Vdes minatori, e zuri masivi i mineralit të kromit gjatë punës
Njazi Alliu vdes aksidentalisht në minierën e Bulqizës në frontin ku dy muaj më parë u aksidentua Sami Doga. Një vit më parë vdiq në minierë i vëllai. Reagimi: Punoi në një front ku nuk lejohej
BULQIZË - Një ngjarje e rëndë tragjike ka ndodhur në orët e mesditës së djeshme në minierën e Bulqizës, ku një tjetër minator ka humbur jetën. Sipas burimeve zyrtare në Bulqizë, shtetasi Njazi Alliu, nga Fushë-Bulqiza, ka gjetur vdekjen teksa punonte në nivelin 16-të të pusit Nr.2. Sipas burimeve të policisë vendore, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes ku ka kryer ekspertizën, 50-vjeçari ka rrëshqitur nga furneli së bashku me mineralin, duke rënë në trimozhë, rreth 16 metra thellësi dhe menjëherë trupi i tij është mbuluar tërësisht me një masë të madhe materiali kromi. Nga dëshmitë në vendngjarje mësohet se kromi i ka thërrmuar të gjithë trupin. Duke iu referuar dëshmive të dhëna në vendngjarje, kolegët e punës janë përpjekur t’i japin ndihmën e shpejtë, por gjithçka ka qenë e kotë. “Vrapuam dhe e nxorrëm nga gurët Njaziun, por fatkeqësisht pa asnjë shenjë jete, pasi ai kishte vdekur shumë shpejt pas mbulimit nga masivi i mineralit”, - tha njëri nga minatorët e ndodhur në vendngjarje. Trupi i pajetë i të ndjerit është dërguar në Morgun e Spitalit të Bulqizës, ku është bërë ekspertiza mjeko-ligjore, në bazë të së cilës grupi i ekspertëve ligjorë do të nxjerrë shkaqet e vërteta të kësaj ngjarjeje të rëndë. Vdekja e 50-vjeçarit Njazi Alliu bëhet edhe më tragjike dhe shumë e dhimbshme po të kemi parasysh se vetëm para më shumë se një viti ka gjetur vdekjen aksidentalisht, po në këto fronte pune, edhe vëllai i tij, Besnik Alliu.
I pyetur për këtë problem, drejtori i minierës, Petrit Duva, tha se i ndjeri është aksidentuar në një front ku nuk kishte urdhër pune nga personeli inxhiniero-teknik i kësaj miniere. Gjithsesi, do të jetë ekspertiza ligjore ajo që do të zbardhë shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë, duke nxjerrë edhe përgjegjësit e saj”. Mësohet se Njazi Balliu në momentin e aksidentit ishte duke punuar në nivelin e 16-të të minierës, pikërisht në vendin ku në muajin dhjetor gjeti vdekjen kolegu i tij Sami Doga, 43 vjeç. Ai është një ndër tetë viktimat që numëron kjo minierë përgjatë vitit 2007 dhe në fillim të vitit 2008. Viktima ishte njëri ndër anëtarët e Sindikatës së Minatorëve të Bulqizës, e cila ka protestuar për përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave nga kompania koncesionare ruso-austriake. Megjithë kërkesat e bëra dhe me presionin që ka ushtruar Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës, sërish nuk është bërë e mundur që të ulen aksidentet në minierën e Bulqizës.
Rama, ngushëllime për familjen e minatorit
TIRANË - Gjatë fjalës së tij në Debatin për Mirëqeverisjen Vendore, kryetari i Partisë Socialiste i ka shprehur ngushëllimet familjes së minatorit Njazi Alliu, i cili humbi jetën dje aksidentalisht në minierën e Bulqizës. “Përpara 30 minutash, në Bulqizë, ka vdekur një minator tjetër, pasi është shembur galeria. Shpella e vdekjes vazhdon në mënyrë sistematike të marrë jetë njerëzish, të lërë fëmijë jetimë, të lërë nëna të veja, sigurisht, pa asnjë mbështetje tjetër serioze financiare dhe pa asnjë garanci për të ardhmen e fëmijëve", - tha Rama. Ai shprehu solidaritetin ndaj shtresës së minatorëve, duke deklaruar: “Është e paperceptueshme që komunitetet që jetojnë aty ku gjenden këto pasuri, me të cilat bëhet biznes shumë fitimprurës, të mos kenë asnjë të drejtë mbi ato pasuri".
LSI-ja: Qeveria të ndërhyjë për vdekjet në miniera
TIRANË - Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Panariti, ka reaguar pas aksidentit të rëndë të radhës në minierën e Bulqizës, ku dje humbi jetën një tjetër minator. Panariti i shprehu në emër të LSI-së ngushëllimet familjes së viktimës, teksa kërkoi nga qeveria të ndërhyjë menjëherë, pasi me indiferencën e saj po lejon shtimin e viktimave në minierat shqiptare. “Në radhë të parë, në emër të LSI-së i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së minatorit Njazi Alliu. Ky është i teti minator që humb jetën si rrjedhojë e kushteve të pasigurta të punës, duke e shndërruar këtë në një fenomen që rrezikon të përsëritet edhe në të ardhmen. Ne i kërkojmë qeverisë të tregohet e përgjegjshme dhe të marrë masa të menjëhershme për të ndalur kalvarin e viktimave në minierat shqiptare”, - tha Panariti.
11 Shkurt 2008