E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe Bulqiza drejt përmbytjes

Reshjet Drini i Zi del nga shtrati

Prurjet e këtyre ditëve të Drinit të Zi, të shtuara jashtë çdo norme të lejuar, rrezikojnë të përmbytin edhe banorët e Gjoricës në Rrethin e Bulqizës. Shtimi i këtyre prurjeve, krahas reshjeve të dendura të shiut, ka ardhur edhe nga hapja e portave të liqenit të Ohrit në Strugë të Maqedonisë. Prurjet e lumit të Drinit të Zi, pas hapjes totale të gjashtë portave të shkarkimit të liqenit, në Strugë, prej të cilave shkarkohen 70 metra kub ujë në sekondë, ka detyruar hapjen e dy portave të shkarkimit të ujit në hidrocentralin e Spilesë në Dibër të Maqedonisë, pikërisht aty ku Drini i Zi nis rrjedhën e tij në vendin tonë. Kjo ka ndikuar dukshëm në daljen e ujërave të lumit jashtë shtratit, duke iu afruar banesave të fshatit Gjoricë, ku Drini shërben edhe si vijë kufitare mes vendit tonë dhe Maqedonisë. Mjaft banorë të Gjoricës të përfshirë nga paniku prej gati një jave, bëjnë roje gjatë gjithë këtyre netëve për të ruajtur rritjen e nivelit të lumit, pasi gjithnjë e më shumë uji po rrezikon banesat e tyre. Të paktën më shumë se 25 shtëpi të këtij fshati janë të rrezikuara nga vërshimi i ujërave. “Jemi të rrezikuar nga momenti në moment, thonë banorët, pasi argjinatura e Drinit ka mbetur e papërfunduar”. Vetëm dy vite më parë nisi ndërtimi i argjinaturës së Drinit, në një nga segmentet më problematike të tij, por kjo ndërhyrje nuk qe e plotë, pasi në një gjatësi prej rreth 150 metrash argjinatura u la pa mbaruar. Pikërisht në këtë pjesë ku mungon ndërtimi i argjinaturës, lumi ka dalë jashtë shtratit, duke shkaktuar përmbytje tokash dhe shtëpish. Madje vërshimi i rrëmbyer i ujërave jashtë çdo norme të lejuar, rreth 30 centimetra mbi argjinaturë, ka nisur të dëmtojë edhe pjesën e argjinaturës së ndërtuar para dy viteve. Ndaj banorët kërkojnë të merren masa, sepse përmbytja përveç rëndimit të saj në vazhdim, po shkakton probleme të pariparueshme në bujqësi dhe në rezervat ushqimore për blegtorinë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›