Avokati i Popullit: “Të shfuqizohet ligji për verifikimin e titujve të pronësisë”
Gjykata Kushtetuese do të diskutojë së shpejti me kërkesë të Avokatit të Popullit kushtetutshmërinë e ligjit që parashikon verifikimin e titujve të pronësisë për tokat e marra me Ligjin 7501, ose të tokave të ish-fermave. Për më 22 shtator Kushtetuesja ka përcaktuar, në rendin e saj të punimeve, shqyrtimin e kërkesës për “shfuqizimin si antikushtetues të Ligjit Nr. 9948, datë 07.07.2008 ‘Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore’”. Po ashtu, ky subjekt ka kërkuar edhe shfuqizimin e VKM-së Nr. 1269, datë 17.09.2008 “Për përbërjen, mënyrën e funksionimit dhe detyrat e përgjegjësitë e strukturave shtetërore të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”. Si kërkesë të dytë Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, parashtron pezullimin e veprimit të ligjit dhe vendimit deri në vendimmarrjen nga Gjykata Kushtetuese. Në kërkesë, të shoqëruara edhe me analizë, Avokati i Popullit përmend se ligji shkel gjashtë nene të Kushtetutës së Shqipërisë. “Ligji është në kundërshtim me parimin e sigurisë juridike; ligji është në kundërshtim edhe me Nenin 7 të Kushtetutës, normë që parashikon një nga parimet bazë mbi të cilin organizohet dhe funksionon një shtet me tipare demokratike, atë të ndarjes dhe balancimit të pushteteve; ligji është në kundërshtim me Nenin 41 të Kushtetutës në të cilin parashikohet mbrojtja dhe garantimi i një prej të drejtave themelore të njeriut, ajo e pronës private; ligji është në kundërshtim edhe me Nenin 42/2 të Kushtetutës; nenet 15/1, 17 dhe 5 të Kushtetutës”, - thuhet në kërkesë. Sipas mendimit të Avokatit të Popullit, ky ligj lë shteg të gjerë për abuzime, subjektivizëm dhe selektivitet gjatë zbatimit të tij. “Ligji, në tërësinë e tij, përveç të tjerave, paralelizon dhe zëvendëson dispozitat e Kushtetutës dhe të Kodit Civil me ato të Kodit të Procedurave Administrative. Ligji Nr. 9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore” krijon struktura shtetërore, paralele me gjykatat. Komisioni Qeveritar i Tokave dhe komisionet vendore pranë prefektit në qarqe, ushtrojnë kompetenca që janë ekskluzive për pushtetin gjyqësor”, - vijon më tej paraqitja e fakteve. Kërkesa e Dobjanit drejtuar Gjykatës Kushtetuese ka marrë shkas nga ankesat e personave fizikë dhe juridikë për këtë ligj.
Nenet e Kushtetutës që shkel ligji:
Ligji është në kundërshtim me Nenin 41 të Kushtetutës në të cilin parashikohet mbrojtja dhe garantimi i një prej të drejtave themelore të njeriut, ajo e pronës private.
Ligji është në kundërshtim edhe me Nenin 42/2 të Kushtetutës, që parashikon se
kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetuese dhe ligjore, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.
Neni 15/1 i Kushtetutës sanksionon se:
“Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik”.
“Akti administrativ i komisioneve, Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi, i ka sjellë pasojat e tij juridike me regjistrimin në ZRPP të rrethit. Në këtë moment, akti administrativ shndërrohet në një marrëdhënie juridike pronësie. Këtu është edhe kufiri që e ndan procedurën administrative dhe pushtetin ekzekutiv nga pushteti gjyqësor”, - argumenton Dobjani.
Neni 17 i Kushtetutës parashikon se:
“Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik dhe për mbrojtjen e të drejtave të tjerëve. Këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara ne Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut”.
Neni 5 i Kushtetutës afirmon qartë faktin që:
“Republika e Shqipërisë zbaton të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të”.
Në Nenin 1, të Protokollit Nr. 1 të Konventës, parashikohet që çdo personi, fizik apo juridik, duhet t’i respektohet pasuria e tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Kërkesa:
1) Shfuqizimi si antikushtetues të Ligjit Nr. 9948, dt.07.07.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, si dhe të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 1269, dt.17.09.2008 “Për përbërjen, mënyrën e funksionimit dhe detyrat e përgjegjësitë e strukturave shtetërore të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”.
2) Pezullimin e Ligjit Nr. 9948, dt. 07.07.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore” dhe të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.1269, dt.17.09.2008 “Për përbërjen, mënyrën e funksionimit dhe detyrat e përgjegjësitë e strukturave shtetërore të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”.
26 Gusht 2009