Avokati i Popullit: “Zyber Hallulli” është amortizuar
Lagështi në të gjitha muret e godinës, më e theksuar në mensën e shtëpisë dhe në kuzhinë. Dhoma jo të rregullta me dyer të amortizuara, mangësi të theksuara të nevojave për riparime të ndryshme. Pas inspektimeve të kryera në shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli”, në Tiranë, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, ka evidentuar këto probleme. Menjëherë pas kësaj Dobjani, në një letër drejtuar ministrit të PÇSSHB-së, Anastas Duro, ka kërkuar rindërtimin e plotë të godinës.
Problemet
Inspektimi u krye nga Avokati i Popullit në shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë. Sipas raportit të AP-së nuk janë evidentuar shkelje të këtyre të drejtave. Sipas AP-së ky institucion rezidencial i përkujdesit shoqëror për fëmijët në nevojë të grupmoshës 6-15 vjeç përmbush më së miri funksionin. Por puna çalon tek godina në të cilën aktualisht strehohen 41 fëmijë, ndër të cilët 26 djem dhe 15 vajza të moshës 6-15 vjeç. Kështu, në këtë godinë trekatëshe problem shqetësues është lagështira, e cila është evidentuar nëpër mure në të gjitha katet e godinës, por e theksuar më shumë në muret e katit përdhe, i cili shërbente prej vitesh si mensë dhe ngjitur me të kuzhina. “Në këtë institucion ishin bërë vetëm investime të pjesshme vit pas viti, por asnjëherë tërësore në gjithë godinën. Prandaj është shqetësuese lagështira”, - bëhet e ditur në raport. “Një problem tjetër i hasur, - thuhet në raport, - ishin edhe banjat në të tria katet të cilat ishin me lagështirë të madhe dhe të amortizuara. Edhe dyert e kateve ishin problematike të rrënuara, pa doreza dhe në shumë dhoma jo të rregullta”. Ndërsa mungesa në organikë e një mirëmbajtësi për godinën kishte sjellë mangësi të theksuara të nevojave për riparime të ndryshme, aq të nevojshme dhe të domosdoshme për rregullimin e defekteve të ndryshme dhe të shumëllojshme, gjë që aktualisht bëhej nga punonjësit amatorë në këtë profesion.
Masat
Pas kësaj Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, në letrën drejtuar ministrit të PÇSSHB-së, Anastas Duro, drejtorit të SHSSH-së Mihal Naco, si dhe drejtores së shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”, Jonida Çaroshi, ka parashtruar si kërkesë marrjen e masave të menjëhershme për rindërtimin e plotë të godinës, për evitimin e lagështirës së madhe, e shtrirë kjo në të gjitha ambientet e saj. Gjithashtu kërkon shtimin në organikë të një mirëmbajtësi ose ndryshimin e saj brenda numrit ekzistues për t’u kujdesur për përmirësimin dhe mbajtjen në punë të pajisjeve të domosdoshme për shtëpinë.