Avokati mbrojtës braktis vrasësin e tre vëllezërve
Besim Karaj, autori i vrasjes së trefishtë në Vidohovë, është braktisur nga avokati i tij mbrojtës. Enrik Anastasi ka kërkuar nga Gjykata e Korçës tërheqjen nga çështja dhe mbrojtja e të pandehurit të akuzuar për vrasje në rrethana cilësuese. Avokati i Besim Karajt nuk është paraqitur në seancën e parë gjyqësore ndaj të pandehurit. Tërheqja e tij ka bërë që kjo seancë të dështojë. "Për arsye shëndetësore nuk mund ta ndjek mbrojtjen e Besim Karajt dhe për këtë kërkoj tërheqjen nga kjo çështje". Kjo ka qenë kërkesa e avokatit Enrik Anastasi, drejtuar trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Gjergji Koço. I akuzuari për vrasje të trefishtë, pasi është njohur me largimin e avokatit të tij të caktuar nga gjykata, ka kërkuar caktimin e një avokati tjetër dhe vazhdimin e gjyqit me procedurë të përshpejtuar. Sipas trupit gjykues, procesi ndaj Besim Karajt nuk mund të zhvillohet në mungesë të mbrojtjes dhe kjo ka bërë që gjykimi ndaj tij të shtyhet për një tjetër datë. Vetë i pandehuri ka deklaruar se kërkon që avokatin t’ia caktojë gjykata, pasi nuk ka mjete financiare për të paguar një avokat. "Nuk kam mundësi të gjej një avokat. Kërkoj nga gjykata të më caktojë një avokat për mbrojtjen time", ka thënë Besim Karaj. Gjykata vendosi që gjyqi të rifillojë më 17 mars. Karaj e ka pranuar tashmë krimin dhe ka kërkuar gjykim të shkurtuar.
#