Avokati i kundërshtuesve të Muçës: Sot kryetari në gjyq
“Të anulohet mbledhja që ka në program zgjedhjen e kryetarit të ri të Komunitetit”. Ky është thelbi i kërkesës që do të dorëzohet sot në Gjykatën e Tiranës nga disa prej anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman. Protesta e ditëve të fundit e një pjese të anëtarëve të Komunitetit Mysliman, ka marrë këto ditë të fundit një tjetër trajtë. Pas shfaqjes së idesë së parë se të drejtën e tyre do ta kërkonin duke u falur në sheshin para Selisë Qendrore të Komunitetit, të njëjtët përfaqësues, që përbëhen nga disa prej anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm si dhe anëtarë të xhamive të kryeqytetit, kanë vendosur që kundërshtimet e tyre t’i ndjekin në rrugë ligjore. Avokati i pajtuar prej tyre, Isuf Shehu, i kontaktuar nga gazeta, argumentoi disa nga argumentet ku është mbështetur kundërshtimi për mbledhjen e 21 marsit, përgjatë së cilës krerët aktualë të Komunitetit Mysliman kanë lajmëruar se do të rizgjidhet kryetari i radhës pas përfundimit të mandatit të kryetarit aktual, z. Selim Muça.
Zoti avokat, kush është qëllimi i kësaj kërkese që do të paraqisni në gjykatë?
Në radhë të parë dua të jem i qartë me ju, unë jam një avokat i pajtuar për të përfaqësuar disa anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së, të cilët duan të paraqesin një kërkesë për pezullimin e mbledhjes së radhës së Këshillit të Përgjithshëm që do të zhvillohet më datë 21 mars 2009, ditën e shtunë. Po ju sqaroj se kërkesën për pezullimin e veprimeve nga ana e Kryetarit të Komunitetit Mysliman në lidhje me këtë mbledhje e kam bërë gati dhe gjatë ditës së nesërme (sot) do e depozitoj në gjykatën e Tiranës.
Atëherë të jemi më të drejtpërdrejtë, përse po kërkohet pezullimi i kësaj mbledhje!?
Me gjithë dëshirën e mirë që kam për t’ju informuar, detajet që pasqyrohen në kërkesë s’mundem t’i bëj publike, me qëllimin e vetëm respektimin e procesit dhe posaçërisht të klientëve të mi. Por në vija të përgjithshme mund të them se kam konstatuar shkelje të rënda nga ana e Kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, të cilat lidhen ngushtësisht me ushtrimin e kompetencave nga ana e tij.
Mund të jeni më konkret?
Pasojat janë të shumta, por ajo më e madhja lidhet me vetë efektshmërinë e mbledhjes. Sa për dijeninë tuaj, për mbledhjen e radhës asnjërit prej anëtarëve nuk i është bërë i ditur rendi i ditës, qëllimi i kësaj mbledhje dhe në anën tjetër një pjesë e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm nuk janë thirrur në këtë mbledhje. Ka edhe më tepër. Për shembull, s’janë respektuar afatet sipas statusit, njoftimi nuk është bërë nga kryesia, por nga vetë kryetari e të tjera. Kjo është një shkelje e neneve të statutit të KMSH-së si dhe e ligjit nr. 8788, datë 07/05/2001 “Për organizatat jofitimprurëse”. Për mos të folur që vetë anëtarët e Këshillit që prej kohësh nuk janë njohur me financat dhe aktivitetin fiskal dhe ekonomik të vetë KMSH-së, por ky është një problem tjetër, të cilin edhe pse m’u reklamua, nuk mund ta përfshija në padi. Duke e përmbledhur po ju them se nga ana e kryetarit ka shkelje procedurale dhe materiale të cilat mbrohen si në ligj dhe në statutin e KMSH-së.
Po nëse KMSH-ja do ta zhvillojë këtë mbledhje të lajmëruar, ju si avokat si do të veproni më tej?
Beteja ligjore do të vazhdojë, dhe për këtë gjë unë kam marrë garancinë e klientëve të mi. Dhe nëse mbledhja do të zhvillohet ditën e shtunë, për pasojat që të vijnë më vonë ndaj personave të tretë dhe vetë anëtarëve të komunitetit, kryetari do të mbajë përgjegjësi individualisht. Nuk ka asnjë dyshim që po të njëjtën përgjegjësi ligjore do të mbajë edhe çdo bashkëpunëtor i tij i mëvonshëm, dhe për këtë të jeni plotësisht i bindur që do të mund të përballet gjyqësisht. Gjithsesi, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor ju deklaroj se çfarëdo veprimi që do të ndërmarrë kryetari dhe administrata e tij, kjo mbledhje do të ngelet e pavlefshme dhe e paligjshme. Sepse padia do ta bëjë nul rizgjedhjen e kryetarit në këtë formë. Dhe këto pretendime ne i mbështesim në fakte dhe prova, të cilat janë plotësisht të argumentuara dhe të parashikuara në ligj dhe statut.
Si mendoni, cilat janë motivet që e kanë shtyrë kryetarin të ndërmarrë një veprim të tillë, sipas jush të kundërligjshëm?
Motivet nuk janë të rëndësishme për zgjidhjen në themel të kësaj çështje, ato janë pjesë të anës subjektive të këtij problemi. Askush nuk mund të përjashtohet nga e drejta për t’i veshur veprimit të paligjshëm që ka kryer kryetari një mori arsyesh dhe motivesh, por për mua si avokat e rëndësishme është vetëm e drejta që pretendon klienti im, motivet dhe aspiratat e tij nuk kanë lidhje me punën time.
Lista e personave që do të nënshkruajnë kërkesën e padinë
• Haxhi Mesiti
• Arben Ramka
• Ilir Hoxholli
• Mentor Lamaj
• Besnik Karaj
• Ilir Gjuzi
• Genc Plumbi
• Andi Qinani
• Edvin Kuci
• Myfit Faruku
Shyqyri Rreli: Jam në moshë të thyer, refuzoj që të kandidoj
Një nga kandidaturat e mundshme për kreun e ri të Komunitetit Mysliman, që kanë nisur të përflitet, është ajo e Shyqyri Rrelit, ish-futbollistit dhe ish-trajnerit të Kombëtares sonë të Futbollit. I kontaktuar me telefon nga “Panorama”, zoti Shyqyri pohoi se nuk kishte dijeni për zhvillimet e fundit në Komunitetin Mysliman. Ai tha se vetëm gjatë dy ditëve të fundit ka pasur informacion për këto zhvillime, por në asnjë rast nuk i është propozuar që të kandidojë për kreun e Komunitetit. “Nuk jam në dijeni se duan të më kandidojnë. Di vetëm që do të bëjnë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm për të zgjedhur kryetarin”, pohoi Rreli. Sipas shpjegimeve të Rrelit, ai vetë ka qenë vite më parë sekretar i Myftinisë së Tiranës dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit. “Por unë kam rreth gjashtë vjet që jam tërhequr nga të gjitha këto detyra. Kështu që nuk ka të ngjarë që unë të pranoj një post të tillë të lartë. Pra, e refuzoj kategorikisht. Për më tepër unë tani jam në moshë të thyer, saktësisht 79 vjeç. Nuk ka kuptim...”, shpjegoi i njëjti. Në bisedë e sipër, teksa argumentonte kundërshtimin e vet për kandidaturën, në çdo rast, Shyqyri Rreli në disa raste shfaqi në formë dëshire se që të marrin në duar frenat e Komunitetit Mysliman ka shumë të rinj që janë energjikë dhe që mund të japin një kontribut shumë më të madh. fe.de
Nenet ku mbështetet padia
Neni 22 paragrafi 3
Detyrat e kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm
Në bashkëpunim me Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, përgatit mbledhjen e Këshillit te Përgjithshëm, njofton anëtarët e Këshillit te Përgjithshëm për mbledhjen e radhës dhe rendin e ditës dhe e vë në dispozicion të tyre materialet e mbledhjes 15 ditë përpara datës së mbledhjes.
Neni 30
Kryetari i Komunitetit Mysliman shkarkohet nga Këshilli i Përgjithshëm për shkelje të statutit dhe rregullores së Komuniteti Mysliman, të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e kryetarit në këtë rast mund të bëhet nga jo me pak se ¼ e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se 2/3 e të gjithë anëtarëve të tij.
Myftinia e Elbasanit: Të zbatohet statuti
Për zgjedhjet për postin më të lartë të Komunitetit Mysliman, gjatë ditës së djeshme reagoi edhe Myftinia e Elbasanit. Myftiu Agim Duka tha se aktualisht ekziston një mosmarrëveshje e dukshme. “Myftinia e Elbasanit kërkon që të ndiqet ana procedurale ose më mirë ajo statutore për zgjedhjen e kryetarit. Nëse do të ndiqen sipas rregullit të gjitha procedurat, atëherë kryetari i ardhshëm do të ishte i pranueshëm nga të gjithë. Prandaj ne kërkojmë që të zbatohet statusi që të mos ketë kontestime më pas. Ne kërkojmë që të bëhen njoftimet në kohën e duhur. Kemi marrë një njoftim për mbledhjen në datën 21 mars. Nga ana tjetër me sa jemi të informuar nuk është bërë përzgjedhja e kandidaturave alternative”. Po sipas Dukës, Myftinia e Elbasanit nuk është e njohur me emrat e kandidatëve të tjerë. “Kemi mësuar se do të kandidojë kryetari aktual Selim Muça, por për të tjerët nuk jemi informuar”. Për datën e caktuar për zgjedhjet ai është shprehur se është e nxituar. “Mendoj se data e zgjedhur ka defekte dhe se çdo gjë duhet të kryhet në bazë të statusit. Sepse zgjedhje të tilla bëhen premisë për kontestime”, tha myftiu Duka.