E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtari Ardian Nuni, strehim në SHBA

Anëtari i Gjykatës së Lartë është plagosur 40 ditë në parë në kryeqytet për motive ende të pasqaruara


TIRANË- Ardian Nuni, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, i plagosur 40 ditë më parë në kryeqytet, braktis përfundimisht karrierën e juristit dhe Shqipërinë duke kërkuar strehim në SHBA, bashkë me familjen.

Ky lajm konfirmohet nga burimet diplomatike pranë Ministrisë së Jashtme dhe institucioneve rezidentë në Shqipëri, ku saktësuan se gjyqtari Nuni ka kërkuar strehim në SHBA nga frika e një eliminimi të tij në Tiranë për shkak të detyrës.

Gjithashtu, largimi i gjyqtarit Nuni është konfirmuar pak ditë më parë për 'Shekullin" edhe nga vetë gjyqtari, i cili është shprehur se ka ikur në SHBA për të pushuar dhe mjekuar për plagët e marra gjatë atentatit të dështuar ndaj tij mbrëmjen e tetë shkurtit të këtij viti në rrugën "Komuna e Parisit", pranë hyrjes së pallatit ku ai banonte.

Ndërkaq, burime pranë Gjykatës së Lartë, saktësuan se zyrtarisht nuk kanë asnjë kërkesë për dorëheqje nga vetë gjyqtari Nuni dhe ai ndodhet me raport mjekësor për gjashtë muaj.

"Shekulli" pak ditë më parë botoi lajmin e largimit të gjyqtari Nuni në drejtim të Amerikës përfundimisht, por, gjyqtari gjatë një komunikimi me telefon mohoi këtë informacion të marrë nga burimet e rezervuara të gazetës duke thënë "do të kthehem shumë shpejt në Shqipëri".

Por, siç duket ky pretendim nuk qëndron më, pasi ai prej pak ditësh ka kërkuar zyrtarisht strehim në SHBA për shkaqe sigurie.


Nga hetimet gati një mujore të çështjes, policia, nuk ka mundur të zbardhë ndonjë detaj me vlerë për identifikimin që do të dërgojë në arrestimin e atentatorit, që qëlloi me katër plumba ndaj anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni. Si pasojë e këtij atentati të dështuar, gjyqtari Nuni mbeti vetëm i plagosur me tre plumba në trup.

Plagosja e tij ndodhi rreth orës 23:45 minuta të mbrëmjes së 8 shkurtit 2008, në lagjen "Komuna e Parisit" pranë hyrjes së pallatit ku gjyqtari banonte.

Sapo kishte arritur tek shkallët e hyrjes së pallatit ku ai banonte ndaj tij është qëlluar me katër plumba nga një person i veshur me të zeza dhe me kapuç dimëror.

Nga katër të shtënat e dala nga gryka e pistoletës nga një largësi prej një metër, tre prej tyre e kanë qëlluar duke i shkaktuar edhe plagë në këmbë, shpatull dhe krah.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›