Ekzploziv tregtarit të rrobave
Persona të panjohur kanë hedhur në banesën e Arjan Vehipit,....................................... fqinj i ish- biznesmenit të njohur Koço Dado fati i të cilit ende nuk dihet
Dyshimet e policisë janë drejtuar në pistat e një ngatërrese, presion që lidhet me dëshminë e një vrasjeje dhe konflikti pronash
TIRANE- Eksploziv në mbrëmje tregtarit të veshjeve në kryeqytet, Arjan Vehipi, pronar i një dyqani rrobash në rrugën e Kavajës. Policia nis hetimin ndërsa ende nuk dihen motivet e mundshme të ngjarjes.
Dyshimet e policisë lidhen me një ngatërresë të mundshme të objektit të eksplozivit, pasi shtëpia e tregtarit ndodhet fare pranë me shtëpinë e "braktisur" të ish- biznesmenit Koço Dado, i rrëmbyer në vitin 1999, nga njerëz të panjohur.
Versioni tjetër i policisë lidhet me një dëshmi të mundshme të personave në rastin e vrasjes së Fatjon Naxhakut 4 vite të shkuara në këtë rrugicë. Edhe në këtë rast policia ka mbetur në kuadër verifikimi pasi, sipas tyre, personat e pyetur në polici kanë dhënë dëshmi anësore në deklarimet e tyre.
Pista e tretë e hetimit, është ajo e një përplasjeje për motive pronësie, pasi tregtari Vehipi, është në proces gjyqësor me familjen e djalit të xhaxhait të tij, efektiv i SHISH-it. Kjo pistë, sipas hetuesve, ka rënë paraprakisht poshtë pasi palët kanë deklaruar se konflikti mes tyre nuk ka pasur asnjëherë natyrë përplasjeje dhe gjithçka pritet të zgjidhet në gjykatë.
Shpërthimi
Autorët e kanë hedhur lëndën plasëse rreth 50 gramë në oborrin e shtëpisë së tij,................................. duke shkaktuar panik në familjen e tregtarit por dhe në zonën në rrugën "Qemal Stafa".
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e të mërkurës rreth orës 22:30, kur persona ende të paidentifikuar, kanë hedhur në pjesën e oborrit të familjes së Arjan Vehipit, një sasi lënde që ka shpërthyer pranë portës së shtëpisë së tij, në vendin ku edhe ishte parkuar automjeti.
Shpërthimi në një distancë prej rreth 100 metrash mbi "Shkollën e Kuqe", në të djathtë ka shkaktuar dëme të lehta në automjetin e tregtarit 50- vjeçar, si dhe të portës së hekurt të rrethimit të shtëpisë së tij. Zhurma e krijuar nga eksplozivi, ka shkaktuar panik në zonën për rreth.
Pavarësisht saj, fillimisht ka qenë e vështirë të identifikohej vendi i shpërthimit ndërsa pas pak minutash është kuptuar vendi i saktë i tij. Policia ka mbërritur aty disa minuta më vonë, pasi ka qenë jo pak problem orientimi i saj për të zbuluar vendin e ngjarjes.
Aty kanë mbërritur krerë të lartë të policisë të cilët kanë drejtuar hetimin e ngjarjes që është marrë në dorë nga zyra e hetimit të Shkatërrimit të Pronës.
Dyshimet e hetuesve të policisë në lidhje me shpërthimin kanë mbetur në "eter", pasi vetë i dëmtuari ka pohuar se nuk kishte pasur konflikte, përplasje apo probleme të tjera. Dyshimet e policisë janë drejtuar mbi një pistë që lidhet me ndonjë kërkesë për zhvatje ndaj tregtarit të vogël.
Hetimi
Ekspertët, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, kanë konstatuar se shpërthimi ka ndodhur në pjesën qendrore të portës së hekurit të vilës dykatëshe të tregtarit Vehipi, duke dëmtuar pjesërisht mjetin e tij të markës "Volskwagen" PASSAT ngjyrë gri, si dhe portën e hekurit. Sipas ekspertëve, është hapur edhe një gropë e vogël në pjesën e bagazhit të mjetit dhe portës së vilës.
Një dëmtim i tillë sipas ekspertëve xhenierë të policies, mund të shkaktohet nga një sasi eksplozivi prej më pak se 50 gramësh. Për fatin e mire, dëmet kanë qenë fare minimale, por paniku i shkaktuar në familjen e tregtarit të vogël si dhe në zonën për rreth ka qenë jo i paktë.
Tregtari ka ngritur supet kur është pyetur nga hetuesit e zyrës së Shkatërrimit të Pronës, se çfarë konfliktesh ka pasur ai.
Ndërkaq për "Shekullin" se ai nuk ka pasur ndonjë konflikt apo përplasje me ndonjë person për probleme të ndryshme. "Mbrëmë isha duke pushuar në shtëpi pasi isha kthyer nga dyqani.
Pjesa tjetër e familjes po shikonte televizor, kur dëgjuam një shpërthim që tronditi shtëpinë". Sipas tij, fillimisht nuk po e kuptonte se ku kishte ndodhur shpërthimi.
Policia pasi ka marrë dëshminë e tregtarit, ka shoqëruar gjithashtu dhe ka pyetur në ambientet e saj edhe disa banorë të lagjes ndërsa janë shoqëruar disa persona. Nga pyetje e tyre, policia nuk ka mundur të zbulojë autorësinë e mundshme të krimit, ndërsa kanë vijuar verifikimet dhe kontrollet e mundshme. Hetuesit pohojnë se nuk kanë mundur të zbulojnë të dhëna konkrete pasi edhe vetë i dëmtuari nuk ka paraqitur pretendime.
Policia arreston një person dhe shpall në kërkim poseduesin kryesor të lëndës narkotike
TIRANE- Kapet me gjysmë kile heroinë, arrestohet menaxheri i një lokali në kryeqytet shpallet në kërkim një person tjetër si bashkëpunëtor i dyshuar i të arrestuarit.
Kreshnik Halilaj, 27 vjeç, banues në Tiranë, është arrestuar dy ditë më parë nga oficerët e zyrës së antidrogës me akuzën prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, gjatë operacionit të koduar qarku i mbyllur.
Policia sekuestron mallin me një vlerë prej rreth afërsisht 7 milionë lekë të vjetra, një peshore elektronike si dhe sende të tjera. Fillimisht, një sasi e vogël e mallit është kapur nga oficerët në rrugën "Tahsim Shehu", ku është ndaluar 27- vjeçari Halilaj. Sipas burimeve të policies, fillimisht Halilaj me vete kishte një sasi prej 184 gram heroinë të cilën e mbante me vete.
Sipas policies, pluhuri i bardhë i mbështjellë në qese natribani ishte gjetur nga hetuesit në trup të të riut. Më pas, oficerët dhe hetuesit e Antidrogës, kanë mbërritur në banesën e Halilajt dhe të bashkëpunëtorit të tij ku dhe kanë gjetur një sasi tjetër prej rreth 412 gramë heroinë, duke e çuar sasinë e lëndës narkotike të bllokuar në rreth 600 gramë.
Ndërkaq, gjatë kontrollit në banesë, veç sasisë së drogës që është bllokuar, policia ka gjetur një peshore elektronike të markës "Xhonson", si dhe sende të tjera që sipas policisë hedhin dritë mbi një rrjet të mundshëm të trafikut të drogës.
Krerë të policisë së Tiranës, pohuan mbrëmë se grupi i mësipërm i goditur dje është mbjatur nën hetim me një proces hetimor prej më tepër se tri javësh.
Ndaj tyre, sipas burimeve të policisë, janë siguruar prova dëshmi që i implikojnë ata në një rrjet të shitjes shpërndarjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Oficerët e policisë kanë kryer gjithashtu dje disa kontrolle banesash dhe verifikime të tjera me qëllim arrestimin dhe ndalimin e bashkëpunëtorit tjetër në këtë rrjet të trafikut të drogës.