E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngecin Tirana e Dinamo, Vllaznia bën kthesën

 

Rezultate surprizë, rikthime, por edhe tension, ka pasur në ndeshjet e djeshme, të vlefshme për javën e 24-t. Tirana kryesuese është ndalur në një barazim pa gola në Ballsh. Këtu ka përfituar Vllaznia, që ka arritur një fitore “in extremis” me Apoloninë, duke iu falur golit të mbrojtësit Elvin Beqiri. Nga ana tjetër, Dinamo, kampione në fuqi, ka humbur 2-1 jashtë fushe me Flamurtarin. Blutë, gati të skualifikuar në Kupën e Shqipërisë, pas aktivizimit të Elis Bakajt me Vllazninë, dje nuk e kanë përballuar dot shpirtin e garës që shfaqi skuadra vlonjate, edhe pse Plaku barazoi shifrat në pjesën e parë. Përveç rezultateve të skuadrave të kreut, edhe fundi i tabelës ka surpriza, duke u bërë shumë rivalizues. Kështu, Lushnja ka arritur një trepikësh të rëndësishëm në transfertë, duke mposhtur 1-0 Teutën, me gol të Bubeqit. Ndërsa Partizani nuk ka shkuar më shumë se barazimi pa gola ndaj Besës në “Qemal Stafa”. Këtë herë të kuqtë kanë pasur rezerva për gjykimin, sidomos për një 11-metërsh të padhënë në fundin e lojës. Një histori më vete ka qenë derbi midis Elbasanit dhe Shkumbinit, që u mbyll në shifrat 2-2, me peqinasit në një formë të shkëlqyer.
Rikthimi i shkodranëve
Goli i Beqirit në minutën e 89-të i ka dhënë Vllaznisë një trepikësh të artë në transfertë me Apoloninë, ku është luajtur në një stadium pa spektatorë, për shkak të pezullimit nga komisioni i disiplinës. Në një sfidë, ku barazimi do të ishte rezultati më i drejtë, fitoi ngulmimi dhe eksperienca e lojtarëve shkodranë. Fierakët kishin mungesa të shumta, por edhe kuqeblutë ishin pa sulmuesin Vioresin Sinani. Pas kësaj fitoreje të rëndësishme, Vllaznia pozicionohet në vend të parë, me pikë të barabarta me Tiranën, por që bardheblutë kanë një golavarazh më të mirë. Ashtu si në fazën e parë, 23 herë kampionët nuk dolën te goli ndaj Bylisit, ku gjithashtu u luajt pa spektatorë, për shkak të dënimit të fushës. Tirana e Agustin Kolës pati disa raste të pastra, por nuk diti të shënojë, dhe për pak sa e pësoi nga ekipi ballshiot. Në fund të ndeshjes, trajneri Kola, duke anashkaluar lojën e bardhebluve, u ndal te gjykimi i kryesorit Çekaj, që për të, ishte skandaloz.  
Elbasani thellon krizën
Edhe pse e nisi lojën në mënyrë të shkëlqyer, duke shënuar dy gola me sulmuesin Fjodor Xhafa, Elbasani në fund rrezikoi të humbiste në derbin me Shkumbinin, të zhvilluar në “Ruzhdi Bizhuta”. Verdheblutë konfirmuan krizën e thellë që po kalojnë, duke mos ditur të reagojnë në kampionat. Në këtë mënyrë, Elbasani vështirëson shumë pozitën në renditje, çka rrezikuar seriozisht edhe qëndrimin në kategori. Ndërsa Shkumbini, jo vetëm që barazoi rezultatin me golat e Norës dhe Dervishit, por zhvilloi një lojë të mirë, teksa humbi shumë raste. Në këtë ndeshje nuk munguan as incidentet midis dy tifozërive.
 

Ndeshjet

Elbasani-Shkumbini    2-2
Xhafa 19', 21'/ Nora 45'+1, Dervishi 50'
Apolonia-Vllaznia    0-1
Beqiri 89'
Bylis-Tirana    0-0
Teuta-Lushnja    0-1
Bubeqi 62'
Flamurtari-Dinamo    2-1
Guga 13', Kuqi 22' / Plaku 17'
Partizani-Besa    0-0
RENDITJA
    F    B    H    G+    G-    P
TIRANA     12    9    3    36    18    45
VLLAZNIA    13    6    5    32    20    45
DINAMO    11    8    5    36    22    41
SHKUMBINI    10    8    6    27    23    38
BESA    9    7    8    23    25    34
TEUTA    8    8    8    22    19    32
FLAMURTARI    6          8         9          19    22    29
ELBASANI    5    12    7    19    21    27
PARTIZANI    6    8    10    18    24    26
APOLONIA    7    3    14    24    35    24
BYLIS    5    8    11    18    33    23
LUSHNJA    5    7    12    16    28    22

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›