Muça, meritë në dialogun ndërfetar
Ndërsa në prag të zgjedhjeve për kryetarin e radhës përplasja mes dy rrymave në Komunitetin Mysliman ka mbetur pezull dhe e tensionuar, kryetari aktual, zoti Selim Muça, ka pritur dhe përcjellë një delegacion fetar të diasporës. Në takimin me grupin e përfaqësisë së Komunitetit Mysliman të Shqiptarëve të Amerikës, sipas komunikatës për shtyp të Komunitetit Mysliman Shqiptar, roli i kryetarit aktual z. Selim Muça është ngritur në qiell nga miqtë e përtejdetit. Miqtë kryesoheshin nga kryetari i Albanian American Islamic Center, zoti Sami Merke, Sekretari i Përgjithshëm, Xheladin Leka dhe anëtarë të tjerë të kryesisë si, Selim Leka, Raif Xherraj etj. Po sipas njoftimit për shtyp, fillimisht delegacioni është njohur me veprimtarinë e KMSH-së, me infrastrukturën e institucionit, si dhe me shkollat dhe medresetë që ushtrojnë aktivitetin në vendin tonë.
Sipas të njëjtit burim, delegacioni i diasporës shqiptaro-amerikane ka vlerësuar punën e institucionit drejtuar prej 5 vitesh nga zoti Selim Muça, duke veçuar si shumë të rëndësishme frymën e dialogut dhe bashkëpunimit midis komuniteteve tradicionale fetare në Shqipëri. Po kështu lëvdatat kanë shkuar edhe në adresë të punës së mirë për ringjalljen e besimit Islam pas viteve 90’ si dhe përcjelljen e mesazheve Islame nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme ndërkombëtare, të cilat kanë pasur jehonë edhe në diasporën e SHBA-së. Po sipas komunikatës, “delegacioni është prezantuar edhe me kryesinë, e cila përbëhet kryesisht nga të rinj të shkolluar jashtë vendit dhe të specializuar edhe me grada shkencore, si dhe kanë vizituar gjithashtu edhe ambientet e disa medreseve në vendin tonë”.
Kundërshtuesit
Takimi i zotit Selim Muça me delegacionin nga Shtetet e Bashkuara vjen në një situatë të pazakontë të krijuar në gjirin e Komunitetit Mysliman. Kur një pjesë e mirë e besimtarëve të përfaqësuar në Këshillin e Përgjithshëm kanë kundërshtuar mënyrat që zoti Muça është duke zbatuar për t’u rizgjedhur ai vetë dhe katër vetë të tjera në krye të komunitetit. Burime nga grupi i kundërshtuesve kanë theksuar se nuk kanë kundërshti me punën e zotit Muça në këto katër vjet, por se nuk u kanë pëlqyer aspak përpjekjet e tij për të manipuluar zgjedhjet. Madje, ata janë shprehur edhe se nuk kanë ndonjë kandidaturë tyren për të mbështetur, por vetëm duan që rregullat të zbatohen me përpikmëri, pasi të paktën hija e një institucioni fetar dikton rregulla të rrepta.
Nga ana tjetër me anë të komunikatës për shtyp ky pasqyron takimin e tij të fundit me disa klerikë myslimanë të diasporës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zoti Muça kërkon të reklamojë si meritë rolin e tij në 5 vite për dialogun ndërfetar në Shqipëri. Merita këto që në kontekstin e zhvillimeve janë të njohura, por që duket se nuk shërbejnë. Gjithsesi nga njohës të ndryshëm të zhvillimeve në brendësi të Komunitetit Mysliman, thuhet se këto zhvillime të fundit nuk janë aspak të ngjashme dhe nuk kanë asnjë lidhje me zhvillimet që ndodhën shumë vite më parë, menjëherë pas vrasjes së Sekretarit të Përgjithshëm të Komunitetit. Sipas të njëjtëve, zhvillimet e fundit shkojnë në favor të një transparence edhe më të madhe, bashkëpunimi edhe më të ngushtë mes drejtuesve të Komunitetit dhe masës së besimtarëve që e zgjedh.
Imamët kërcënuan të faleshin para KMSH
Të parët që kontestuan 21 marsin si datë për zgjedhjen e kreut të ri të Komunitetit Mysliman Shqiptar ishin imamët dhe një numër besimtarësh të qytetit të Tiranës. Duke e konsideruar se gjithçka e nxituar për të bërë zgjedhjet në këtë datë ishte një lojë e kryetarit aktual z. Selim Muça, këta besimtarë kërcënuan se një ditë para mbledhjes, pra më 20 mars, do të faleshin në sheshin para Selisë Qendrore të Komunitetit Mysliman Shqiptar në formë proteste. Sipas kundërshtuesve, zgjedhja e datës jo sipas kohës që parashikohet në status, mosnjoftimi i tematikës, mungesa e kandidatëve alternativë e të tjera, ishin shkelje të qëllimshme të zotit Muça, me qëllimin e vetëm që ai ta kishte më të lehtë të rizgjidhej edhe për një mandat tjetër 4-vjeçar në krye të Komunitetit Mysliman. Nga ana tjetër, vetë zoti Muça reagoi ashpër. Sipas tij, besimtarët nuk kanë të drejtë të tubohen. “Nëse duan t’i bëjnë me forcë le t’i bëjnë, ne nuk kemi armë. Ne kemi vetëm propagandën fetare, morale, ligjore, këshillimore. Ata rebelohen pa të drejtë, qëllimi i tyre është të shembin KMSH-në që të komandojnë vetë. Feja islame në Shqipëri ka qenë shumë tolerante dhe e pranueshme nga të gjithë. Feja duhet të ketë një vazhdimësi tradicionale”, tha Muça. Duke vazhduar më tej, ai tha se institucioni i tij nuk kishte dhënë asnjë leje për falje masive, dhe në këtë rast do i drejtoheshin organeve të rendit për çdo lloj tubimi që mund të organizonin besimtarët.