E Diel, 1 Nëntor 2026

Si u shpërbënë koalicionet partiake gjatë katër viteve

Prishja e aleancave të para korrikut 2005. Bashkëpunimet e reja në zgjedhjet e qershorit

Eljona Ballhysa
Nga korriku i vitit 2005 e deri në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare të qershorit 2009, “shumë ujëra” kanë rrjedhur, duke sjellë prishjen e aleancave të vjetra dhe krijimin e koalicioneve të reja. Si nga kampi i djathtë, ashtu dhe nga ai i majtë koalicionet parlamentare kanë pësuar ndryshime të dukshme, si pasojë e prishjes së koniunkturave politike. Shumë parti që në zgjedhjet e korrikut 2005 kanë qenë pjesë e koalicionit të majtë në zgjedhjet e qershorit 2009, pritet të jenë pjesë e koalicionit të djathtë. Ndërsa nga koalicioni i djathtë janë shkëputur një sërë partish, të cilat do të dalin në një koalicion më vete.
Të djathtët
Tashmë është fakt krijimi i dy koalicioneve në kampin e djathtë të politikës. Ndryshe nga viti 2005, kur pothuajse të gjitha partitë e djathta u futën në siglën e koalicionit “Aleanca për liri, drejtësi dhe mirëqenie”, pjesë e së cilës ishin Partia Demokratike, Partia Demokrate e Re, Partia Republikane, Partia Demokristiane, Partia
Bashkimi Liberal Demokrat, Partia Balli Kombëtar Demokrat, Partia Bashkimi Demokrat dhe Partia Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, në zgjedhjet e 2009-s ky koalicion është shpërbërë. Së pari kemi bashkimin e PDR-së me PD-në duke bërë të mundur shkrirjen e një partie nga skena politike. Së dyti, Partia Demokristiane, në zgjedhjet e 2009-s del në një koalicion më vete bashkë me Partinë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar. Kjo e fundit, në zgjedhjet e 2005-s, ishte në koalicion me Partinë Lëvizja e Legalitetit, Partinë Demokratike e Rinovuar dhe Partinë Konservatore. Ndërsa në zgjedhjet e 2009-s futet në koalicion i quajturi Poli i Lirisë bashkë me PDK-në e Ndokës. Ndërsa PLL-ja do të jetë në koalicion me PD-në, PR-në, PAA-në, pjesë e së cilës pritet të jetë dhe PAD-ja e Neritan Cekës. Në zgjedhjet e 2005-s PAA-ja e Lufter Xhuvelit dhe PAD-ja e Neritan Cekës ishin në koalicion me Partinë Socialiste. Ende nuk dihet se cili do të jetë fati i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Në zgjedhjet e 2005-s kjo parti kandidoi si pjesë e koalicionit të majtë, ndërsa gjatë katër vitet në vazhdim ka qenë pjesë e koalicionit të djathtë, duke u përfaqësuar edhe me një post qeveritar. Ndërsa pak kohë më parë kryetari i saj, Vangjel Dule, deklaroi se ka mundësi që PBDNJ-ja t’i bashkohet sërish së majtës në zgjedhjet e 2009-s. Në skenën e politikës së fundi është përvijuar një parti e re “Për ligj dhe drejtësi” e drejtuar nga Spartak Ngjela, ish-deputet i Partisë Demokratike. Në zgjedhjet e 2009-s Ngjela do të dalë i vetëm në garë me PD-në dhe koalicionin e drejtuar nga Berisha.
Krijimi i dy koalicioneve në kampin e djathtë erdhi si pasojë e mosmarrëveshjeve midis PD-së dhe PDK-së. Kryetari i PDK-së, Ndoka, e ka akuzuar shpeshherë kreun e PD-së për mosrespektim të marrëveshjes bashkëpunuese si pjesë të një koalicioni. Kjo solli ndarjen e kësaj partie nga koalicioni i djathtë dhe bashkëpunimin me LZHK-në.
Të majtët
Në kampin e majtë pritet të kemi koalicionin e madh të përbërë nga Partia Socialiste, Partia Socialdemokrate, Partia Demokracia Sociale dhe lëvizja “G99”. Por mosmarrëveshjet e shumta midis Partisë Socialiste dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim kushtëzojnë krijimin e dy koalicioneve të ndryshme brenda së majtës që do të rivalizojnë njëri-tjetrin në zgjedhjet e qershorit. Lëvizja Socialiste për Integrim pritet të bashkëpunojë me Partinë Socialiste ’91, që drejtohet nga Petro Koçi në zgjedhjet e ardhshme. Të dyja këto parti dolën kundër bashkëpunimit PS-PD për miratimin e Kodit të ri Zgjedhor.

Koalicionet

Kampi i djathtë

Partia Demokratike
Partia Republikane
Partia Aleanca Demokratike
Partia Agrare Ambientaliste
Partia Demokristiane e Anton Gurakuqit
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ?
Partia Lëvizja e Legalitetit
Partia Balli Kombëtar

Partia Demokristiane e Nard Ndokës
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar

Partia për Ligj dhe Drejtësi

Kampi i majtë

Partia Socialiste
Partia Socialdemokrate
Partia Demokracia Sociale
Lëvizja “G99”

Lëvizja Socialiste për Integrim
Partia Socialiste ‘91

4 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›