E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet i vdekur në kanal oficeri në lirim

Fier Ka vdekur para tri ditësh. Nuk dihen shkaqet

Një oficer në pension është gjetur i vdekur mëngjesin e së premtes në ujërat e një kanali në lagjen “Qenas”, në periferi të Fierit. Trupi i pajetë u gjet në një kanal pranë shinave të trenit, rreth orës 07:00, nga kalimtarë të rastit që telefonuan policinë. Ekspertët që shkuan në vendngjarje thanë se trupi kishte nisur të dekompozohej, çka tregon se vdekja ka ndodhur disa ditë më parë. Trupi i pajetë u dërgua në morgun e spitalit të Fierit, ndërsa zëdhënësja e policisë, Valbona Meço, rreth katër orë më pas ka kërkuar bashkëpunimin e komunitetit për identifikimin. Vetëm në orën 14:00 është bërë i mundur identifikimi i viktimës, që sipas policisë është Kastriot Bregu, lindur në Elbasan dhe banor në lagjen “11 janari” të Fierit. Burri 56 vjeç, ish-ushtarak i dalë në lirin, ishte i divorcuar dhe prej disa vitesh jetonte vetëm.

Lidhur me shkaqet e vdekjes, policia dyshon se ajo ka ndodhur si shkak i mbytjes nga uji. Policia ka marrë gjithashtu mostra të stomakut të 56-vjeçarit dhe i ka dërguar në Institutin e Kriminalistikës në Tiranë. Përgjigjja e tyre do të zbardhë shkakun real të vdekjes së Kastriot Bregut. Dyshohet se rënia në kanal e tij ka ndodhur tri ditë më parë, ndërsa mund të ketë qenë edhe aksidentale. Gjithsesi ende nuk ka dalë një përgjigje zyrtare e policisë lidhur me vdekjen e 56-vjeçarit Kastriot Bregu.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›