Prifti: Privatizimi i OSSH, Qeveria favorizon kompaninë çeke
Lëvizja Socialiste për Integrim ka shprehur qëndrimin e saj absolut kundër privatizimit të OSSH, duke e shitur tek kompania çeke. Në një deklaratë është bërë e ditur që OSSH ka një borxh prej 50 milionë dollarë dhe që do të kalohet në fondin financiar të KESH, duke e stimuluar kompaninë çeke. Qëndrimin kundër të LSI, e shprehu nënkryetari i saj, Dritan Prifti.
Sipas tij, OSSH po shitet me një vlerë minimale, me një vlerë qesharake dhe çmimi real duket edhe nga uljet, heqjet e borxheve apo rritjet e aseteve që janë bërë nga Qeveria ditët e fundit. Ky çmim real duket që është rreth 70 milionë euro për një ndërmarrje që ka një vlerë tregu, të paktën 1 miliard euro, u shpreh Prifti. Sipas nënkryetarit Prifti, vendimi i fundit i Qeverisë, për ti hequr një pjesë të borxheve OSSH, për tia kaluar KESH, do të thotë që kanë ndryshuar kushtet e tenderit, do të thotë që kjo kompani është favorizuar, duke diskriminuar kompanitë e tjera, të cilat kanë shprehur interesin që në fillim për këtë tender. Nëse edhe kompanitë e tjera, u shpreh ai do ta dinin, që do të hiqej një pjesë e borxheve Korporatës, edhe ato mund të kishin dhënë një vlerë më të lartë. Prifti theksoi se ndryshimi i kushteve të tenderit është totalisht i papranueshëm për ligjet e shtetit shqiptar. Kjo bëhet tani, nuk besoj se bëhet për interesa të tjera, përveçse për interesa të jashtëligjshme, për interesa korruptive, për interesa abuzive 3 muaj para zgjedhjeve, u shpreh Prifti. I pyetur nga gazetarët se duken normale investimet e kryera gjatë kohëve të fundit në OSSH, kur ndërmarrja ishte në prag të privatizimit, Prifti u shpreh se nuk është aspak normale, sepse vazhdimi i investimeve do të thotë që ti i rrit asetet asaj kompanie, të cilën e ke në proces privatizimi. Sipas tij, kjo është ti japësh para atyre që po e blejnë, të vazhdosh të japësh para nga paratë e taksapaguesve shqiptare dhe nuk është aspak normale vazhdimi i investimeve ashtu siç ka vazhduar atje. Sipas Priftit, njerëzit që drejtojnë atë ndërmarrje do të vazhdojnë të bëjnë tendera, do të vazhdojnë të vjedhin, do të vazhdojnë të abuzojnë dhe ne të vetmen mënyrë për ti ndaluar kemi 28 Qershorin, duke i larguar nga pushteti dhe duke i hetuar këta abuzime.