Avokati i Popullit dhe SHKB-ja hetojne për vdekjen e foshnjës
LAÇ - Përfaqësues të Avokatit të Popullit, por edhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, kanë vazhduar mbledhjen e të dhënave për të zbardhur të vërtetat e vdekjes së vajzës 2.5 muajshe në fshatin Fushë – Mamurras të Rrethit të Kurbinit. Dje, shefi i Komisariatit të Kurbinit, Njazi Shuli, ka deklaruar: “Dalina Bushati ka ardhur së bashku me bashkëshortin e saj, Besnikun, në orën 9 të mëngjesit në polici, ku ka qëndruar deri në orën 10. 30. Ajo ka ardhur me dëshirën e saj, pasi ne si institucion kishim kërkuar vetëm bashkëshortin, Besnikun, për një konflikt që kishte patur daja i tij me fqinjët”, - tha Shuli. “Ne i kemi kërkuar Dalinës që të ikte në shtëpi, por ajo nuk ka pranuar dhe ka dëshmuar edhe ajo në polici me dëshirën e saj”, - ka vijuar shefi i komisariatit, duke hedhur poshtë pretendimet që ngre familja Bushati. Të ndryshme kanë qenë deklaratat e bëra nga Drejtoria e Policisë së Lezhës dhe shefi i krimeve në policinë e Kurbinit, Martin Dona. Po ashtu, këto deklarata kanë mospërputhje me qëndrimin publik të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë përsa i përket motiveve që sollën marrjen në pyetje të Dalina Bushatit.
Burimet në Spitalin e Mamurrasit kanë bërë të ditur se fëmija ka gjetur vdekjen nga hipertensioni, i shkaktuar nga mungesa e ushqimit dhe kequshqyerja që në lindje.
Tashmë çështja i ka kaluar Prokurorisë së Kurbinit, e cila paralelisht po merr pretendimet e familjes Bushati dhe të dhënat e policisë në lidhje me shoqërimin e çifitit. Po dje reagoi edhe kryetari i Bashkisë së Mamurrasit, Dedë Ndreca, i cili, pasi ka ngushëlluar familjen, ka premtuar ndihma për rindërtimin e banesës. “Brenda muajit do të bëj të mundur sistemimin në punë të kryefamiljarit Besnik Bushati”, - tha Ndreca.
11 Shkurt 2008