Qëllon me thikë në zemër kushëririn për pronën
SHKODËR – Një tjetër vrasje për motive pronësie ndodhi dje në rrethin e Shkodrës, ku pretendimet për posedim të një sasie toke kanë përfunduar me gjakderdhje. Shtetasi Zyhdi Hasani, banor në fshatin Grudë Fushë në rrethin verior, ka mbetur i vdekur si pasojë e goditjes me thikë në zemër nga kushëriri i tij Qamil Hasani. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se konflikti mes të afërmve ndodhi për motive pronësie. 53-vjeçari u godit për vdekje me thikë dje pas mesdite dhe ndërroi jetë pak minuta pasi mbërriti në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Sipas mjekëve, ai kishte marrë një plagë në zemër. Të njëjtat burime thanë se nga hetimet e deritanishme rezulton se 53-vjeçari është goditur me thikë nga një kushëri i tij, me të cilin ai ishte prej kohësh në konflikt për çështje pronësie. Burime zyrtare të policisë lokale thanë se “Qamil Hasani ra në pranga dy orë pas kryerjes së krimit. Të njëjtat burime shtuan se policia sekuestroi dhe armën e ftohtë, thikë, me të cilën ai kreu vrasjen. Nga hetimet e deritanishme të policisë rezulton se motiv i kësaj ngjarjeje është pronësia. Policia tha se me arrestimin e autorit pritet zbardhja e plotë e rrethanave të kësaj vrasjeje.
11 Shkurt 2008