ndonëjherë aq i ngjitur pas tjetrit sa të ketë të nevojshme në çdo kohë të qëndrojë i shtrënguar nga pas. Mardhënia e tyre ka qenë pa ulje ngritje e ndoshta kjo për faktin se Donika e pat parashikuar që në fillim se ç’jetë e priste pranë muzave të një shkrimtari. Që të shijonte ato poezitë që i shoqi hera- herës i kushtonte, duhet të paguante edhe kohën e tij. Kohë që tani që politika është larg tryezës së tyre të shtëpisë, mund ta rekuperojnë fundjavave të qeta në shtëpinë e tyre të re në Priskë.

Pinjolli i madh e i vogël

Fëmija i parë është i përkëdheluri i të gjithëve. I dy prindërve që e kanë sjellë në jetë po e po, por sidomos i gjyshërve. Sa herë keni dëgjuar prej tyre që mjalti i mjaltit është më i ëmbël!? Dikur, rëndom ndodhte të mos ua plotësonin tekat siç do të donin me lodra a të mira të tjera, ama dashuria e tepruar nuk i mungonte askujt. I lindur në kohë të vështira për prindërit, djali i madh i Besnik e Donika Mustafajt, Dardani, mund të kishte me shumicë nga prindërit apo gjyshërit e tij vetëm këto të fundit. I rritur në kushte jo fort komode, gjendur hera herës vetëm me të ëmën për shkak të shërbimeve të të atit, vogëlushi nuk kishte si të pretendonte shumë. Tani, atij vetë, as që i kujtohen netët pa gjumë të së ëmës kur kollitej a kishte temperaturë. Edhe ato çarçafët me bedena të qëndisur atëherë nuk do t’ia vrisnin syrin, veç se kur t’iu rikthehej vite më vonë. I vëllai, Andi, i gjeti të përmirësuara ndjeshëm kushtet e jetesës. Po për ta treguar të tërën, ndryshimi i të dyve nis që nga ngjizja. Nga koha e bashkëjetesës (në mund të quhet e tillë!) në dy kate të ndryshme të konviktit të mjekësisë, kishin kaluar 5 vite. çifti, bashkë me Dardanin, ishin transferuar në shtëpinë e tyre kur po mendonin për vëllaçkon. Mbase është pikërisht kjo arsyeja fillestare pse, ata të dy, qysh në krye të herës, nuk kanë gjetur asnjë pikë të përbashkët njëri me tjetrin, janë krejt të kundërt. Të dy prindërve natyrisht që u është dashur tu gjejnë telat gjithsecilit e të krijojnë me ta raporte të barabarta. Veç se, me gjasë, Dardani nuk ka qenë fatlumi i parë i përkëdhelur. Vëmendja e prindërve, ishte më e qetë (a komode!) në planifikimin e fëmijës së dytë. Të dy trashëgimtarët e mbiemrit, i kanë kaluar tashmë të njëzetat e nuk flitet më për grindje të vogla a përkëdheli. Ama që njëri nuk i ngjan tjetrit, kjo me siguri nuk ka për të ndryshuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›