Identifikohet autori i grabitjes së agjencisë turistike
TIRANË - Një agjenci turistike udhëtimi është grabitur me dhunë mbrëmjen e kaluar në Tiranë, ndërkohë që policia ka bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të saj dhe po punon për kapjen e tij. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bënë të ditur se ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes në bulevardin “Zogu i Parë”, kur një person, i cili mendohet se ishte i armatosur, ka rrëmbyer me dhunë një sasi të konsiderueshme parash në një agjenci turistike udhëtimi. Sapo janë njoftuar për grabitjen, në vendin e ngjarjes shkuan menjëherë forcat e policisë, të cilat kryen veprimet e para procedurale duke nisur kështu hetimet për dokumentimin ligjor të saj. Grupi hetimor, mbi bazën e dëshmive dhe materialeve hetimore të administruara në vendin e ngjarjes, bëri të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të kësaj grabitjeje, - thanë burimet policore, duke mos preferuar të bëjnë publik identitetin e të dyshuarit si autor i grabitjes për shkak të sekretit hetimor. Burimet zyrtare konfirmuan se agjentët e policisë kriminale po punojnë për kapjen e të dyshuarit si autor i kësaj grabitjeje.
11 Shkurt 2008