Luftë në burgun e Peqinit, Agim Pepa përleshet me Artan Farukun
PEQIN – Të burgosurit “VIP-a” përplasen sërish nëpër qeli, ku kësaj radhe protagonistë kanë qenë “I forti i Mirditës” Agim Pepa dhe Artan Faruku. Drejtori i Burgut të Sigurisë së Lartë në Peqin, Shkëlqim Kalemi, shpjegoi dje të vërtetën për incidentin që u regjistrua në mjediset e këtij burgu mes dy të dënuarve me burgim të përjetshëm. Drejtori Kalemi tha se “ishte një grindje me fjalë në fushën e ajrosjes mes dy të dënuarve, Agim Pepa dhe Artan Faruku”. Sipas tij, grindja mes tyre ka lindur pas ndarjes së sektorëve. “Agim Pepa nuk u përfshi nga kjo ndarje, ndërsa Faruku kaloi në një sektor tjetër, gjë që krijoi debate mes tyre”, - vijoi drejtori i burgut. Pas këtij debati, sqaroi z. Kalemi, urdhërova policinë e burgut që të transportonte në dhomën e tij të dënuarin Agim Pepa, ndërsa Faruku u la në ajrosje deri në përfundim të orarit. “Gjatë këtij debati me fjalë në fushën e ajrosjes ndodheshin rreth 50 të dënuar dhe asnjëri nga ata nuk ndërhyri. Pas ndërhyrjes së gardianëve, situata u normalizua në mjediset e burgut.
11 Shkurt 2008