Ermonela Jaho, heroina kineze në Filadelfia
Alma Mile
Kritika e ka konsideruar triumfin e radhës. Për sopranon shqiptare Ermonela Jaho, duket se nuk ka më kthim mbrapa. Vetëm pak ditë më parë, ajo ka korrur një tjetër sukses për interpretimin e saj në rolin e Liusë në operën e “akullit dhe zjarrit”. Bëhet fjalë për “Turandot”, e cila u shfaq në Filadelfia si një produksion i Opera Company of Philadelphia. Tanimë, Jaho është një ndër emrat më të lakuar në skenat operistike botërore. Çdo producent, regjisor, apo drejtor artistik, do të donte ta kishte në trupën e tij. Që ditën që Jaho ia kushtoi jetën e vet muzikës, dihej se ky do të ishte profesioni i saj, por kur fama i kalon muret e një teatri, apo kufijtë e një shteti, atëherë nuk mund të flitet thjesht për një profesion. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një artiste që vjen nga një vend i vogël me mundësi të pakta, fitorja është dyfishe. Falë kordave vokale e dhuntive të saj, Ermonela Jahos i duhet të futet vazhdimisht nën lëkurën e heroinave me fund tragjik si Violeta, Mimija, Cio-Cio San.... Heroina që i dha suksesin së fundmi është Liu, një skllave e ndrojtur dhe besnike, një nga personazhet kryesore të operës së Giacomo Puçinit, “Turandot”. Ishte skena e Filadelfias që priti sopranon shqiptare dhe publiku amerikan që i dha duartrokitje të fuqishme. Si pas çdo shfaqje të përmasave të mëdha, “Turandot”, nuk mund t’i shpëtonte vëmendjes së mediave e kritikëve, të cilët nuk nguruan të jepnin mendimin e tyre mbi produksionin dhe të gjithë këngëtarët pjesëmarrës, por më së shumti për protagonistët. “Turandot” është konsideruar si një vepër që mbështetet më së shumti te vokali i këngëtarëve, që kulmon me arien e Kalafit, “Nessun dorma”, pavarësisht skenografisë madhështore e gjetjeve regjisoriale. Krahas Kalafit dhe princeshës Turandot, një rol i rëndësishëm është ai i Liusë. Kritika amerikane e quajtur si një zgjedhje me vend, vendosjen e Ermonela Jahos, në rolin e Liusë, skllaves kineze, të përulur, që vendos të sakrifikojë për dashurinë. Ajo zgjedh të vetëvritet e të mos tregojë emrin e Kalafit, edhe pse e torturojnë. Ajo është e kundërta e princeshës mandarine, e cila është e përmendur, jo vetëm për një bukuri marramendëse, por edhe më zemërngurtësinë e saj. Interpretimi i Jahos është vlerësuar sidomos për arritjen e notave akute dhe stilin vajtimtar që i përshtatet më së miri, jo vetëm personazhit që ajo interpreton, por personazheve të Puçinit në përgjithësi, që përbëjnë pjesën më të madhe të repertorit të saj. Për sopranon shqiptare, kjo nuk ishte hera e parë që ngjitej në një skenë operistike të Filadelfias dhe as produksioni i saj i parë me Kompaninë Operistike të Filadelfias. Në vitin 2006, ajo interpretoi rolin e Mimisë në operën “La Boheme”, një tjetër vepër e Puçinit. Ndërsa është debutimi i parë në skenën amerikane për sopranon dramatike Francesca Patane, që luan rolin e princeshës dhe të tenorit Francesco Hong, në rolin e Kalafit. Menjëherë, pas interpretimit të kësaj vepre madhore, Ermonela Jaho fluturoi drejt Francës, ku e pret një tjetër vepër puciniane. Kësaj radhe bëhet fjalë për “Madamme Buterfly”, ku do të luajë një tjetër heroinë dashurie, po nga Lindja e largët. Do t’i duhet të veshë petkat e një 15-vjeçareje, që bëhet pre e një aventure amerikane dhe një tradite të ashpër. Tek “Madamme Buterfly”, ajo luan rolin kryesor, që mban dhe peshën më të madhe të veprës, e cila shquhet për notat e saj dramatike. Vitet e fundit, emri i Ermonela Jahos është ndër më të lakuarit në arenën operistike. Një vit më parë, emri i saj mori edhe më tepër famë prej interpretimit emergjent në Covent Garden në Londër, ku zëvendësoi sopranon ruse, Ana Netrbko në rolin e Violetës tek “Traviata” e Verdit.
“Turandot”
Opera “Turandot” u shfaq në Filadelfia në datat 20, 22, 25, 28 shkurt dhe 6 mars. Orkestra e Kompanisë së Filadelfias u drejtua nga Maurizio Barbacini, skena dhe kostumografia mbajnë firmën e Allen Charles Klein, ndërsa kori, që është një personazh i fuqishëm në vepër, u drejtua nga Elizabeth Braden. Krahas Jahos, në rolet kryesore interpretuan Francesca Patane, Francesco Hong, etj.