Shqiptarë, jini vigjilentë!
Nga Bedri Çoku
Jeta e një populli është si e njeriut, me të mirat e të këqijat e veta, me ngjarje të vogla e të mëdha, me përvjetorë dhe ditë historike për të ardhmen e tij. Sidomos ditëlindja, ngritja për herë të parë në këmbë e njeriut, dita e parë e shkollës, dëftesa e maturës, fillimi i punës, dita e martesës, kur të mëdhenj e të vegjël këndojnë e kërcejnë për të ardhmen familjes së tij... janë të paharrueshme. Por edhe populli ka përkujtimoret e veta që i feston si ditë kombëtare apo ndërkombëtare. Ai derdhet lumë i tëri nëpër rrugët e sheshet e mëdha, për të shprehur gëzimin dhe harenë e këtyre festave, të cilat, natyrshëm lidhen me ngjarje që i kanë sjellë dhe i sjellin mbarësi e begati... Këtë e bën populli sa herë ka ngjarje të mëdha kombëtare, pa dallim feje, krahine dhe ideje, ndërsa në vendin tonë, fatkeqësisht, disa politikanë e ndajnë popullin nga këto festa me terma politikë dhe ideologjikë...
Pse ndodh kështu?
Nuk besoj që raca shqiptare, në jetë të jetëve, të ketë pasur ngjarje kaq madhore sa ajo e para ca ditëve, kur populli ynë, mbi 90% e të cilit u nder në krahët e një ngazëllimi të paparë e të paprovuar, ashtu, natyrshëm dhe në mënyrë të ligjshme, pasi e pa shtetin dhe qeverinë e tij ulur, të barabartë, midis shteteve më të fuqishme të globit tonë... E pa Shqipërinë e vet zonjë, midis zotërinjve dhe zonjave më të shquara të dheut... E pa veten më të vlerësuar e më të sigurt si asnjëherë gjatë mbijetesës së tij mijëravjeçare në këtë cep të Ballkanit... Ndaj, përsëriti herë pas here fjalët e atyre që u lindën, u plakën dhe vdiqën pa e parë të realizuar ëndrrën, për Shqipërinë e sekterrisur qindra vjet nën mëshirën e armiqve të saj të përjetshëm, për t’u bashkuar me familjen e madhe euroatlantike, erdhi nga të gjitha viset për në sheshin “Skënderbej” që të brohoriste festën historike të shekullit XXI...
Por, fatkeqësisht, disa nuk erdhën përreth “Heroit Tonë Kombëtar” në këtë kremtim, pas 500 vjetësh, në liri e të bashkuar, si në “Motin e Madh”... sepse ata ende fshihen prapa paranojës së “bukës që i rriti dhe i lavdëroi” si në vitet kur regjimi sllavo-komunist, i lidhi pas vetes me nam e lavdi, për të shtypur e skllavëruar vëllezërit e tyre të një gjuhe e të një gjaku...
Gjithkush, edhe ai më i palëkunduri ndaj së majtës shqiptare, e kuptoi dhe u zhgënjye nga sjellja dhe fjalimet e liderëve të tyre, për indiferencën e fitores historike që Shqipëria hyri në NATO, që ishin nonsens jo vetëm me njerëzit moralisht e ideologjikisht kundër influencës lindore në Shqipëri, por edhe për njerëzit me bindje dhe interesa të lidhur ngushtësisht me ta. Si, ore burrë i dheut, nuk pamë asnjë lajm e asnjë flamur kombëtar të ngritur me nota entuziaste në emisionet televizive që u përkasin njerëzve të së majtës, për ngjarjen aq madhore e historike të vendit tonë??!!!... Si nuk u nxinë qoftë edhe një herë faqet e gazetave për të thënë dy fjalë të bukura për anëtarësimin me të drejta të plota të vendit tonë në NATO?!!... Por u mbushën ekranet dhe gazetat vetëm me shpifje e lot krokodili se gjoja kjo nuk ishte fitore dhe meritë e shqiptarëve, por thjesht interesi i fuqive të mëdha për ta pasur Shqipërinë në planet e tyre gjeo-strategjike... Se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë standard për në NATO, por ishte mëshira e ndërkombëtarëve ajo që i pranoi, thonë ata, ndërkohë që këtu po vdesin pleqtë e plakat nëpër azile, njerëzit, burra, gra dhe të mitur po vrasin veten nga qeverisja e keqe e të djathtëve, se gjoja pensionistët nuk kanë lekë të paguajnë dritat dhe karta identiteti... ndërkohë që Evropa dhe Amerika i dinë më së miri punët dhe problemet e Shqipërisë dhe nuk kanë asnjë qortim lidhur me shpifjet e shpifura të socialistëve shqiptarë, përkundrazi, lavdërojnë e ofrojnë më tepër miqësi e dashamirësi. Mos vallë evropianët dhe amerikanët qenkan budallenj që u gëzohen aq shumë përparimeve të Shqipërisë dhe emancipimit të shqiptarëve? Turp! Kështu bënë socialistët edhe me Presidentin Bush, kur shpifën se gjoja në Fushë-Krujë, mikut më të madh të kombit tonë, shqiptarët i vodhën orën e dorës... Kështu e bënë edhe më 1997, kur përmbysën me dhunë qeverinë demokratike dhe e lanë Shqipërinë pa shtet, pa ligje dhe pa asnjë mbështetje ndërkombëtare, vetëm nën egërsinë e bandave të sponsorizuara nga prapavijat greke e serbe, duke realizuar, me këtë rast, një nga ëndrrat e tyre më të dashura, antishqiptarinë... Po mirë, me gjak kaq të shprishur qenkan socialistët tanë, saqë nuk ua thotë zemra të shqipërojnë qoftë edhe dy fjalë të bukura, entuziaste dhe lavdëruese për NATO, vetëm nga inati sepse, dikur, ushtritë e NATO-s bombarduan, “atin shpirtëror të baballarëve apo të gjyshërve të tyre, Serbinë”... dhe i shkëputën kosovarët, njëherë e përgjithmonë, nga dominimi i pansllavizmit antishqiptar?!!!...
Pa dyshim që të gjithë e kanë të qartë tani se me futjen në NATO influenca e Lindjes në Shqipëri mori fund, perëndoi njëherë e përgjithmonë! Ndërsa për socialistët dhe të majtët në përgjithësi, nga sa kemi parë e dëgjuar, ata nuk janë pajtuar ende me këtë realitetet të ri, me Shqipërinë që ligjërisht kaloi në bllokun perëndimor, me të drejta të plota midis fuqive të mëdha ekonomike e politike të botës, madje vazhdojnë të mendojnë si megalomanë, si dikur të parët e tyre, që e trembnin popullin shqiptar me emblemat e grisura të komunizmit e të Luftës së Dytë Botërore, emblema të shpifura që i morën me vete më 1992, me turp e pa lavdi. Për këtë, besoj, janë në një mendje sot mbi 90% e shqiptarëve. E, gjithkush çuditet se ku e gjejnë kurajon këta njerëz që ende e quajnë veten të “majtë”, kur thonë se janë forca e parë politike në Shqipëri, njerëzit me të drejtë morale më shumë se kushdo për të fituar zgjedhjet politike të këtij viti. Edhe pse kanë kaluar mbi 16 vjet nga përmbysja e komunizmit të të parëve të tyre, ata ende ndihen trashëgimtarë të denjë të asaj periudhe, që e demonstrojnë në të gjitha format e mundshme. Qoftë në mentalitet, sepse kanë të njëjta data përkujtimore, të njëjtë emra heronjsh dhe dëshmorësh, të njëjtën gazetë antidemokratike dhe antishqiptare, siç është “Zëri i popullit”, të njëjtën urrejtje dhe armiqësi me ish-të burgosurit e të internuarit antikomunistë (kujtoni daljet nga Parlamenti sa herë kërkohet që ata të dënojnë të kaluarën komuniste dhe të dëmshpërblehen viktimat e paraardhësve të tyre); ata kurrë nuk ndihen moralisht të qetë e të konkurrueshëm po të ndodhen përballë njerëzve me bindje antikomuniste apo viktimave të atij regjimi, ku prindërit e tyre apo gjyshërit dhe gjyshet e tyre kanë qenë protagonistë të ushtrimit të terrorit komunist. Ndaj edhe e kërkojnë me patjetër pushtetin dhe pasurinë, sepse është e vetmja mënyrë që të mbijetojnë, si dikur paraardhësit e tyre, me pushtet absolut mbi kundërshtarët që kërkojnë vazhdimisht, në kushte demokratike, me shtetin ligjor, të realizojnë dënimin e krimeve të komunizmit, t’u kthejnë pronarëve pasuritë e vjedhura nga regjimi diktatorialë si edhe ato gjatë tranzicionit... Është tej mase torturuese teksa shikon përpjekjet e tyre për të mos dorëzuar asnjë emblemë të së kaluarës, të cilat, falë tranzicionit të stërzgjatur, atyre u shërbyen më së miri, shto edhe ndihmën e paçmuar të shteteve që, mbi Shqipërinë, ushtruan mbi njëqind vjet ligjet e protektoratit. Edhe tashmë, këto lidhje dhe përpjekje vazhdojnë të jenë ende të fuqishme dhe po aq të rrezikshme si dikur, pa qenë anëtarë të bllokut ushtarak perëndimor. Për dy arsye: E para, sepse “të majtët” e kërkojnë me ngulm vazhdimin e mbështetjes lindore si një domosdoshmëri midis dy aleatësh strategjikë, të cilët, me dekada të tëra u shërbyen protektorëve siç deshën ata, duke e qeverisur Shqipërinë e shqiptarët pa Kosovën e Çamërinë, pa pronat e tyre të ligjshme dhe dinjitetin që të jep ekonomia e tregut, pa liri e demokraci, në një izolim total nga bota e qytetëruar dhe demokratike. E dyta, dhe më e rëndësishmja, është sepse ata hiqen aleatë edhe ndaj botës perëndimore, me disa nga shtetet e së cilës kanë pasur e kanë lidhje, pse jo, edhe bashkëpunime të fëlliqura në raste të veçanta, kundra Shqipërisë e shqiptarëve. Ata do t’i shfrytëzojnë këta dy krahët e fuqive të mëdha botërore për të ardhur edhe një herë në pushtet. Ndryshe për ata, qeverisja e demokratëve edhe për katër vjet të tjera, do të thotë që formacioni i tyre konservator dhe i pasuruar tej mase, të dobësohet e të shkojë drejtë shthurjes totale. Ata kanë mobilizuar të gjitha strukturat okulte dhe ato të njohura publikisht për të mos u ndier qoftë edhe në një rast të vetëm inferiorë ndaj sukseseve të njëpasnjëshme të mazhorancës qeverisëse. Edhe pse të çarmatosur përpara fakteve kokëforta të sukseseve të bujshme të qeverisë e të shqiptarëve në përgjithësi, si në rastin e realizimeve të mëdha në infrastrukturën rrugore, në suksesin e grumbullimeve monetare, të cilat kanë shërbyer në rritjen e rrogave e të pensioneve, në stabilizimin e energjisë elektrike, në sukseset e pamohueshme të politikës së jashtme, në sukseset për përmbysjen e disa nga akuzat penale të bujshme të opozitës dhe deri në suksesin e fundit të futjes së Shqipërisë në NATO, përsëri ata kanë forcë morale t’i përgënjeshtrojnë këto suksese, edhe pse me një paraqitje qesharake e dëshpëruese para ballafaqimeve publike. Por kujdes, ata do të kërkojnë të vijnë në pushtet, ndoshta edhe më poshtërsisht se si vepruan më 1997... Shqiptarë, jini vigjilentë!