Elena Korzhenvich, një violinë ruse në Tiranë
Sapo violina e saj nxori tingullin e parë, të gjithë në sallë e kuptuan se ajo ishte një ndër të shumtat violiniste virtuoze që vijnë nga vendi më i madh i Evropës, Rusia. Elena Korzhenevich ngrohu pak gishtërinjtë me frymën e saj dhe me shikimin nga dirigjenti Oleg Arapi, filloi të interpretonte e sigurt pjesët e Tchaikovsky dhe Beethoven. Korzhenevich dhe Arapi, një dyshe e goditur me një të përbashkët të madhe, Konservatorin “Tchaikovsky” të Moskës, u ngjitën fundjavën e kaluar në skenën e Akademisë së Arteve me një koncert simfonik në kuadrin e Stinës Koncertore të Orkestrës së RTSH-së, 2008-2009. Korzhenevich, 22 vjeç, me banim në Moskë, por me origjinë nga Perm, është në vitin e fundit të konservatorit “Tchaikovsky” të Moskës. Më një sërë çmimesh nga konkurse të ndryshme ndërkombëtare, Korzhenevich tregoi zotërim të skenës shqiptare me violinën e saj. Pak mbas koncertit, ajo zbulon diçka nga mbresat e saj.
Si u ndjetë para publikut shqiptar?
Është një publik shumë i mirë. Qartësisht e ndjeva se është një publik i interesuar për muzikën dhe duan ta dëgjojnë atë. Dhe për mua ishte një kënaqësi që isha aty.
Kur e keni filluar të luani në violinë dhe si i kujtoni ato kohë?
Isha 5 vjeç atëherë. Ishte mamaja, ajo që më dha shtysën e parë. Ajo është profesoreshë pianoje në shkollë dhe fillimisht ishte dëshira e saj që të luaja në piano. Por më pas nga ndikimi i ambientit, fillova mësimet në violinë. Instrumentin e violinën e zgjodha vetë. Nuk e mbaj mend se si, por di që e bëra vetë këtë zgjedhje.
Keni marrë pjesë në shumë konkurse ndërkombëtare, ka ndikuar ky fakt në nivelin e koncerteve tuaja?
Është si një favor. Nëse dikush të sheh dhe shpreh interes për performancën tënde, është shumë mirë, nëse jo... Është si loja e fatit – gërvisht dhe fito. Sot pjesëmarrjet nëpër konkurse nuk është se luajnë ndonjë rol kushedi se çfarë në karrierën e mëtejshme.
Keni dhënë koncerte nëpër botë, nga ruani ndonjë mbresë të veçantë?
Më kujtohet njëherë që isha duke dhënë një koncert në Arabinë Saudite dhe gjatë shfaqjes hodha një sy në publik dhe në radhë të parë pashë që gjithë njerëzit ishin veshur me kostumet e tyre tradicionale. Më erdhi si papritur dhe u ndjeva në gjendje shoku.
Keni interpretuar vetëm pjesë të kompozitorëve rusë?
Po. Për fat të keq, nuk di asnjë vepër të kompozitorëve shqiptarë, por Prof.Arapi më ka treguar shumë për muzikën shqiptare. Në planet e mia të afërta nuk është interpretimi i veprave të kompozitorëve shqiptarë, por nëse do të ketë një plan të tillë, me kënaqësi do ta bëj.
Si ndodhi që dhatë këtë koncert në Shqipëri?
Edhe unë me vështirësi mund të gjej një fije që lidh Shqipërinë me Rusinë në këtë koncert. Mund të them se Prof. Oleg Arapi ka qenë student i violinistit virtuoz Leonid Nikolayev dhe ata janë shumë miq. Kur Prof. Arapi i telefonoji Leonid Nikolayev, ky i fundit foli me profesorin tim, i cili i sugjeroi emrin tim. Dhe kjo ka ndodhur dy javë më parë. Ata më propozuan këtë program dhe u përgatita brenda një kohe shumë të shkurtër.
Rudina Hoxha
(Albanian Daily News)