Policia rrugore, 12 mijë gjoba në dy javë
Aksion i rrugorëve në rrugët e kryeqytetit për xhamat e zinj, fenelina dhe kundërtabela. Gjoba deri në 5 mijë lekë
TIRANË- Policia rrugore ndëshkon drejtuesit e automjeteve me xhama të zinj dhe ato që mbajnë simbolet e policisë. Rreth 400 drejtues mjetesh janë gjobitur tre ditët e fundit pasi kanë rënë në "rrjetën" e policisë rrugore dhe asaj të rendit, teksa qarkullonin me makinë me xhama të riveshur apo duke përdorur sinjalistikën e Policisë së Shtetit.
Burimet zyrtare thanë se 320 drejtues mjetesh janë gjobitur për mbajtje të mjetit me xhama të riveshur, 32 drejtues mjetesh për mbajtje të fenelinave të policisë, ndërsa rreth 30 drejtues mjetesh për mbajtje të tabelave të policisë.
Sipas policisë, shoferët kanë marrë masa administrative të cilat janë 2000-5000 lekë, e deri në pezullim të lejes së drejtimit. "Një pjesë e drejtuesve të gjobitur të cilëve u janë konstatuar në automjete fenelinat e policisë janë punonjës të policive private.
Ndërkohë që shoferët që mbajnë në makina tabelat e policisë dyshohet se i përdorin ato për të privilegjuar veten nga kontrollet rutinë të policisë rrugore.
Në shënjestër të policisë janë edhe automjetet që posedojnë autorizime të institucioneve shtetërore",- thanë për "Shekullin" burime nga policia.
Policia e Tiranës bëri të ditur ditën e djeshme se për ata drejtues automjetesh që kundërshtojnë zbatimin e kërkesës ligjore të policisë rrugore, do të shoqërohen në komisariat si dhe ndaj tyre do të fillojë procedimi administrativ në bazë të nenit 190 të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë.
Veç "zhdukjes" së xhamave të zinj dhe simbolet e policisë nga automjetet e qytetarëve, policia ka organizuar një aksion edhe ndaj shkelësve të ndryshëm të kodit rrugor duke filluar nga mosvënia e rripit të sigurimit. Kështu vetëm përgjatë këtij muaji, nga data 1 deri më 17 mars, shërbimet e policisë rrugore Tiranë kanë vendosur 12.382 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor kryesisht për, ecje me shpejtësi tej normave të lejuara, parakalim i gabuar, mos përdorim i kaskës mbrojtëse, mos vendosje të rripit të sigurimit, mos përdorim të dritave të automjetit si dhe mos zbatimit të sinjalistikës rrugore.
Gjatë këtij muaji janë pezulluar 53 leje drejtimi, ndërsa janë bllokuar 46 automjete pasi kishin mungesë dokumentacioni. Policia e kryeqytetit njoftoi se aksioni do të vazhdojë edhe në ditët në vijim për të ndëshkuar të gjithë shkelësit rrugorë.