E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nesrini me shokë

"…Nuk po mund të jem efektive plotësisht në këtë kohë në Gjykatën Supreme…" Hapave të Nesrin Lushtës, kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duket se po shkojnë edhe disa anëtarë të këtij komisioni.

Nesrin Lushta është kryetare e KQZ-së dhe gjyqtare e Gjykatës Supreme të Kosovës.
Por, njësoj si ajo, nga dy poste publike kanë edhe Florian Dushi e Ilir Gashi.

Florian Dushi është ushtrues detyre i sekretarit të përhershëm në Ministrinë e Drejtësisë dhe në të njëjtën kohë është anëtar i KQZ-së nga LDK-ja.

Kolegu i tij Ilir Gashi nga PDK-ja është zyrtar i lartë personal i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Në këtë rast dallimi ndërmjet Nesrin Lushtës dhe këtyre dy anëtarëve është se kryetarja e KQZ-së i mban dy postet duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës.

Ndërkohë, dy anëtarët e këtij KQZ-së mbajnë nga dy poste të larta publike në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin për Zgjedhjet.

Megjithëkëtë, mbajtja e dy detyrave mjaft të rëndësishme nga Nesrin Lushta, si kryetare e KQZ-së dhe gjyqtare e Gjykatës Supreme, mund të jetë e ligjshme, por është tërësisht çështje tjetër sa ajo mund të jetë efektive. “Nuk po mund të jem efektive plotësisht në këtë kohë në Gjykatën Supreme”, e pranon Lushta për Express. “Kam shumë angazhime në kryerjen e këtyre dy detyrave dhe t’ju them të drejtën, nuk po mund të arrij, sidomos në kohë zgjedhjesh, të kryej plotësisht detyrat si gjyqtare e Gjykatës Supreme”, thotë Lushta. Nëse këtë bindje ka për vetveten Nesrin Lushta, kështu nuk mendojnë kolegët e saj nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK). Halit Muharremi, drejtor i Sekretariatit të KGJK-së, ka mendim të mirë për Lushtën si gjyqtare e Gjykatës Supreme.

“Sa i përket punës si gjyqtare e Gjykatës Supreme, znj.Lushta është duke u marrë me rastet e veta”, thotë Muharremi për Express. Ai nuk dëshiron të komentojë mbajtjen e dy posteve nga ana e koleges së saj. “Për këtë duhet të pyesni ligjvënësit”, thotë Halit Muharremi.

Në fakt, emërimi i Nesrin Lushtës si kryetare e KQZ-së është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Neni 139 e saktëson këtë. E Nesrin Lushta e pohon. “Nuk është e kundërligjshme që kam dy detyra, por kjo kërkon shumë angazhim, sidomos gjatë zgjedhjeve”, thotë ajo.

Por, nëse Lushta është në rregull me ligjin, edhe pse nuk mund të jetë efektive si gjyqtare e Gjykatës Supreme, ka kolegë me të cilët punon në KQZ që në ato detyra janë në kundërshtim të plotë me Ligjin për Zgjedhjet.

Neni 61.8, pika (e) e sqaron shumë mirë këtë çështje. “Anëtari i KQZ-së.... nuk duhet të jetë zotërues i një posti të lartë publik ose i një posti të lartë në parti politike”, thuhet në ligj. Kjo nuk e pengon Florian Dushin që çdo ditë të shkojë në zyrën e tij si U.D i sekretarit të përhershëm të Ministrisë së Drejtësisë. “Ai vjen çdo ditë në punë dhe njëkohësisht i mban të dy detyrat”, thotë për Express një zyrtar i lartë nga Ministria e Drejtësisë. Përveç kësaj, emri i Dushit në këtë detyrë ndodhet edhe në faqen zyrtare të internetit të MD-së. Por, nëse ai është i rregullt të mbajë dy postet, kjo nuk mund të thuhet edhe për gatishmërinë e tij të japë përgjigje. Gazeta ka tentuar gjatë tërë ditës së enjte të kontaktojë Dushin, por kjo ishte e pamundur. Përveç faqes zyrtare të MD-së, emri i tij ndodhet edhe në faqen zyrtare të KQZ-së, nën akronimin si përfaqësues i LDK-së. Ndërkohë, emri i Ilir Gashit është i vendosur në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës, si zyrtar i lartë personal i kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Por, Ilir Gashi thotë se e ka konsultuar ligjin në fjalë, para se të pranojë postin e anëtarit të KQZ-së. “E kam konsultuar edhe Kushtetutën. Kam parë se është e ndaluar vetëm mbajtja e posteve të larta politike. Nuk mendoj se posti im është i lartë”, thotë Gashi për Express. I pyetur nëse ai e konsideron post të ulët të jetë zyrtar i lartë personal i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, ku përveç kësaj, ligji sqaron se nuk duhet mbajtur as post publik, Gashi premton ta rishikojë ligjin. Por, tek e fundit, për këtë ka një adresë ku duhet kërkuar përgjegjësia. Ai është Presidenti i Republikës, para të cilit ka dhënë betimin si anëtar i KQZ-së. “Interpretimi i ligjit dhe i Kushtetutës në këtë rast bëhet nga Presidenti. Unë e kam bërë betimin para tij dhe është ai që e shikon këtë çështje”, thotë Ilir Gashi. Por, në Presidencë askush nuk dëshiron as të dëgjojë se për çfarë është fjala. Nëse për zëdhënësin Xhavit Beqiri, për çështjet që kanë të bëjnë me ligje, përgjigje mund të japë vetëm Korab Sejdiu, këshilltar i lartë i Presidentit për çështje juridike, ky i fundit herë është i zënë në mbledhje, e herë në ligjërata.

Bahri Hyseni është kryetar i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi në Kuvendin e Kosovës. Sa për Nesrin Lushtën, e cilën mban dy detyra publike në të njëjtën kohë, ai sqaron se kjo duket e padrejtë, megjithatë është Kushtetuta që e lejon këtë. “Mendoj se kjo duhet të ndryshohet sepse është vështirë që një person të mbajë dy poste”, thotë Hyseni për Express. Por, që të ndodhë kjo, duhet të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës. Sa për anëtarët e tjerë që mbajnë nga dy poste, pasi shpreh habinë, Hyseni thotë se kjo është në kundërshtim të plotë me ligjin. “Mbajtja e dy posteve publike vlen vetëm për kryetaren e KQZ-së, por jo për anëtarët e këtij komisioni”, thotë Bahri Hyseni. Sipas tij, përveç në Ligjin për Zgjedhjet, kjo është e precizuar si ndalesë edhe në Ligjin për Shërbimin Civil.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›