Uli avionin pa leje, 600 mijë lekë gjobë pilotit italian
TIRANË- Gjykata Shkallës së Parë në kryeqytet, në aplikim të gjykimit të shkurtuar deklaroi fajtor shtetasin italian Antonio Lubrano, për uljen pa leje të avionit të tij sportiv në pistën e aeroportit "Nënë Tereza" në Rinas, duke e dënuar vetëm me gjobë prej 600 mijë lekësh.
Ky vendim u dha pasditen e djeshme nga gjyqtarja Fatmira Hajdari, e cila pranoi kërkesën e prokurorisë për dënimin e të pandehurit italian vetëm me gjobë. Sipas gjykatës, i pandehuri që është hetuar e gjykuar në gjendje të lirë për uljen e aeroplanit sportiv pa leje në aeroportin e Rinasit ka kryer veprën penale të "shkeljes së rregullave mbi fluturimet".
Prokurori i çështjes në leximin e konkluzioneve përfundimtare kërkoi dënimin e tij me 900 mijë lekë të reja gjobë, por, në aplikim të gjykimit të shkurtuar atij i ulet 1\3 e dënimit dhe përfundimisht u kërkua të dënohet me 600 mijë lekë gjobë.
Avokati mbrojtës i të pandehurit Antonio Lubrano pretendoi për pafajësinë e klientit të tij, për shkak se ishte i detyruar të ateronte në pistë për shkak të defekteve që kishte pësuar aeroplani i tij personal që hyn në kategorinë "ultra leggere aero" (aeroplanave super të lehtë).
Me 4 gusht të vitit 2008, një mjet fluturues i lehtë, bëri ulje të detyruar në pistën e aeroportit të Rinasit pa marrë leje nga autoritetet vendase. Kjo ulje, alarmoi policinë, duke dyshuar për ndonjë akt terrorist, por, pas zbritjes së pilotit Antonio Lubrano është konfirmuar se aeroplani i tij sportiv kishte pësuar defekt rrugës nga Italia për në Greqi dhe ishte detyruar të ulej pa ditur frekuencat e kullës së vrojtimit.
Prençi: largim policëve që bëjnë fushatë
TIRANE- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, ka parlajmëruar vartësit e tij, të mos bëhen pjesë e fushatës zgjedhore, si dhe të mos përzihen gjatë procesit zgjedhor nëse një veprim tillë nuk do t'iu kërkohet. Këtë deklarim, kryepolici e ka bërë gjatë një takimi që ka pasur me krerët e Policisë së Jugut të vendit, si drejtorë, shefa komisariatesh e shefa të Policisë së Rendit.
Prençi pohoi se efektivët që do të përfshihen në fushatë, do të largohen nga Policia. Ndërkaq pritet që gjatë javës së ardhshme të nisin trajnimet mbi efektivët e Policisë që do të marrin pjesë në ruajtjen dhe sigurimin e rendit gjatë fushatës zgjedhore si dhe të procesit zgjedhor, sipas detyrave të përcaktuara në Kod.
Siaps Prençit, veprimet e punonjësve të policisë dhe strukturave përkatëse do të jenë të monitoruara, për të shmangur edhe përfshirjen e punonjësve të Policisë në fushatë, apo në proces. Kryepolici Prençi, kritikoi një pjesë të vartësve të tij, për atë që ai e quajti rritje të kriminaitetit, në drejtim të krimeve kundër pronës e sidomos kur këto krime kryhen nga të mitur.
Në fund Drejtori i Përgjithshëm kërkoi mbajtjen e monitorimin e zonave në të cilat mbillet kanabisi, ndërsa ka premtuar se në çdo rast RENEA dhe FNSH-të, do të ishin të gatshëm për të ndërhyrë.