E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatja e Braun, predikime fetare në sallën e gjyqit



Reagon trupi gjykues, i drejtohet Dhomës së Avokatisë

Togat e zeza i tërheqin vëmendjen për shkelje të etikës

Seancë gjyqësore me propagandë fetare. Me këto fjalë mund të karakterizohet zhvillimi i një pjese të seancës së djeshme në ngarkim të të pandehurit David Braun, i akuzuar për veprën penale “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”. “Unë jam me Zotin, ai e ndriçon rrugën time dhe do t’u ndriçojë edhe ju para shpalljes së vendimit. Unë besoj në Zot dhe ai më ndjek në çdo hap, këtu, në rrugë, në shtëpi e kudo”. Këto kanë qenë disa nga shprehjet e përdoruara në seancë nga avokatja, e cila disa herë u ndërpre nga kryesuesi i seancës, Hoxha, i cili i kujtoi se jemi një vend ateist dhe se salla e gjyqit nuk ishte vendi ku mund të predikonte. Avokatja vijoi predikimet e saj, duke e detyruar gjyqtarin Hoxha t’i tërhiqte vëmendjen duke i kujtuar se nuk mund të fliste për fenë në seancë. Megjithatë, mbrojtësja ligjore e të pandehurit ka vijuar të predikojë për Zotin dhe të mirat që të sjellë besimi kundrejt tij. Gjyqtari Gerd Hoxha, por edhe dy gjyqtarët e tjerë, pjesë e trupës gjyqësore, u përpoqën ta ndërpresin avokaten në ligjërimin e saj fetar, madje duke i kujtuar se për mungesë etike i janë drejtuar edhe Dhomës së Avokatisë dhe Ministrisë së Drejtësisë për të marrë masa ndaj saj.

Tërheqja

Më tej seanca ka vijuar me tërheqjen e të pandehurit Braun nga bërja e ekspertizës mjeko-ligjore, e cila do të vërtetonte nëse vuante nga Hepatiti B apo jo, me pretendimin se kjo analizë hante shumë kohë dhe se atij ishte duke i vdekur nëna dhe donte të mbyllej shpejt procesi gjyqësor. I pandehuri vazhdon të deklarojë se është i pafajshëm dhe synon që këtë pafajësi ta marrë brenda këtij muaji, duke deklaruar se do të jetë pranë nënës së tij e cila është duke vdekur. Gjykata pranoi tërheqjen e të pandehurit dhe vendosi të revokonte vendimin për bërjen e ekspertizës, duke i dhënë të drejtën të pandehurit të paraqiste pretendimet e tij lidhur me dëshminë e dhënë më parë me dyer të mbyllura nga një e mitur e strehuar aktualisht në shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli”, dëshmi e dhënë me dyer të mbyllura dhe nëpërmjet video-konferencës për të shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë me të pandehurin. Braun ka këmbëngulur se nuk ka fjetur asnjëherë në të njëjtin krevat me fëmijët, por vetëm në të njëjtën dhomë, pasi një nga fëmijët, Denisi, frikësohej natën. Çdo nervozizëm dhe frikësim i të miturit ka ardhur pas abuzimeve që kishte bërë tek ai Dino Kristodulu. Më pas, Braun shpjegoi kuptimin e e-mail-eve të ardhura në adresën e tij nga Kate Smith dhe Krauger. Kate i kishte kërkuar Braun në e-mail që të mos përsëritej incidenti i Edit (E.R.) 11 vjeç, pasi ky i fundit kishte ngacmuar seksualisht një vajzë 5 vjeçe, madje duke i kërkuar të pandehurit që ky fëmijë të largohej nga qendra. Braun shtoi se Eduardin e kishte marrë në dhomën e tij, me qëllim që skena të tilla të mos përsëriteshin. Seanca ka vijuar për disa orë përgjatë paradites së djeshme, ndërkohë që do vijohet me provat e mbrojtjes edhe ditën e sotme.

Avokatja

“Unë jam me Zotin, ai e ndriçon rrugën time dhe do t’u ndriçojë edhe ju para shpalljes së vendimit. Unë besoj në Zot dhe ai më ndjek në çdo hap, këtu, në rrugë, në shtëpi e kudo”

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›