E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati i Popullit "fut në sherr" Topin me Alibeajn për të drejtën e informimit dhe pronat

Topi: E drejta e pronës si në komunizëm, qytetarët nuk informohen nga zyrtarët burokratë
Çështja e informimit publik dhe ajo e pronave, është kthyer në temë replike mes Presidentit Topi dhe ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, gjatë një aktiviteti të organizuar nga Avokati i Popullit për të drejtën e informimit. Akuzat nga presidenti vazhdojnë të thellojnë hendekun midis kreut të shtetit dhe mazhorancës të drejtuar nga Sali Berisha. Akuzat e djeshme të presidentit Topi në drejtim të ekzekutivit për tjetërsim të pronave dhe mungesë të informacionit janë një tjetër pistë në luftën e tij ndaj qeverisë Berisha. Presidenti Topi vazhdon të sulmojë ish kryetarin e partisë së tij, duke vënë në përdorim pushtetin gjyqësor ku nëpërmjet akuzave të prokurorisë ka krijuar një luftë të ashpër me kryeministrin e vendit. Tashmë lufta midis presidencës  dhe kryeministrisë duket se po kthehet në një luftë midis opozitës dhe mazhorancës, ku  në një krah  bën pjesë Presidenti Topi, opozita dhe  një grup ambasadorësh dhe  në krahun tjetër Mazhoranca me Sali Berishën në krye.
Kreu i shtetit, Bamir Topi në fjalën e tij u shpreh se atë që nuk e bën administrata publike, e bën media, por Alibeaj cilësoi se kjo e drejtë informimi tejkalohet. Presidenti i Republikës, Bamir Topi apelon për çështjen e mungesës së transparencës lidhur me të dhënat mbi pronat ndaj qytetarëve. Duke iu referuar të kaluarës komuniste, gjatë të cilës e drejta për informim ishte e censuruar, presidenti Topi ka paraqitur një situatë të ditëve të sotme, ku sipas tij qytetarët vazhdojnë të ankohen për mungesën e transparencës. Ne trashëgojmë një mentalitet nga i cili tentojmë të largohemi me shpejtësi nga periudha e izolimit komunist, ku gjithçka ishte e censuruar, informacioni ishte i kontrolluar dhe e drejta për tu informuar ishte privilegj i një grupi të caktuar personash, i një grupi të vogël njerëzisht tha Topi. Presidenti iu referua drejtpërdrejt çështjes së pronave, ku sipas tij ka shumë zyrtarë burokratë që i sorollatin qytetarët nëpër dyert e regjistrimit të pronave dhe nuk kanë akses në institucionet publike, kurse mediat e kanë këtë akses. Në mjaft raste, qytetarët janë të painformuar, nuk gjejnë aksesin e duhur për tu informuar, shpeshherë këto veprime administrative edhe nga punonjës të rëndomtë të administratës bëhen në konspiracion pikërisht për të realizuar qëllime të errëta të tjetërsimit të pronës, dhe në mjaft raste ky debat zhvillohet në media. Pra, është më i pranishëm në media pikërisht për shkak të mungesës së plotë të transparencës për marrjen e informacionit, prandaj duhet të ndryshojë situata për informimin e qytetarëve mbi to, apeloi kreu i shtetit për këtë çështje. Në fjalën e tij, të mbajtur gjatë këtij seminari ndërkombëtar zhvilluar nga Avokati i Popullit, presidenti Topi përmendi faktin se e drejta për informim është më tepër pjesë e fjalorit, sesa e përdorimit. Ne kemi mjaft të dhëna që e drejta për informim, më shumë është pjesë e një fjalori, që përdoret që secili ka të drejtën të informohet, por nga ana tjetër, kemi mjaft ankesa nga qytetarë të thjeshtë. Ato vijnë edhe në Institucionin e Presidentit padyshim, por jam i bindur që shumë shkojnë edhe në Institucionin e Avokatit të Popullit, vijoji presidenti Topi, i cili shtoi si të rëndësishëm krijimin e një hapësire të duhur për të drejtën e informimit të publikut të thjeshtë. Mendoj që është një detyrim dhe aspak një e drejtë, e cila mund të dyzohet: një informacion mund të jepet ose mund të mos jepet. Pra, është një e drejtë ekskluzive dhe e rëndësishme është që transparenca shpeshherë, transparenca në kohën e duhur, heq të gjitha mundësitë për tu futur në debatin kaotik, theksoi presidenti. Por, këto deklarata të Presidentit të Republikës janë kundërshtuar nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili nuk shpreh probleme në marrjen e informacionit nga publiku, jo vetëm në çështjen e pronave, por edhe fusha të tjera. Sipas tij, nuk është e vërtetë se zyrat pengojnë dhënien e informacionit për qytetarët. Sot për sot nuk ka në administratën publike asnjë lloj pengese për marrjen e informacionit. Sot nuk ka mekanizma për të përcaktuar me ligj, në urdhra dhe rregullore për lehtësimin e marrjes së informacionit, u shpreh Alibeaj. Por, gjatë takimit, ku të pranishëm ishin edhe homologët grekë të 13 vendeve të Evropës, të Avokatit të Popullit nuk kanë munguar edhe referencat për çështjen Pango. Avokati i Popullit, pritës i takimit ndërkombëtar, vlerësoi rolin që ka media për të denoncuar fenomenet e korrupsionit, konfliktit të interesave dhe veprimeve të tjera të pamoralshme, të zyrtareve publike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›