E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, dy të vdekur, katër të plagosur në 24 orët e fundit



Policia ka arrestuar drejtuesin e një mjeti

Makina me kosovarët bie në humnerë

Dy persona të vdekur dhe katër të plagosur. Bilanci më i fundit i aksidenteve rrugore në 24 orët e fundit në vend, i ka marrë jetën një 61-vjeçari, teksa drejtonte motoçikletën, si dhe drejtuesit të një automjeti. Lajmi është bërë i ditur ditën e djeshme nga të dhëna zyrtare të policisë së kryeqytetit, e cila ka bërë me dije se specialistët e Seksionit të Hetimit të Aksidenteve Rrugore, realizuan kapjen dhe më pas arrestimin në flagrancë të 21-vjeçarit Endrit Veliu, nga Tirana. Sipas policisë, kapja e tij u krye pasi orët e vona të së hënës në rrugën “Qemal Stafa”, duke drejtuar automjetin e tij tip “Fouristradë” me targa TR 3628 P, i riu është përplasur me një motoçikletë me drejtues Xhavit Sharrën, 61 vjeç, ku si pasojë është aksidentuar drejtuesi i motoçikletës, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Në vendin e ngjarjes, nga ekspertët dhe grupi hetimor i posaçëm i formuar u kryen të gjitha veprimet procedurale, ndërsa materialet e përpiluara në ngarkim të tij, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.

Po kështu, mbrëmjen e së hënës një tjetër aksident i rëndë automobilistik i ka marrë jetën një 38-vjeçari.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00, në superstradën Vorë-Tiranë, në fshatin Yrshek, kur automjeti tip “Benz”, me targë TR 3449 L, i drejtuar nga Blendi Veseli, 38 vjeç, banues në Tiranë, si pasojë e shpejtësisë tej normave, ka humbur kontrollin e mjetit duke u përplasur me një shtyllë ndriçimi metalike, dhe më pas ka përfunduar disa metra larg rrugës dytësore. Për pasojë, ka gjetur vdekjen e menjëhershme drejtuesi i automjetit, shtetasi Blendi Veseli, ndërsa janë plagosur pasagjerët që ndodheshin në këtë automjet, Vasillaq Lushka, 26 vjeç, banues në Pogradec dhe Artan Risto, 45 vjeç, banues në Tiranë, të cilët u dërguan menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë, jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, policia tha se në vendin e ngjarjes, nga ekspertët dhe grupi hetimor i posaçëm i formuar u kryen të gjitha veprimet procedurale, ndërsa materialet e përpiluara në ngarkim të tij, i kaluan prokurorisë për hetime të mëtejshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›