E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrollet, asgjësohen 2 kuintal ushqime të skaduara



FIER - Të paktën 2 kuintal mallra ushqimore dhe rreth 200 litra pije freskuese të skaduara janë asgjësuar nga Inspektorati Ushqimor pranë Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Fier në operacionet e organizuara gjatë dy javëve të para të muajit korrik. Drejtori i DRBUMK-së, Fatos Troka, tha se "kjo sasi u asgjësua nëpërmjet groposjes, ndërsa u vendosën gjoba ndaj subjekteve që nuk kanë respektuar ligjin". Sipas tij, 4 subjektet që tregtonin mallra ushqimorë jashtë standardeve të konsumimit, u ndëshkuan me gjobë 100.000 lekë.

Ndalohet 32 vjeçari, aksidentoi për vdekje një shtetas

DURRËS - Policia e Durrësit arrestoi drejtuesin e një automjeti, i akuzuar si shkaktar i një aksidenti automobilistik, me pasojë vdekjen e një këmbësori. Burime zyrtare thanë se Klodian Dedja, 32 vjeç, lindur dhe banues ne fshatin Xhafzotaj (Shijak) u ndalua dje në mëngjes nga policia, pasi teksa drejtonte automjetin tip "Benz", me targë AP 645 TN, aksidentoi me vdekje Gëzim Konin, lindur dhe banues në Shijak. Ndaj tij kanë nisur hetimet për shkaqet që sollën aksidentin me pasojë vdekjen e 45-vjeçarit Koni.

Arrestohen 5 anëtarët e bandës, dhunuan një 27-vjeçar

PRENJAS - Pesë adoleshentëve kanë keqtrajtuar një 27-vjeçar pas një konflikti të ndodhur për motive të dobëta, por më pas janë ndaluar nga forcat e rendit. Burimet zyrtare të Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se janë ndaluar shtetasit E.H., 18 vjeç, E.K., 18 vjeç, E.T., 18 vjeç, M. M., 17 vjeç, si dhe M.C 17 vjeç, të cilët, në bashkëpunim me njëri tjetrin, në orët e vona të së enjtes, kanë goditur 27-vjeçarin E. K., i cili ndodhet i shtruar në spitalin e rrethit të Librazhdit në gjendje të rëndë. Policia ka nisur procedimin penal për pesë adoleshentët, të cilët akuzohen për veprën penale të “plagosje me dashje”.

I vë flakën parcelës së tij, djeg trasenë e hekurudhës

DURRËS – Një 47-vjeçar ka përfunduar në pranga, pasi, teksa digjte mbeturinat në parcelën pronësi të tij, kanë marrë flakë trasetë e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se rreth orës 24.00 të ditës së enjte, u bë ndalimi në flagrancë i shtetasit Zyhdi Guzina, lindur dhe banues ne lagjen Kodër Sukth. “Arrestimi i tij u bë për arsye se rreth orës 15.30 të dy ditëve më parë, në kohën kur digjte kashtën në parcelën e tij, në afërsi të Stacionit të Trenit në Sukth, flakët kanë dalë jashtë kontrollit, duke djegur tri copë traversa hekurudhore (por pa nxjerrë jashtë funksionit linjën hekurudhore)”, - thonë burimet policore.

19 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›