Helmi për parazitët, vdes 14-vjeçarja dhe në gjendje të rëndë motra e saj
LIBRAZHD – Kanë përdorur një substancë të fortë helmuese për të hequr parazitët në kokë, por një gjë e tillë ka shkaktuar një bilanc tragjik: një 14-vjeçare gjeti vdekjen të shtunën ndërsa motra e saj, dy vjet më e madhe, për të njëjtat shkaqe ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Burime zyrtare të policisë thanë se ngjarja e rëndë ndodhi në familjen Troshku, me banim në fshatin Nesha, të komunës Lunik në rrethin e Librazhdit, kur dy vajzat adoleshente të familjes, M. dhe S. Troshku, përkatësisht 14 dhe 16 vjeç, kanë përdorur një lloj helmi të fortë për të pastruar parazitët në kokë. Të njëjtat burime thanë se ngjarja u regjistrua rreth mesnatës së kaluar dhe dy motrat u gjetën në gjendje të rëndë nga familjarët e tyre, të cilët i dërguan ato menjëherë në Spitalin e Librazhdit. Megjithëse 14-vjeçarja iu nënshtrua terapisë intensive, ajo ndërroi jetë paraditen e djeshme, ndërsa motra e saj u dërgua me urgjencë në Spitalin e Tiranës. Një grup hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje si dhe për të përcaktuar llojin e helmit të përdorur nga dy vajzat e mitura.
11 Shkurt 2008