E Shtunë, 31 Tetor 2026

shkurte policia

Shkodër

Ndalohet sekretari i komunës, asgjësohen 130 rrënjë kanabis

Rreth 130 rrënjë kanabis sativa, një person i ndaluar, si dhe dy të tjerë që ndiqen në gjendje të lirë. Ky ka qenë bilanci më i fundit i një operacioni të policisë së Shkodrës në kuadrin e parandalimit të kultivimit të bimëve narkotike në vend. Lajmi është bërë i ditur dje nga zëdhënësja e kësaj policie, Fatbardha Çepelja, sipas së cilës, dje rreth orës 15:45 u bë ndalimi i 50-vjeçarit Gjelosh Preldakaj, nga fshati Nikç i Komunës Kelmend, rrethi Malësi e Madhe, me detyrë sekretar i Komunës Kelmend. Sipas policisë, ndalimi i tij u bë pasi ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim, nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër, që më 18.07.2008, për arsye se në oborrin e shtëpisë së tij janë konstatuar 19 rrënjë bimë me karakteristika të ngjashme të kanabis sativa, të cilat pas kryerjes së veprimeve, u shkulën dhe u asgjësuan me anë të djegies. Mbi këtë bazë, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka nxjerre urdhër ndalimi në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur, për veprën penale të “kultivimit të bimëve narkotike”. Gjithashtu, mësohet se gjatë këtij operacioni, në po këtë fshat u zbuluan dhe dy parcela të tjera të mbjella me bimë kanabis sativa, konkretisht: në pronën e shtetases D. Preldakaj, vjeç 58, banuese në fshatin Nikç, u konstatua një parcelë e mbjellë me 28 rrënjë bimë kanabis sativa; si dhe në pronën e shtetases V. Preldakaj, 52 vjeçe, banuese po në Nikç, u gjetën 188 rrënjë bimë kanabis sativa. Sipas policisë, nga veprimet e para hetimore rezulton që në këtë veprimtari të kundërligjshme të jenë të përfshirë dhe bashkëpunëtorë të shtetasve në fjalë, të cilat u lanë të ndiqen në gjendje të lirë. Nga ana jonë po punohet për kapjen e një shtetasi tjetër të përfshirë në këtë veprimtari.

Durrës

Kapet hajduti i vjedhjeve të dyqaneve dhe vilave

Prej kohësh ishte kthyer në tmerrin e pronarëve të vilave dhe dyqaneve në Durrës, ndërkohë që denoncimet e njëpasnjëshme të personave të dëmtuar kanë çuar më në fund në pranga autorin. Florenc Kondakçiu, 29 vjeç, banues në fshatin Rrushkull të Durrësit, është arrestuar një ditë më parë nga shërbimet e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Pronës Durrës, të cilët i kanë dokumentuar të paktën pesë vjedhje. Lajmi është bërë i ditur dje nga zëdhënësja e policisë së këtij qyteti, Ornela Cako, sipas së cilës, 29-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga policia që më datë 3 të këtij muaji. Sipas policisë, Kondakçiu dyshohet se ka kryer vjedhjen me thyerje më datë 28 të një muaji më parë në lagjen nr. 4 Durrës të bar “Hekurudha”, pronë e shtetasit S.A.; vjedhjen me thyerje më datë 19 qershor të banesës së shtetasit D.L. në lagjen nr. 4 Durrës, në të cilën është marrë shuma prej 60.000 lekësh; vjedhjen me thyerje më datë 23 qershor në lagjen nr. 18 Durrës të banesës së shtetasit S.M., ku është marrë shuma prej 500 eurosh, 30.000 lekë si dhe dy telefona celularë; vjedhjen me thyerje më datë 28 qershor të banesës së shtetasit E.M. në lagjen nr. 15 Durrës, ku janë marrë telefona celularë, veshje dhe disa bizhu floriri; si dhe vjedhjen me thyerje më datë 24 qershor të rulotit pronë e shtetasit A.M. në lagjen nr. 4 Durrës, në të cilin janë marrë 20 karta telefoni, cigare të ndryshme si dhe 1.000 lekë. Policia tha gjithashtu se Florenc Kondakçiu është përsëritës në fushën e krimeve ndaj pronës, pasi ai rezulton të jetë dënuar edhe 6 herë të tjera më parë për vjedhje banesash e lokalesh në rrethin e Durrësit. Kapja e tij shtetasi u bë e mundur gjatë ditës së djeshme në lagjen nr. 14 Durrës, në një banesë të përdorur prej tij për strehim.

Zjarret

Arrestohen dy punëtorë sezonalë, dogjën barishtet

Djegia e plot 100 hektarëve tokë me pemë frutore dhe shkurre në fshatrat Navarricë dhe Livinë të Komunës së Dhivrit në Sarandë ka çuar në pranga dy punëtorë sezonalë nga Berati, të cilët kanë shkaktuar zjarrin pas djegies së barishteve gjatë punës. Lajmi është bërë i ditur mbrëmjen e djeshme nga policia lokale, sipas së cilës, në pranga kanë përfunduar Avni Belishaku, 58 vjeç dhe Idajet Çobo 58 vjeç, punëtorë ndërtimi sezonalë nga Berati, të cilët kanë menduar të pastronin nga barishtet objektin në të cilin po punonin në fshatin Rumanzat, duke i vënë flakën atyre. Por, zjarri i ndikuar nga era e fortë u ka dalë nga kontrolli dhe ka përfshirë fshatrat Navarricë dhe Livinë të Komunës së Dhivrit, duke rrezikuar më shumë se 50 hektarë të mbjella me dru frutorë. Ndërkohë, 2 avionë nga shteti fqinj, Greqia, janë përpjekur deri vonë të shuajnë flakët e zjarrit, të cilat filluan që në orën 11 të paradites, ndërsa policia ka arrestuar dy punëtorët nga Berati si shkaktarë të zjarrit

Sarandë

Zjarri rrezikon manastirin e Shën Gjergjit

Një zjarr i fuqishëm ka rënë rreth orës 13:30 të ditës së djeshme dhe ka rrezikuar manastirin e Shën Gjergjit në rrethin e Sarandës. Sipas të dhënave të banorëve të zonës, zjarri i fuqishëm i cili ka rënë rreth orës 13:30 rrezikon t'u afrohet banesave në atë zonë. Ndërkohë, për disa minuta situata ka qenë kritike, ndërsa forcat e zjarrfikësve të ndihmuar dhe nga banorë të zonës po punojnë për izolimin e flakëve dhe më pas shuarjen e tyre. Sakaq, të dhëna policore kanë lajmëruar se një tjetër vatër zjarri është shënuar në afërsi të fshatit Dyrmish në Komunën e Livadhjasë po në rrethin e Sarandës. Edhe në këtë zonë, forcat zjarrfikëse, forcat e Policisë Kufitare dhe dhjetëra banorë janë angazhuar për të shuar zjarrin, i cili vazhdon të jetë aktiv. Dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm, ndërsa janë shoqëruar në policinë e qytetit të Sarandës 3 persona nën akuzën e zjarrvënies. Ende nuk dihet nëse ka të lënduar nga zjarri dhe se sa është vlera e dëmit material të shkaktuar nga flakët.

Vlorë

Masat e sigurisë në port, sipas standardeve

Në pikën kufitare të portit në qytetin e Vlorës janë forcuar masat e kontrollit e të sigurisë, në kushtet e rritjes së fluksit të emigrantëve që kthehen për të kaluar pushimet në vendlindje. Një gjë e tillë është pohuar dje nga drejtori i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit, Myzafer Elezi, sipas të cilit, masat që janë marrë nga strukturat portuale lehtësohen nga standardet bashkëkohore të sistemit të kontrollit, që funksionon në këtë port, i cili është i kompjuterizuar. Sipas tij, ky sistem i ka të gjithë elementët që garantojnë një shkallë të lartë kontrolli në praktikën e hyrje-daljeve. Pjesë e tij është edhe skaneri, që identifikon praninë e mjeteve dhe sendeve metalike të të gjitha llojeve e përmasave, tek udhëtarët që hyjnë apo dalin nëpërmjet pikës kufitare, si dhe një aparaturë që përcakton mjetet metalike (armë zjarri e të ftohta), në bagazhet. Po kështu, sistemi i mësipërm është kompletuar me elementët e nevojshëm që përdoren në praktikën bashkëkohore për bllokimin e tentativave të trafikimit të drogës në hyrje-daljet e pikave të kontrollit kufitar. Në sistemin kompjuterik TIM në portin e Vlorës janë regjistruar, krahas të tjerave, të gjithë personat e shpallur në kërkim nga Interpoli, automjetet e vjedhura dhe pasaportat e trafikuara në vendet e BE-së. Përmes tij, mund të identifikohen dhe të përcaktohen të gjitha tentativat e falsifikimit të dokumenteve të ndryshme, që nevojiten për kalimin, apo për qëndrimin në shtete të tjera.

Në Vlorë

Riaktivizohen sistemet e informimit për mbrojtjen nga zjarret

Ndërmarrja e Shërbimit Pyjor e Qarkut të Vlorës ka forcuar më tej masat në funksion të parandalimit të rasteve të shfaqjes së zjarreve dhe minimizimit të pasojave të tyre. Lajmi është bërë i ditur një ditë më parë nga kreu i këtij shërbimi, Agim Muka, i cili është shprehur se ndër pikat kryesore të programit, që tashmë është vënë në zbatim, përfshihet riaktivizimi i shërbimit të informacionit në të gjithë gjeografinë e shpërndarjes së pyjeve. Sipas Mukës, tashmë ka përfunduar rindërtimi i strukturave që kanë funksionuar në vitet paraardhëse në shkallë fshati apo komune, gjë që është shoqëruar edhe me plotësimin e sistemit të ndërlidhjes, përmes të cilit përcillen rastet e shfaqjes së zjarreve. Po kështu, elementët kryesorë të këtij sistemi janë kryepleqtë e fshatrave, të cilët sikurse edhe gjatë viteve të kaluara, kanë marrë kompetenca të caktuara në strukturat e krijuara nga Ndërmarrja e Shërbimit Pyjor. Krahas kësaj, është aplikuar praktika e marrëveshjeve me barinjtë e zonave të caktuara, ku parashikohen detyrime respektive për rastet e shfaqjes së zjarreve.

Gjirokastër

Ndalohet me euro false 31-vjeçari

Një 31-vjeçar nga Gjirokastra është arrestuar nga policia për përdorim të eurove false. Mexhit Jupi, 31 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Lazarat, është ndaluar mbrëmjen e së dielës pas denoncimit nga pronari i një pike karburanti, ku kishte shlyer një detyrim me euro false. Sipas të dhënave të policisë lokale një ditë më parë, mësohet gjithashtu se gjatë kontrollit në banesën e tij u bllokuan në cilësinë e provës materiale 25 kartëmonedha euro të prerjes 50-she, të cilat dyshohet së janë të falsifikuara.

Pogradec

Ndalohet për trafik makinash shqiptaro-maqedonasi

Një shqiptaro-maqedonas u ndalua të dielën në mbrëmje në doganën e Tushemishtit në Pogradec, pasi akuzohet për trafik makinash. Lajmi është konfirmuar dje nga të dhëna të policisë lokale, sipas të cilave, Vegim Kaliqi, 30 vjeç, banues në Strugë, u ndalua teksa po udhëtonte nga Shqipëria për në Maqedoni. 30-vjeçari shqiptaro-maqedonas po drejtonte automjetin tip "Ford Mondeo", me targë AG 358179, i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur. Ai po hetohet në gjendje të lirë me akuzën "trafikim i mjeteve motorike".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›