E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrësi liron marinarët e huaj, shqiptarët mbeten në Libi

Ende pa zgjidhje bllokimi i 13 detarëve në portin afrikan

Hapet drita jeshile për ekuipazhin azerbajxhanas-gjeorgjian të anijes së huaj “Premier”, ndërsa marinarët shqiptarë mbeten ende në det. Uji, ushqimi dhe karburanti kanë mbërritur në anijen e bllokuar në Durrës. Ndërhyrja e diplomacisë azerbajxhanase dhe shlyerja e likuiditeteve ka çliruar nga bllokimi në Portin detar të Durrësit anijen e huaj tregtare “Premier”. Lajmin e konfirmon për gazetën “Shqip” kapiteni i Portit të Durrësit, Muharrem Trupja.

Anija e huaj

Likuiditetet e pashlyera bënë që anija “Premier” të ngelë në radën e portit shqiptar që më 16 janar të këtij viti, menjëherë pas shkarkimit të ngarkesës prej 1932 tonësh xhama që solli në Durrës. “Premier” u fut në portin shqiptar më 11 janar dhe nuk mundi më të rinisë lundrimin. Në Kapitanerinë e portit shqiptar ka mbërritur një shkresë zyrtare nga agjencia detare “Poseidon”, e cila ofronte shërbimet për anijen dhe për shkak të borxheve kishte bërë bllokimin e saj. Në shkresë deklarohet se kompania turke e menaxhimit të kësaj anijeje tregtare ka shlyer të gjitha likuiditetet ndaj saj dhe ajo është e lirë për të vijuar aktivitetin. Ndërkaq “Poseidon” nuk ka dhënë më shërbime për këtë anije. Kompania ka zgjedhur një tjetër agjenci, atë “Davis”, e cila ka bërë një ditë më parë dhe shërbimet e furnizimit të anijes dhe ekuipazhit me nevojat bazë për ta. Ndonëse porti Plloce i Kroacisë është destinacioni i radhës për anijen me pronar turk dhe flamur kamboxhian, ajo ka vijuar të qëndrojë në radën e Portit të Durrësit. Ndërkohë, kësaj anijeje për shkak të bllokimit në Durrës, që më 21 janar i ka mbaruar edhe afati i certifikatës së sigurisë në lundrim, që mund të jetë një problem në dokumentacion për lundrimin. Sipas kapitenit Trupja, anija mund të ketë një ndryshim të portit të destinacionit dhe kjo i ka lënë në pritje marinarët, duke shtuar kështu orët e qëndrimit në anijen nga e cila lëshuan dy herë sinjalin SOS dhe bënë të vihen në lëvizje përfaqësuesit e shtetit azerbajxhanas për të zgjidhur situatën kritike në të cilën u konsideruan tetë shtetasit e tyre.

Anija shqiptare

Ndërsa marinarët e huaj janë në pritje të lundrimit të radhës, anija shqiptare “Brustel” mësohet se vazhdon të jetë e bllokuar në një port të Libisë. Më 20 shkurt, kapiteni i anijes, Armando Ulqinaku, bëri publike situatën në anije dhe bllokimin e saj që më 22 janar, për shkak të mosshlyerjes së likuiditeteve nga ana e pronarit. Dy anije dhe ekuipazhet e tyre që përjetonin në të njëjtën kohë burgun detar të dhuruar si pasojë e krizës ekonomiko-financiare që ka prekur kompanitë e tyre. Shlyerja e likuiditeteve nga “Premier” ka sjellë gëzim te 14 pjesëtarët e ekuipazhit, që do të ridalin sërish në det, ndërsa për 13 marinarët shqiptarë të “Brustel” fati është ende i panjohur.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›