E Diel, 1 Nëntor 2026

Shëndeti i gruas - Kujdes pijet e ëmbla, rrezik diabeti në shtatzëni



Pijet e ëmbla vazhdojnë të jenë nën “proces”. Një studim amerikan i “akuzon” për ca dëme që i shkaktojnë shëndetit tonë. Kësaj here bëhet fjalë për favorizim të shfaqjes së diabetit gjatë shtatzënisë. Të dhënat e fundit të dala në “Diabetes Care” tregojnë se më shumë se 5 kanoçe me lëngje të tilla, në javë e shtojnë rrezikun e diabetit me 22 për qind.
Duke parë numrin e madh të grave të marra nën kontroll, “akuza” nuk duhet marrë edhe aq lehtë. Liwei Chen, epidemiolog në Universitetin e New Orleansit ka analizuar të dhëna nga rreth 13.500 gra që kanë marrë pjesë në “Nurses’ Health Study II”, ecurinë shëndetësore të të cilave e ka ndjekur përgjatë 10 viteve. Me kohë janë verifikuar 860 raste me diabet. Duke marrë parasysh edhe faktorë si mosha, aktiviteti fizik dhe të tjerë elementë që mund të luanin rol në shfaqjen e diabetit gjatë shtatëzënisë, efekti i pijeve të ëmbla ishte i dukshëm. Sipas epidemiologut, këto pije, që furnizojnë me sheqerna lehtësisht të tretshme në sasi, mund të ndikojnë në rritjen e ngarkesës glicemike: kjo ndodh edhe kur përdoren ushqime të pasura me sheqerna, të cilat çojnë në kapjen e kulmit të nivelit të glicemisë, që nga ana tjetër lidhet me zhvillimin e insulino-rezistencës dhe ulje të funksionimit të pankreasit. Aq më tepër që pije të tilla, aq më shumë edhe të gazuara janë nën shënjestrën e mjekëve. Gjatë viteve të fundit janë të mjaftueshme provat, sipas të cilave konsumimi i tepërt i këtyre pijeve çon në mbipeshë dhe obezitet, diabet dhe sëmundje metabolike. Kështu që mjekët rekomandojnë sa më pak pije të tilla, aq më shumë gjatë shtatzënisë. Duke iu referuar “këshillës” që iu jepet nënave të ardhshme: “hani për dy”, mjekët thonë se një gjë e tillë është e gabuar. Mjafton një ushqim i shëndetshëm dhe i ekuilibruar, duke bërë kujdes kilet e tepërta, pasi shëndoshja në mënyrë të shpejtë shton rrezikun e shfaqjes së diabetit, shtuar edhe faktorë të tjerë. Kështu që një test mbi sasinë e glukozës në gjak është gjithnjë i këshillueshëm.

Heather Parisi,dy binjake në moshën 50-vjeçare

“Jam 50 vjeç dhe jam shtatzënë me dy binjakë. Jam e lumtur. Më në fund kam jetën që meritoj”. Kështu thotë Heather Parisi, një nga ikonat e spektaklit në Itali, në një intervistë të saj në mediat italiane. Prej 5 vitesh, Parisi, thuajse kishte humbur gjurmët. “Mbeta shtatzënë në moshën 49-vjeçare, por biologjikisht jam 10 vjet më pak”, thotë Parisi në kulmin e lumturisë. “Jam mirë, jam shëndoshur pak dhe kam një jetë seksuale për 10 me yll edhe gjatë shtatzënisë”, tregon ajo. Sa i përket moshës së madhe, në të cilën ajo vendosi të bëhet nënë, shton: “Kjo imja është një zgjedhje e përgjegjshme, frut i një dashurie (me të dashurin e saj, Umberto Anzoli) që nuk e kisha provuar më parë. Kjo më ka bërë ta shoh jetën me të tjerë sy dhe kam fituar vlerësimin në vetvete. Sa i përket kthimit në televizion ajo shprehet e vendosur: “Televizioni nuk është një kapitull i mbyllur, por jam e pandjeshme ndaj disa mendësive komerciale dhe po të dua, mund t’ia lejoj vetes të mos punoj”. Parisi ka edhe dy vajza të tjera, Rebekën, 15 vjeç, nga martesa me Giorgio Manenti dhe Zhaklinën, 9-vjeçare, fryt i lidhjes me Giovanni Di Giacomo.

Dieta gjatë shtatzënisë

Mënyra e të ushqyerit të gruas gjatë shtatzënisë, ndikon jo vetëm për mbarëvajtjen e shtatzënisë dhe të zhvillimit normal të fetusit, por edhe në gjendjen e mirë shëndetësore të nënës deri në lindjen e fëmijës. Gjatë gjysmës së parë të shtatzënisë, nevoja për ushqyerje bëhet përzgjedhëse ndërsa në gjysmën e dytë rritet në sasi si pasojë e nevojës së fetusit. Kështu që duke nisur që nga fillimi i jetës dyshe, madje nëse është e mundur edhe përpara ngjizjes, ushqyerja të jetë në parametrat e duhur.
Nevojat e trupit
Organizmi i nënës duhet të përballet me nevoja suplementare ushqimi për zhvillimin e fetusit por edhe për funksionimin e mirë të placentës e të lëngjeve amniotike. Në tre muajt e parë, nevoja për energji pothuajse nuk ndihet sepse organizmi mer nga rezervat e mëparshme të trupit. Ndërsa në muajt pasues rritet me 200-300 kcal në ditë. Këtë energji mund ta gjeni në:
-një fetë buke integrale shoqëruar me një copë djathë ose një gotë qumësht
-një vazo të vogël me kos natyral, një mollë dhe 2 gota të vogla muesli
-një gotë me fruta të shtrydhura dhe bajame
Për të ndërtuar dhe rritur trupin e fetusit dhe të nënës, janë të nevojshme 5 gr proteina suplementare gjatë 3 muajve të parë. Mund të merren fare kollaj nga ushqimet e përditshme që njihen për përmbajtjen e proteinave.
Pas muajit të tretë nevojat rriten. Përmbushen më së miri me shtimin e sasisë së konsumimit të mishit jo të yndyrshëm. Glukoza, element bazë i glucideve, është burimi kryesor i energjisë që mund të merret nëpërmjet konsumimit të bukës, pastave apo frutave. Të pazëvendësueshme janë edhe yndyrat e mira për funksionimin e sistemit nervor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›