E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria anulon titujt e pronësisë, Avokati i Popullit: “Ligji është antikushtetues”

Komisioni Qeveritar i Tokës u heq pronarëve titullin e pronësisë

Eljona Ballhysa
Zëvendëskryeministri Genc Pollo, i cili mban dhe postin e kryetarit të Komisionit Qeveritar të Tokës, ka deklaruar dje se në bazë të ligjit për verifikimin e titujve të pronësisë u është hequr ky titull shumë personave që e kanë përfituar tokën në mënyrë abuzive. Por, nga ana tjetër, ekziston një kërkesë që Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, ia ka dërguar Gjykatës Kushtetuese. Në këtë ankesë Dobjani kërkon shpalljen antikushtetues të ligjit për verifikimin e titujve të pronësisë për shkak se ai bie në kundërshtim me 6 nene të Kushtetutës. Dobjani gjithashtu ka kërkuar pezullimin e zbatimit të këtij ligji deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Ndërkaq, Gjykata Kushtetuese e ka parashikuar seancën për shqyrtimin e kërkesës ankimore të Avokatit të Popullit në datën 22 shtator. Pavarësisht kësaj kërkese, Komisioni Qeveritar i Tokës dhe komisionet vendore të ngritura në bazë të ligjit në të gjitha qytetet e vendit vazhdojnë të zbatojnë ligjin duke hequr me dhjetëra tituj pronësie.
Qeveria
Sipas Pollos, pas verifikimit të titujve të pronësisë rezulton se janë ndarë në mënyrë të kundërligjshme shumë toka në bazë të Ligjit të tokës 7501. Sipas tij, në ato raste ku janë vënë re përfitimet abuzive është marrë vendimi për anulimin e tapisë. “Ligji për verifikimin e titujve të pronësisë i ka dhënë tashmë produktet e para. Tokave të ndara në mënyrë të kundërligjshme duke abuzuar me Ligjin 7501 u anulohet tapia apo titulli i pronësisë”, - është shprehur Pollo. Pikërisht ky vendim kundërshtohet nga Avokati i Popullit, i cili argumenton se titulli i pronësisë mund të hiqet vetëm me vendim gjykate dhe nuk mund të hiqet me komisione vendore që drejtohen nga prefektët, pasi në këtë mënyrë krijohen institucione paralele me gjykatat dhe kjo bie ndesh me Kushtetutën.
Por Pollo shkon më tej dhe paraqet fakte konkrete të personave që u është hequr titulli i pronësisë në bazë të ligjit për verifikimin e titujve të pronësisë. “Ka pasur raste skandaloze si zaptimi përmes falsifikimit dhe abuzimit të oborrit të shkollës ‘Libofshë’ në rrethin e Fierit. Ose zaptimi i tokës së parashikuar për varreza në fshatin Dermenas po në rrethin e Fierit. Komisioni vendor pranë Prefekturës mori një nga vendimet e duhura duke zbatuar ligjshmërinë, duke ndëshkuar zaptuesit dhe duke u bërë një shërbim të çmuar komuniteteve të Libofshës dhe Dermenasit. Tashmë nxënësve të Libofshës u është rikthyer oborri i shkollës së zaptuar prej më shumë se 10 vjetësh, ndërsa banorët e Dermenasit do të mund të ndërtojnë varrezën e fshatit në tokën e planifikuar”, - është shprehur Pollo.
Sipas zëvendëskryeministrit, i cili mban dhe postin e kryetarit të Komisionit Qeveritar të Tokës, deri tani u janë marrë zaptuesve afro 68 mijë hektarë tokë. Konkretisht, në Prefekturën e Fierit, 32 mijë hektarë, në Vlorë 30 mijë hektarë etj. Sipas tij, ky komision po shikon me përparësi verifikimin e titujve të pronësisë në zonat turistike bregdetare ku dhe vlera e tokës është më e lartë. “Por, me përparësi po shqyrtohen abuzimet në brezat turistikë dhe janë identifikuar jo pak sipërfaqe të marra në mënyrë të kundërligjshme. KQT-ja dhe komisionet vendore po punojnë dhe së shpejti priten vendimet e para për duzina hektarësh që do t’u hiqen zaptuesve. Kështu korrigjohen padrejtësitë e bëra në të shkuarën nga ofiqarë abuzivë dhe nga persona privatë të pangishëm. Kështu u kthehen komuniteteve hapësira të përdorimit publik si dhe krijohet gradualisht një fond për kompensimin e ish-pronarëve”, - është shprehur Pollo.

26 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›