Hajdutët bastisin Vunoin e braktisur nga banorët
Prej më shumë se një javë, fshati Vuno, 70 km larg Vlorës, është bërë pre e vjedhjeve dhe bastisjeve të shtëpive që janë pa banorë. Në këtë fshat, dikur me popullsi prej 800-900 banorësh dhe rreth 300 shtëpi, sot jetojnë 300 frymë dhe shumica e shtëpive janë të pabanuara, për shkak të emigracionit dhe migrimit të brendshëm. Qetësinë e kësaj zone që dimrit banohet kryesisht nga të moshuarit, e ka prishur një seri vjedhjesh. Një prej banorëve të fshatit tregon se ka parë dhe dëgjuar zhurma para tri ditësh, kur disa shtëpi të pabanuar janë vjedhur duke u shqyer dyert. Ai thotë se janë vjedhur gjithsej 14 shtëpi, ku personat që janë futur në shtëpi kanë marrë sendet me vlerë si ikona, qypa të vjetër, si dhe kanë kërkuar për para dhe sende të vogla që kanë vlerë dhe që mund t’i marrin pa mundim, pasi dhe rruga për të transportuar objekte të mëdha është e vështirë. Por nuk kanë qenë vetëm shtëpitë preja e hajdutëve. Ata kanë vjedhur edhe të vetmin dyqan të fshatit. Policia ka shkuar dhe ka bërë këqyrjen e vendit, ka marrë shenjat, por nuk ka rënë ende në gjurmë të bandës që ka gjetur “parajsën” në fshatin e braktisur. Një grua e moshuar thotë se i kanë hapur shtëpinë dhe e kanë kthyer përmbys, duke kërkuar për lekë. “Kemi frikë të rrimë. Një zhurmë e vogël të ndodhë, ne jemi zgjuar gjatë gjithë natës”, thotë gruaja. Ish-kryeplaku i fshatit Vuno, Vasil çakalli, thotë se vjedhjet e shtëpive kanë qenë gjithmonë problem për fshatin. “Shtëpitë në Vuno janë vjedhur sistematikisht. Para disa kohësh, në një shtëpi ku jetonte një e moshuar është futur një vjedhës dhe e ka mbajtur nën terror për gjatë gjithë natës dhe është larguar vetëm në mëngjes”, thotë Vasili. Ai ankohet se përveç vjedhjeve, keqbërësit po dëmtojnë edhe ullinjtë, që i presin e i shesin për dru zjarri. “Edhe gurët që rrethojnë parcelat e tokave po i vjedhin e po i çojnë në Vlorë për t’i shitur”, shton Vasil çakalli.
#