Policia, 8 mijë gjoba për shoferët që shkelën rregullat e qarkullimit rrugor
TIRANË – Policia e Qarkullimit Rrugor në Tiranë ka vendosur mbi 8 mijë gjoba për drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Shërbimet e Policisë së Qarkullimit Rrugor në Tiranë kanë intensifikuar kontrollet për disiplinimin e përdoruesve të rrugës, duke marrë masa ndaj drejtuesve të mjeteve që nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Sipas burimeve zyrtare, masa konkrete janë marrë për zbatimin e ndryshimeve të bëra në Kodin Rrugor me Ligjin Nr. 9808, datë 24.09.2007. Drejtuesit e mjeteve me motor gjatë gjithë kohës së lëvizjes në autostradë dhe rrugë interurbane janë të detyruar të përdorin fenerët joverbues. Për moszbatim të kësaj norme, gjatë 8 ditëve të fundit janë vendosur 622 masa administrative, ndërsa për mosvendosjen e rripave të sigurimit janë vendosur 2579 masa administrative. Drejtuesit e çiklomotorëve dhe të motomjeteve gjatë gjithë kohës së lëvizjes, në të gjitha llojet e rrugëve, janë të detyruar të përdorin fenerët joverbues dhe kaska mbrojtëse. Për moszbatim të kësaj norme janë vendosur rreth 226 masa administrative. Për ecje me shpejtësi tej normave të lejuara, përdorim të pijeve alkoolike, shkelje të sinjalistikës rrugore, parkime të gabuara, gjatë këtyre ditëve janë vendosur 5250 masa administrative. Shërbimet e Policisë Rrugore në Tiranë, të mbështetura dhe nga shërbimet e Policisë së Rendit, si në qytet ashtu edhe në rrugët nacionale e rurale, vazhdojnë punën me efikasitet të plotë për normalizimin e trafikut, konstatimin dhe ndëshkimin e kundravajtjeve administrative, që bëhen shkak për ndodhjen e aksidenteve rrugore, me synim uljen dhe parandalimin e tyre. Shërbimet e Policisë Rrugore Tiranë shohin si domosdoshmëri mirëkuptimin dhe mbështetjen e opinionit publik duke ftuar të gjithë përdoruesit e rrugës në ndërgjegjësimin për të zbatuar me korrektësi normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit dhe rregullat e legjislacionit rrugor, të përcaktuara në Kodin Rrugor.
11 Shkurt 2008