“Sunday Times”: IRA mori armë nga Shqipëria
Grupi terrorist “Real IRA” në Irlandën e Veriut, i cili mori përgjegjësinë për vrasjen e dy ushtarëve britanikë tri ditë më parë ka importuar armë nga Shqipëria. Deklarata u bë për gazetën britanike “The Sunday Times” nga zyrtarë anonimë të shërbimeve sekrete britanike, të cilët nuk detajuan as prejardhjen e këtyre informacioneve dhe as një supozim mbi itinerarin që mund të kenë ndjekur armët për të mbërritur deri në Irlandën e Veriut nga Shqipëria. Nuk është hera e parë që Shqipëria akuzohet për furnizim me armë në zona konfliktuale, edhe pse jo në mënyrë zyrtare, por mbase kontrabandë, emri i vendit tonë përmendet si ‘kontribuues’ me armë në zona të forta konflikti në botë, madje në ato vende ku rebelët janë kundër qeverive të mëdha perëndimore, që janë aleate dhe mbështetëse të forta të Shqipërisë. Lajmi u publikua në gazetën britanike në prag të njëvjetorit të ngjarjes së Gërdecit, ku pas shpërthimit të depove të armëve në këtë zonë plasi një skandal i shitjes ilegale të armëve, ku zyrtarë shqiptarë akuzohen për përfshirjen në një tregti të paligjshme dhe mashtruese me Shtetet e Bashkuara për të dërguar armë kineze, të paraqitura si shqiptare për ushtarët afganë që luftonin kundër terroristëve. Megjithatë nga shërbimet sekrete britanike nuk është hedhur asnjë supozim i largët se zyrtarë shqiptarë mund të jenë të përfshirë në këtë aferë tregtie armësh me rebelët e IRA-s. Paqja në Irlandën e Veriut po kërcënohet sërish pasi disidentë republikanë kanë rritur sulmet dhe agresivitetin në mënyrë dramatike. Pas vrasjes së dy ushtarëve britanikë në një qendër ushtarake në Irlandën Veriore, në ditë më parë Real IRA vrau edhe një polic irlandez, të cilit i ishte ngritur një kurth. Grupi disident, i cili veten e quan IRA Reale ka marrë përsipër përgjegjësinë për vrasjen e dy ushtarëve britanikë në Irlandën Veriore, gjatë një sulmi, që vlerësohet të jetë më i rëndi, që nga arritja e marrëveshjes paqësore në vitin 1998. Persona të armatosur kanë shtënë dje ndaj ushtarëve në një bazë në qytetin Antrim, duke lënë të vrarë dy ushtarë dhe katër persona të tjerë të plagosur. Një ditë më pas një polic u vra nga një kurth në qytetin Kerjgevon në Irlandën Veriore. Policia në Irlandën Veriore ka arrestuar tre vetë lidhur me vrasjen e dy ushtarëve britanikë nga militantët, të cilët synojnë lirimin me forcë nga ndikimi britanik.