E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdani, Cana e Berisha, golat shqiptarë në Evropë

 

Erjon Bogdani është rikthyer te goli. Ai ka ndëshkuar dje Lacion e Igli Tares teksa në minutën e 27-të, ka kaluar Kievon në avantazh. Skuadra e tij fitoi në transfertë me rezultatin 3-0 duke rikthyer krizën në radhët e skuadrës romane. Ky ishte një gol me shumë peshë për sulmuesin e Kombëtares shqiptare, i cili gjatë këtij sezoni nuk e kishte gjetur asnjëherë rrugën e rrjetës. Shtatlarti shqiptar shfrytëzoi një krosim nga e djathta të Freit dhe pasi fitoi duelin në ajër ndaj dy mbrojtësve kundërshtarë, me një gjuajtje potente me kokë, mposhti portierin e Lacios.
Cana
Lorik Cana, mesfushori i përfaqësueses shqiptare i ka shënuar një tjetër gol ish-skuadrës së tij, Paris SG. Ai ka vulosur suksesin e Marsejës, që fitoi në transfertë me rezultatin 3-1. shqiptari ka qenë protagonist gjatë gjithë ndeshjes. Në minutën e 28-të ëhstë ndëshkuar me karton të verdhë, ndërsa në minutën e 63-të ka shënuar golin që ka vulosur gjithë takimin. Ai ka marrë një pasim nga Kone dhe ka gjuajtur nga një distancë prej 20 metrash rrafsh me tokën, duke e kapur të papërgatitur portierin e skuadrës kundërshtare. Në minutën e 80-të, 25-vjeçari është zëvendësuar nga M’Bami. Ai ka bërë dje një nga ndeshjet më të mira të këtij sezoni dhe për këtë ka marrë elozhet e trajnerit Erik Gerets. “Mendoj se Cana në këtë ndeshje tregoi edhe njëherë se është një lojtar i madh”, ka thënë trajneri pas ndeshjes. Një ditë para ndeshjes, kundërshtari i tij, Klod Makelele, i ka thurur elozhe mesfushorit shqiptar, duke thënë se ai është një lider i lindur dhe se e meriton të jetë kapiten i skuadrës së Marsejës. 
Berisha
Fundjavë golash për sulmuesit shqiptar. Besart Berisha i ka dhënë sërish fitoren skuadrës së AC Horsens dje pasi ka shënuar golin vendimtar. Ekipi i tij fitoi në transfertë me rezultatin final 2-1 ndaj Nrosjaelland dhe ishte biondi i përfaqësueses shqiptare, që vulosi fatet e ndeshjes, teksa në minutën e 52-të ka shënuar golin e dytë për AC Horsens. Ky ishte goli i tretë për të gjatë dy javëve të fundit dhe konfirmoi edhe njëherë se është një ndër futbollistët më në formë të Kombëtares. Javën e shkuar ai realizoi dy gola ndaj Odenses, duke i dhënë shpresë skuadrës së tij që të mund të mbijetojë. Edhe pas takimit të djeshëm, Berisha është cilësuar lojtari më i mirë i ndeshjes. AC Horsens renditet në vendin e parafundit (11) me 17 pikë të grumbulluara në 20 ndeshje. Tani skuadra e shqiptarit ka vërtetë më shumë shanse për t’i shpëtuar rënies nga kategoria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›