E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi: Bursë për studentët në 10 universitetet më të mira të botës



Studentët shqiptarë që do të pranohen në një nga 10 shkollat më të mira të botës do të marrin automatikisht bursë nga qeveria. Vendimi u mor dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ku si kusht i vetëm u vendos rikthimi për një periudhë 7-vjeçare në Shqipëri. Sipas vendimit në fjalë, bursat do të jepen si për studimet bachelor, ashtu edhe për master dhe doktoraturë.

Vendimi

“Këshilli i Ministrave mori sot (dje) vendimin t’i paguajë shpenzimet për shkollimin për të gjithë studentët shqiptarë që do të pranohen në 10 universitetet më të mira të botës, – bëri të ditur zyra e shtypit e qeverisë. – Studentët që do të përfitojnë nga kjo nismë e qeverisë shqiptare, do të kenë detyrimin të kontribuojnë në Shqipëri për një periudhë 7-vjeçare”.

E veçanta e këtij viti qëndron në faktin se nuk janë vendosur kritere diplome për të përfituar. Në këtë mënyrë, pavarësisht nëse dikush pranohet për bachelor, master apo doktoraturë do të marrë automatikisht bursë.

“Ky vendim merret në kuadër të fondit të ekselencës për të mbështetur studentët shqiptarë me rezultate të shkëlqyera, që arrijnë të pranohen në universitetet më të mira të Evropës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në të gjitha nivelet e studimit, diplomë e nivelit të parë, master dhe doktoraturë”, – njoftoi Kryeministria. Dhjetë universitetet më të mira të botës për vitin 2008 janë vetëm në SHBA dhe Britaninë e Madhe.

Fondi i ekselencës

Për herë të parë në vitin 2007, qeveria shqiptare parashikoi në buxhet një fond të posaçëm për studime të plota doktorate apo postdoktorate të dhjetëra shkencëtarëve të rinj që duan të studiojnë në universitete perëndimore prestigjioze. Këta studiues detyrimisht duhet të kthehen në Shqipëri për 5 vjet dhe të kontribuojnë me dijet e tyre në atdhe. Vitin e kaluar 25 studiues të rinj shqiptarë ishin të parët që përfituan nga FONDEX 2007.

Sipas ministrisë, me anë të këtij financimi, universiteteve tona u krijohen mundësi më të mira jo vetëm për staf të ri të kualifikuar, por dhe për kontakte të reja të nivelit të lartë në shkencë me homologët evropianë në mbështetje të përpjekjeve të tyre për përfshirjen me sukses në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit. Kriteret për vlerësimin dhe klasifikimin e aplikimeve u hartuan nga Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës, organi i ekspertëve në këshillim të qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit.

Tashmë ky financim është zgjeruar dhe mjafton pranimi në 10 shkollat më të mira të botës, pavarësisht se nëse është bachelor, master apo doktoraturë për të përfituar nga ky fond.

10 universitetet më të mira për vitin 2008

1. Universiteti i Harvardit – Harvard (SHBA)

2. Universiteti i Jellit - Yale (SHBA)

3. Universiti i Kembrixhit – Cambridge (Mbretëri e Bashkuar)

4. Universiti i Oksfordit - Oxford (Mbretëri e Bashkuar)

5. California Institute of Technology (SHBA)

6. Imperial College London (Mbretëri e Bashkuar)

7. University College London (Mbretëri e Bashkuar)

8. Universiti i Çikagos (SHBA)

9. Massachusetts Institute of Technology (SHBA)

10. Universiteti i Kolumbias - Columbia (SHBA)

Beja: Pension shtesë për të gjithë profesorët

Ministri bën të ditur vendimin e qeverisë

Përsërit thirrjen ndaj studentëve: Merrni kartat

Të gjithë profesorët, profesorët e asociuar, drejtuesit e kërkimeve dhe mjeshtrit e kërkimeve do të marrin një pension shtesë deri në katër herë më i lartë se pensioni i pleqërisë. Lajmi u bë i ditur dje nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, i cili tha në një konferencë shtypi, pas mbledhjes së qeverisë, se "për personelin akademik me titullin shkencor “Profesor” dhe “Profesor i Asociuar” ose “Drejtues Kërkimesh” dhe “Mjeshtër Kërkimesh”, qeveria ka vendosur që të gjithë të marrin një pension suplementar, në një masë të konsiderueshme”.

“Të gjithë profesorët kanë të drejtë të përfitojnë një pension shtetëror suplementar, qoftë ata të cilët nuk kanë mundur të japin një kontribut suplementar, aq më tepër ata të cilët janë në funksion sot dhe do të kontribuojnë dhe në të ardhmen me një përqindje, siç veprohet me të gjitha rastet e pensioneve suplementare”, - tha ministri, sipas të cilit pensioni shtesë mund të shkojë deri në katër herë të pensionit bazë të pleqërisë.

“Ky është një vendim i shumëpritur, sipas kontakteve që unë kam pasur me profesoratin, me shumë profesorë të shquar, të cilët me dekada na kanë dhënë mësim të gjithëve, brezave të ndryshëm shqiptarësh, të cilët janë në prag të pensionit, ose përfitojnë ndërkohë që janë në pension”, – tha ministri.

Sipas tij, ky është një pension shtesë, i cili mund të shkojë deri në katër herë të pensionit bazë të pleqërisë, sipas ligjit përkatës. “Ky është një lajm i gëzuar për të gjithë profesorët dhe drejtuesit shkencorë, për profesorët e asociuar dhe mjeshtrit e kërkimeve", – tha Beja

Ndërkohë, ministri përsëriti edhe një herë thirrjen drejtuar studentëve që të aplikojnë për letërnjoftimet e reja. Sipas tij, çdo student do të duhet të paguajë 200 lekë për të marrë një kartë identiteti, që do t`i siguronte atij një të ardhme më të mirë.

Gjermanishtja në shkolla

Seksion dygjuhësh te “Sami Frashëri”

Nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë, duke nisur nga viti i ardhshëm shkollor, do të mund të regjistrohen në seksionin dy gjuhësh shqip-gjermanisht.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja dhe ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchardt, nënshkruan dje në MASH një memorandum bashkëpunimi për hapjen e një seksioni dygjuhësh gjermano-shqiptar në gjimnazin e kryeqytetit.

Ky seksion, krahas mësimit intensiv të gjermanishtes, përfshin dhe mësimdhënien e lëndëve të caktuara në gjuhën gjermane, si matematikë, gjeografi, fizikë dhe kimi. Në fund të shkollës këta nxënës kanë mundësi të japin provimet e maturës në shqip dhe gjermanisht.

Gjithashtu, gjuha e huaj gjermanisht, do të ofrohet edhe në shkollat 9-vjeçare “Fan Noli”, “Avni Rustemi” dhe “Jeronim de Rada”. Ministri Beja vlerësoi nënshkrimin e marrëveshjes, duke theksuar se nxënësit që mbarojnë këtë seksion dygjuhësh, i bëjnë lëndët edhe në shqip edhe në gjermanisht dhe në fund të studimit, përveç Dëftesës shqiptare të Pjekurisë marrin edhe një Diplomë të Gjuhës Gjermane, që certifikon marrjen e njohurive në gjuhën gjermane sipas standardit gjerman.

“Me këtë marrëveshje shtrihet hapësira e pjesëmarrjes së nxënësve dhe në tri shkolla 9-vjeçare, të cilat do të furnizojnë gjimnazin me nxënës që kanë bërë gjermanisht më shumë orë se sa në shkollat e tjera”, - u shpreh Beja, duke shtuar se gjermanishtja është një nga pesë gjuhët e BE-së, e cila mësohet në shkollat tona.

Ministri Beja e falënderoi ambasadorin gjerman edhe për tekstet e lëndëve shkencore të gjimnazit, të ofruara së fundi, në kuadrin e përpjekjeve që bën MASH-i për futjen e teksteve të lëndëve shkencore të gjimnazit nga vendet e BE-së me arsim të konsoliduar dhe në përputhje me programet e kurrikulat e miratuara nga shteti shqiptar.

Ndërsa ambasadori Borchardt vlerësoi mundësinë që po i hapet gjermanishtes në shkollat shqiptare si një gjuhë që flitet si gjuhë amtare nga pothuaj ¼ e vendeve të BE-së dhe si gjuha e dytë më e rëndësishme zyrtare brenda BE-së.

“Prej pak më tepër se 2 javësh, - tha ambasadori Borchardt, - vendet tona janë partnere në kuadër të NATO-s dhe mendoj se në një të ardhme të afërt do të jemi edhe partnerë në kuadër të BE-së”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›