E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD-ja rrëzon dy propozimet e ministrit të Drejtësisë



Laureta Rryçi

Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi dy propozime të ministrit të Drejtësisë për të ndëshkuar gjyqtarët. Burime zyrtare pranë Këshillit pohuan dje për gazetën “Albania” se anëtarët kanë rrëzuar në unanimitet masat ndëshkuese ndaj gjyqtarëve Manjola Bejleri dhe Arian Aliajt. Në këtë mënyrë, që të dy gjyqtarët e Gjykatës së Tiranës kanë shpëtuar prej ndëshkimit. Ndërsa për katër masat e tjera disiplinore, Këshilli ka vendosur që t’i shqyrtojë gjatë mbledhjes së ardhshme. Mbledhja e djeshme vijoi për disa orë me radhë me dyer të mbyllura. Sipas njoftimit zyrtar të KLD-së, në rend të ditës ka pasur edhe çështje të tjera për diskutim. “Pjesë e rëndësishme e diskutimeve në Këshill ka qenë metodologjia për plotësimin e vendeve të krijuara në gjykatat e shkallës së parë, pas daljes së Dekretit Nr.6265, datë 16.09.2009, të Presidentit të Republikës ‘Për caktimin e numrit të gjyqtarëve në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit’”, thuhej në njoftimin zyrtar.
Rrëzimi
Ministria e Drejtësisë ka humbur dje një tjetër betejë në KLD për ndëshkimin e togave të zeza. Masat disiplinore që ishin prej kohësh për t’u shqyrtuar nga Këshilli janë rrëzuar si të padrejta. Kështu, i gjithë inspektimi, si për Manjola Bejlerin që njihet edhe si kryetarja e Shoqatës së Gjyqtarëve, ashtu edhe për gjyqtarin Arjan Alia, duket se ka qenë jo i vlefshëm. Gjatë mbledhjes së djeshme, pas argumenteve që ka dhënë ministri Nishani, fjalën e kanë marrë dy gjyqtarët që ishin vënë në shënjestër nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë. Sipas burime, ata janë shprehur se pretendimet e ministrit nuk qëndronin dhe se ata përpiqen çdo ditë ta kryenin detyrën e tyre me korrektësi dhe në zbatim në ligjit. Anëtarët e KLD-së duket se kanë besuar më tepër argumentet e servirura nga gjyqtarët, sesa materialin e shpërndarë nga Ministria e Drejtësisë. “Kanë qenë pjesë e rendit të ditës edhe disa procedime disiplinore, nga të cilat Këshilli përfundoi shqyrtimin e dy prej tyre dhe konkretisht ndaj gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Arian Aliaj dhe Manjola Bejleri, me rrëzim të kërkesës së ministrit të Drejtësisë, ndërsa u shtynë për shkaqe të justifikuara katër procedime të tjera disiplinore ndaj katër gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan”, - thuhej në njoftimin zyrtar.
Transferimi
Në përfundim të këtij diskutimi, i cili ka qenë objekt trajtimi edhe në një mbledhje të mëparshme, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, duke konsideruar edhe mendimet e dhëna nga gjyqtarët, shoqatat e gjyqtarëve, si dhe mendimet e misioneve ndërkombëtare që asistojnë në fushën e Drejtësisë, vendosi të lejojë procedurën e kandidimit në pesë gjykata të shkallës së parë, në të cilat është rritur numri i gjyqtarëve në organikë, duke shpallur gjatë ditës së djeshme 22 vende vakante për gjyqtarë. Ky vendim i Këshillit u mundëson shprehjen e pëlqimit për t’u transferuar gjyqtarëve në sistem dhe shprehjen e pëlqimit për t’u emëruar, personave që duan të kandidojnë për gjyqtarë, përkatësisht në: nëntë vende vakante në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë; shtatë vende vakante në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës; një vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë; katër vende vakante në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Përmet; një vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë.

Vendimet që u morën dje nga KLD-ja
1. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, duke konsideruar edhe mendimet e dhëna nga gjyqtarët, shoqatat e gjyqtarëve, si dhe mendimet e misioneve ndërkombëtare që asistojnë në fushën e Drejtësisë, vendosi të lejojë procedurën e kandidimit në pesë gjykata të shkallës së parë, në të cilat është rritur numri i gjyqtarëve në organikë, duke shpallur 22 vende vakante për gjyqtarë.

2. Vendet bosh për të kandiduar:

9 (nëntë) vende vakante në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë
7 (shtatë) vende vakante në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës
1 (një) vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë
4 (katër) vende vakante në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Përmet
1 (një) vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë

3. Kanë qenë pjesë e rendit të ditës sot edhe disa procedime disiplinore, nga të cilat Këshilli përfundoi shqyrtimin e dy prej tyre dhe konkretisht ndaj gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Arian Aliaj dhe Manjola Bejleri, me rrëzim të kërkesës së ministrit të Drejtësisë, ndërsa u shtynë për shkaqe të justifikuara katër procedime të tjera disiplinore ndaj katër gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit gjyqësor Elbasan.

3 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›