Mediu favorizoi Balliun në Gërdec
TIRANË- Ish-Ministri i Mbrojtjes, i pandehuri Fatmir Mediu dhe gjeneralët e Komandës së Forcave të Bashkuara, kanë favorizuar kompaninë "Trans Diggining Consturction" sh.p.k, me pronar të pandehurin Mihal Delijorgji dhe vajzën e pronarit të shtëpisë botuese dhe gazetës "55", i njohur ndryshe si "këshilltar" i kryeministrit, për ndërtimin e fabrikës së Gërdecit.
Fakti pohohet nga zyra e shtypit pranë kryeprokurores Ina Rama, e cila pasditen e djeshme, me anë të një njoftimi për mediat, ka sqaruar pozicionin e institucionit të akuzës gjatë fazës hetimore në lidhje me firmën ndërtuese të fabrikës së "ferrit" në Gërdec, që si pasojë e shpërthimit vdiqën 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosën.
"Prokuroria Përgjithshme, ka hetuar, analizuar dhe ngritur akuzë në gjykatë për çdo fakt kriminal që ka evidentuar se ka lidhje me ngjarjen e 15 marsit 2008.
Kështu, për sa bëhet fjalë në media, Prokuroria ka ngritur akuzë në gjykatë në ngarkim të ish-zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe civilë, të cilët në shkelje të ligjit dhe në mospërmbushje të detyrës kanë urdhëruar lejimin e subjekteve private, të prishin objekte në inventarin e pronës në Gërdec, të kryenin punime për ndërtimin e strukturës së përkohshme industriale dhe të administronin këtë pronë,- thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme.
Sipas këtyre burimeve, drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes që në këtë rast ka qenë ish-ministri Mediu dhe Komandanti i Forcës së Bashkuar, gjeneral-brigade Shpëtim Spahiu, kanë favorizuar kompaninë private të Delijorgjit dhe Balliut, duke e lejuar atë të kryejë punime vetëm në bazë të urdhrit gojor dhe pas asnjë kontratë apo urdhër të shkruar.
Ky fakt u botua një ditë më parë në gazetën "Shekulli", ku konfirmohet se gjeneral brigade Astrit Jaupi, në shkresën me numër protokolli 1217 që mban datën 11 qershor 2007, njofton ish-Komandantin e Forcës së Bashkuar, Gjeneral Shpëtim Spahiun, për fillimin e punimeve të një firme private që nga 28 prilli i 2007-së në ish-repartin e tankeve në Gërdec.
Në këtë shkresë, gjeneral Jaupi i kërkon gjeneral Spahiut të pajisë me një urdhër apo shkresë zyrtare firmën ndërtuese, pasi po kryente punime dhe po shkatërronte objektet e këtij reparti pa asnjë urdhër. "Siç jeni në dijeni, me datë 28 prill 2007 ka filluar punën firma private "Trans Diggining Consturction" sh.p.k.
Ju lutem dërgoni shkresën zyrtare për këtë problem"-thuhet në shkresën dërguar Gjeneral Spahiut, nga Jaupi. Gjithashtu, zyra e kryeprokurores Rama sqaron opinionin publik se Prokuroria e Përgjithshme në ndjekjen penale të kësaj dosjeje, ka realizuar një procedim të drejtë, të barabartë dhe të rregullt ligjor, duke angazhuar kapacitetet më të mira profesionale dhe duke shmangur çdo përpjekje për ndikim dhe presion politik.
Sipas prokurorisë, institucioni i akuzës gjatë fazës 12- mujore të hetimit ka ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale penale të nevojshme, ndaj pasurive të të pandehurit Mihal Delijorgji, sapo është vënë në dijeni të aseteve apo përqindjes së aksioneve që ai disponon në shoqëritë e ndryshme që janë në treg.
Ndërkohë, vetëm një ditë më parë, media ka publikuar disa shkresa zyrtare (sekrete) ku evidentohet se firma ndërtuese e të pandehurit Delijorgji dhe e botuesit Balliu ka ndërtuar fabrikën e demontimit të municioneve të lehta e të rënda.
Por, edhe pse ky veprim i kësaj kompanie është provuar, prokuroria nuk ka urdhëruar sekuestrimin e kësaj pasurie për shkak të verifikimeve që Qendra Kombëtare e Regjistrimeve të Biznesit (QKR-ja) i ka vonuar.
Pas publikimeve në media, QKR-ja na ka vendosur në dispozicion të gjitha aktet dhe kontratat e kësaj firme dhe pritet të diskutohet në një analizë të hollësishme për veprimet që do të kryhen më tej edhe pse nga firma është tërhequr tashmë vajza e botuesit Fahri Balliu, Henrisi",- thuhet nga burimet e akuzës.
Zyra e kryeprokurores Rama sqaron opinionin publik se Prokuroria e Përgjithshme në ndjekjen penale të kësaj dosjeje, ka realizuar një procedim të drejtë, të barabartë dhe të rregullt ligjor, duke angazhuar kapacitetet më të mira profesionale dhe duke shmangur çdo përpjekje për ndikim dhe presion politik
Tatimet kundër Balliut. "TDC" me aktivitet gjatë 2007
TIRANË- Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve përgënjeshtron pronarin e shtëpisë botuese dhe gazetës "55", i njohur ndryshe si "këshilltar" i kryeministrit Sali Berisha, shtetasin Fahri Balliu, duk deklaruar të kundërtën e pretendimeve të tija, se kompania "Trans Diggining Construction" sh.p.k. me ortak të pandehurin Mihal Delijorgji dhe vajzën e tij ka kryer aktivitet ndërtimi gjatë vitit 2007.
Sipas burimeve zyrtare pranë drejtorisë së tatimeve, konfirmohet se firma private "Trans Diggining Construction" sh.p.k. gjatë vitit 2007 ka deklaruar se bilanci i kësaj kompanie ka qenë vetëm 7500 euro. Ku kundrejt kësaj shume, kompania e Delijorgjit dhe Balliut ka shlyer edhe detyrimet përkatëse të tatimeve.
"Shoqëria "Trans Diggining Construction" sh.p.k. gjatë vitit 2007 ka deklaruar në tatime një bilanc prej 7500 euro, duke shlyer edhe detyrimet përkatëse. Kjo kompani ka qenë e rregullt në pagesat e detyrimeve tatimore që parashikohen në ligj",-thanë zyrtarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Sipas këtij bilanci të deklaruar duket qartë, që firma "Trans Diggining Construction" sh.p.k. ka pasur aktivitet ndërtimi gjatë vitit 2007 përkundër pretendimeve të botuesit Fahri Balliu se kjo shoqëri nuk ka kryer asnjë aktivitet financiar që nga koha e themelimit të saj në shkurt 2006 e deri pak ditë më parë kur këto dokumente u publikuan.
Gjithashtu, këto burime konfirmuan se për vitin 2006 shoqëria "Trans Diggining Construction" sh.p.k. nuk ka pasur ndonjë aktivitet financiar.
Ndërkaq, për vitin 2008 Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve konfirmon se ende nuk është kryer mbyllja e vitit, pasi kompanitë duhet të dorëzonin deri në fund të marsit bilancet vjetore.
Ndërsa, ngrihen dyshime të mëdha, se kompania "Trans Diggining Construction" sh.p.k. për vitin 2007 ka bërë deklarim të rremë të aktivitetit të punës së saj, pasi në këtë kohë rezulton se është shkatërruar ish-reparti i tankeve për tu ndërtuar më pas fabrika e demontimit të municioneve të lehta e të rënda.