E Hënë, 2 Nëntor 2026

Avokati i Popullit të çojë në ndjekje penale shkelësit

08/03/2005  Ermir Dobjani kërkon më shumë fonde nga shteti dhe ndryshim të ligjit

Anëtarët e Komisionit parlamentar të Ligjeve kanë kërkuar dje ndryshimin e ligjit për Avokatin e Popullit, duke i dhënë atij më shumë të drejta. Gjatë diskutimeve të zhvilluara dje deputetët kanë theksuar se kjo strukturë e shtetit nuk duhet të ketë vetëm kompetencën për t'i dalë në mbrojtje qytetarëve, por duhet të ketë dhe të drejtën për të dërguar në ndjekje penale funksionarët e shtetit që kanë shkelur ligjin. Gjithashtu, deputetët janë shprehur se Avokati i Popullit duhet të ketë më shumë pavarësi në detyrën që i ngarkon Kushtetuta. Për këtë është vënë theksi në rritjen e fondit që Buxheti i Shtetit i jep këtij institucioni. Nga ana e tij, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, është shprehur se gjatë këtyre viteve është vënë re se institucionit i duhen më shumë ekspertë, për t'i ardhur në ndihmë sa më shpejt qytetarëve. Gjatë raportit, është veçuar çështja e ankesave mbi kreditorët e firmave rentiere. Dobjani është shprehur se, edhe pse është deklaruar nisja e shpërndarjes me përqindje të parave të firmave rentiere, ende vihet re një mungesë e transparencës në veprimet e ndërmarra. Një tjetër pikë shqetësuese ka qenë dhe korrupsioni në administratë, si dhe zvarritja e qytetarëve në përfundimin e çështjeve të ndryshme që kanë të bëjnë me shtetin. Avokati i Popullit ka vërejtur se shumica e ankesave, që i është drejtuar atij, ka pasur të bëjë me të drejtën e pronave. Duke parë fluksin e ankesave, Dobjani ka kërkuar më shumë fonde për institucionin që ai drejton.

Avokati të kujdeset dhe për pronat

Deputetët e opozitës në qëndrimin e tyre ndaj raportit të Avokatit të Popullit, e kanë përshëndetur atë. Megjithatë, ata kanë kërkuar më shumë monitorim prej këtij institucioni ndaj vendimeve të qeverisë. Rasti më konkret në Komisionin e Ligjeve ka qenë për zbatimin e ligjit të kthimit dhe të kompensimit të pronave. Sipas këtij ligji, qeveria, brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e tij, duhet të kishte nxjerrë aktet nënligjore. Por një veprim i tillë nuk është ndërmarrë ende, edhe pse kanë kaluar disa muaj nga miratimi i ligjit në Kuvend. Deputetët e opozitës kanë theksuar se Avokati i Popullit duhet të bëjë oponencën e duhur, në mënyrë që qeveria të zbatojë detyrimet që i dalin nga ligjet që miratohen në Kuvend. Për këtë pikë, opozitarët janë shprehur se do të mbështesin propozimin për zgjerimin e kompetencave të Avokatit të Popullit. Ky qëndrim ka ardhur vetëm pak ditë pasi Emir Dobjani ka marrë votat e deputetëve për qëndrimin dhe në një mandat të dytë në krye të Avokatit të Popullit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›