Banda e miturve terrorizon Lezhën, për një natë grabitën 6 lokale
LEZHË – Një bandë grabitësish me të mitur ka terrorizuar banorët e qytetit të Lezhës, pasi gjatë gjithë natës, tre të rinj kanë zhvatur gjashtë dyqane dhe lokale. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se në orët e para të mëngjesit të djeshëm policia është njoftuar nga pronarët e disa lokaleve dhe dyqaneve, se mbrëmjen e së enjtes deri në orët e para të mëngjesit të së premtes, në lagjen “Besëlidhja”, janë vjedhur pronat e tyre nga persona të paidentifikuar. Menjëherë nisi puna për identifikimin e tyre, ku pas disa orësh hetimi u bë i mundur dokumentimi i ngjarjes dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve F.D., 15 vjeç, T.T., 15 vjeç dhe J.A, 13 vjeç. Sipas zëdhënëses së Policisë, Liona Nika, ky i fundit do të hetohet në gjendje të lirë për shkak të moshës së mitur. Gjatë arrestimit në flagrancë, policia bëri të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e mallrave të vjedhura. Gjatë thyerjes së lokaleve dhe dyqaneve, ata kishin marrë shuma të konsiderueshme parash, aparate celulare, laptopë, steka cigaresh dhe mallra të tjera të ndryshme. Dy prej autorëve të vjedhjeve janë përsëritës në kryerjen e veprës penale të “vjedhjes” ku njëri prej tyre ka qenë me masë sigurimi “arrest shtëpie”, vendim ky i dhënë nga Gjykata e të Miturve në Shkodër. “Pavarësisht moshës së tyre të mitur, këta shtetas kanë përdorur teknika mjaft të specializuara për thyerjen e këtyre subjekteve”, - thotë njoftimi zyrtar i Policisë së Qarkut të Lezhës.
Tentoi të grabisë me dhunë mjetin, arrestohet 25-vjeçari
ELBASAN - Është arrestuar në flagrancë 25-vjeçari Redi Topalli, pasi në orët e vona të së enjtes ka tentuar të vjedhë me dhunë automjetin tip “Ford Fiesta” me targa El 0466C, në pronësi të shtetasit A.T. Ky i fundit ka bërë denoncimin në polici, duke deklaruar se 25- vjeçari e ka kërcënuar me qëllim për t’i marrë automjetin. Për 25-vjeçarin ka nisur hetimi për veprën penale të “ vjedhjes me dhunë”.
19 Korrik 2008